600 talasemikë kanë nevojë për ndihmë/ Apeli i mjekes: Dilni nga shtëpia për të dhuruar gjak, 15 minuta shpëtoni një jetë

Pasojat negative të Covid 19 janë duke i vuajtur edhe pacientët që kanë nevojë për gjak. Mjekja Dorina Xhafa tregon se numri i dhuruesve në Bankën e Gjakut këtë periudhë është ulur, ndërsa duhet vetëm 15 minuta për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të 600 pacientëve që kanë nevojë për të.

TIRANË– Një “ilaç shërues”dhe jetik që nuk mund të prodhohet në fabrikë, i tillë është gjaku për shumë njerëz, të cilët furnizimin me të mund ta sigurojnë vetëm përmes një mënyre, “dhurimit”. Në situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, nevojat për gjak, për personat talasemikë, për pacientët e operuar dhe jo vetëm, në spitale janë të mëdha.

Këtë e konfirmon dhe mjekja transfuziologe, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të gjakut në Tiranë, Dorina Xhafa, e cila në një intervistë për “Report TV” rrëfen se në situatën e krijuar me përhapjen e pandemisë së COVID- 19, ka pasur një ulje të numrit të dhuruesve vullnetarë. Kjo, sipas saj ka sjellë vështirësi në plotësimin e nevojave të spitaleve në rezervat  e gjakut.

“Duke qene se vendi ynë është një vend që ka shumë nevojë për pacientë me talasemi dhe njësitë e gjakut që ata duan shkojnë nga dy ose më shumë dhe duhen për një periudhë 10 ditë ose edhe pak më herët. Duhet që numri i dhuruesve vullnetarë të jetë gjithmonë  konstant ose mundësisht edhe  të jetë duke u rritur. Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për dhurimin vullnetarë. Të regjistruar ne kemi vetëm pacientë talasemikë dhe ata janë diku rreth 600”, tha Xhafa.

Specifikat e kësaj sëmundje përmes një analize gjaku komplet mund të verifikohen, ndërsa vendosja e diagnozës përfundimtare bëhet me analiza mjekësore të detajuara.

“Është një defekt gjenetik i lindur dhe duhet të diagnostikohet herët. Problemet me qarkullimin e gjakut dhe oksigjenimin janë problemet e para që u  shfaqen tek këta lloj fëmijësh.  Nuk duhet të nënvlerësohet  elektroforeza e hemoglobinës, është një analizë e cila të ndihmon për të parandaluar lindjet e reja me talasemi”, u shpreh ajo.

Mjekja shprehet se dhurimet vullnetare të këtij lëngu të jetës, asnjëherë nuk mjaftojnë për nevojat e pacientëve, veçmas për talasemikët.  Në përfundim të intervistës mjekja bën apel që njerëzit të ndërgjegjësohen edhe të japin kontributin e tyre, për ata njerëz që kanë nevojë në këtë periudhë të vështirë.

“Të dalin nga shtëpia vetëm për të dhuruar gjak. Të dalin sepse ka shumë njerëz që kanë nevojë për atë pikën e gjakut që ne vetëm për 15 minuta mund ta shpëtojmë një jetë”, përfundon mjekja.

*/ burimi/ Shqiptarja.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button