Amnistia fiskale/PS: I jep fund informalitetit dhe evazionit fiskal; PD: Favorizon politikanët e zyrtarët

 “Amnistia fiskale dhe penale” është një nga ligjet financiare më të rëndësishme, për shkak të impaktit që pritet të ketë në jetën e shumë qytetarëve, por edhe dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaron se puna për hartimin e këtij ligji ka nisur prej muajsh dhe për këtë janë konsultuar grupet e interesit ndërsa kanë bashkëpunuar edhe shumë institucione.

“Janë studiuar e konsultuar eksperienca të vendeve të tjera, për të mësuar më shumë nga sukseset apo gabimet e tyre, por kemi synuar të bëjmë një ligj sa më të përshtatshëm për vendin tonë. Në Shqipëri nuk është aplikuar asnjëherë amnisti fiskale e plotë. Është hedhur gjithmonë ideja e një amnistie të tillë, por nuk u realizua asnjëherë“, shprehet Kushi, e cila është edhe relatore e këtij projektligji në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Sipas saj, amnistia fiskale synon ndarjen njëherë e përgjithmonë nga evazioni e kultura e pandëshkueshmërisë.

“Të gjithë e dimë që kemi një nivel të lartë të ekonomisë informale, i krijuar në 30 vite ekonomi të lirë tregu, për shkak të mungesës së kulturës për të paguar taksat, por edhe për shkak të paaftësisë së administratës ti ndjekë, për shkak të kostove administrative, mungesës së teknologjisë, etj. Ndaj dhënia fund e informalitetit e evazionit fiskal njëherë e përgjithmonë e bën këtë ligj të gjithë pranuar”, theksoi Kushi.

Ajo shprehet se ky ligj vjen natyrshëm pikërisht tani, si pasojë logjike e një sërë masash që janë marrë në 2019-n e që janë duke u ndërmarrë për uljen e informaliteit e evazionit fiskal.

“Është një paketë e plotë ligjore që është hartuar. Krahas disa ligjeve të miratuara në këtë periudhë si ai “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, mund të shtoj se në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe me asistencën e FMN-së, kemi hartuar një strategji afatmesme për rritjen e të ardhurave, kryesisht nga mirëadministrimi tatimor dhe nga politikat fiskale, duke u përqendruar në disa shtylla kryesore, që janë provuar të jenë efektive edhe në vendet e tjera, si ulja e evazionit të tvsh në disa sektorë që konsideron me risk të lartë, ulja e informalitetit në tregun e punës etj. Kemi iniciuar edhe reforma shumë të forta, siç është shkëmbimi i informacionit me administratat tatimore të vendeve të tjera, fiskalizimi, regjistri i llogarive bankare, etj”, deklaroi Kushi.

Pra, thekson deputetja socialiste, është momenti i duhur, pasi është përgatitur i gjithë terreni për të vënë vijën ndarëse nga një histori e gjatë informaliteti e evazioni.

Kushi shprehet se nga kjo amnisti përfitojnë individët dhe bizneset që kërkojnë formalizimin e aseteve dhe shkëputjen nga veprime informale të së kaluarës.

“Nga ligji do të përfitojnë të gjithë individët, duke nisur nga emigrantët. Të gjithë e dimë që në 30 vite, një pjesë e të ardhurave e siguruar nga puna e ndershme e emigrantëve është jashtë kanaleve bankare. Një pjesë është përdorur për konsum, biznes, apo investime, por ama ka ende asete likuide të paformalizuara të cilat duhet të hyjnë në qarkullimin ekonomik formal, por duke u deklaruar më parë. Individët përfitojnë edhe përmes formalizimit të pasurive brenda e jashtë vendit, por që janë të padeklaruara”, bën të ditur ajo.

Për sa i takon biznesit, Kushi thotë se ai përfiton përmes formalizimit të pasqyrave financiare dhe bilanceve.

“Duhet të marrë fund praktika e dy bilanceve nga kompanitë. Kjo iniciativë i jep mundësinë e riformatimit dhe pasqyrimit real të mjeteve dhe burimeve”, shprehet Kushi.

Së pari, vijon deputetja socialiste, këto përfitime realizohen përmes deklarimit e regjistrimit si të ligjshme me një kosto të reduktuar në krahasim me koston që do të kishin nëse do të kishim një zbatim të rregullt të legjislacionit tatimor.

Konkretisht, kosto nëse deklarimi bëhet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit është 5%, brenda 4 mujorit të dytë 7% dhe brenda 4 mujorit të tretë 10%.

“Është e logjikshme kjo masë e tatimit dhe përshkallëzimi në kohë, sepse synon të nxisë sa më shumë procesin e deklarimit vullnetar. Janë më të priviligjuar ata që e bëjnë deklarimin e tyre brenda 4 mujorit të parë“, thotë deputetja.

Projektligji, shpjegon Kushi, po ashtu përcakton disa të drejta për subjektet përfituese, si përjashtimi i detyrimit të dhënies së infomacioni, ruajtjen e sekretit të dhënies së informacionit, garanci për mosdiskriminin në të ardhmen, përjashtimin nga ndjekja penale, si dhe mosvënia e masës së sekuestros.

“Është e rëndësishme të theksojmë se kjo amnisti nuk legalizon, as vjedhjen dhe as korrupsionin e bërë nga zyrtarët shtetërore, sepse nga amnistia do të përjashtohen individët që kanë detyrim të deklarojnë në ILDKP dhe pjestarët e familjes së tyre, po kështu përjashtohen subjektet e ligjit “antimafia” dhe subjektet e ligjit “KÇK”, shprehet Kushi.

Po ti referohemi projektligjit, thotë ajo, njësia speciale e ngritur pranë DPT do të bashkëpunojë me Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Prokurorinë e institucione të tjera për të parandaluar këtë rrezik.

Më tej, Kushi shprehet se nuk ka një vlerësim të saktë se sa do të jetë shuma që do të përfshihet në këtë proces, por thekson ajo, synimi është jo të sigurojmë të ardhura në buxhet, por për të formalizuar ekonominë dhe dhënë mundësi bizneseve e individëve të formalizohen para se të nisin reforma të forta.

Por ndryshe nga sa deklaron mazhoranca, opozita po e kundërshton fort këtë proces me arsyetimin se amnistia favorizon të inkriminuarit, politikanët dhe një numër të lartë zyrtarësh.

Ish-deputetja e PD-së, ekspertja e ekonomisë Jorida Tabaku, ka deklaruar se projekti u siguron paprekshmëri dhe legalizim të pasurisë gjithë anëtarëve të organizatave kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj projekti i qeverisë për amnistinë fiskale favorizon politikanët dhe një numër të lartë zyrtarësh. “Mjafton që i afërmi i një politikani të mos jetë në certifikatën e tij familjare dhe për pasurinë e tij eventualisht të paligjshme, bëhet mburojë amnistia fiskale” tha Tabaku.

/a.gjonaj/  /a.g/

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close