Automatizimi, nevojë apo pasojë e COVID-19?

Nga Ardita Hykaj*

Historikisht, depresionet kanë shfaqur ndjenjën dhe ankthin e epokës së automatizimit ose ndryshe të inteligjencës artificiale. Jemi ne shekullin e XXI dhe patjetër që automatizimi ka filluar dhe është i pranishëm prej kohësh. Më shumë se kurrë tani në kohën e izolimit po i shikojmë efektet e tij. Por, a mund të jetë automatizimi një nga risitë kyçe që do të përshpejtonte rimëkëmbjen tonë ekonomike si dhe të na mbrojë nga pandemitë e ardhshme?

COVID-19, një ngjarje e paparashikueshme dhe e papritur, në fillim me hapa të vegjël dhe pastaj me hapa marramendëse, arriti të kaplonte të gjithë botën. Brenda pak muajve, shkaktoi mijëra të vdekur, rrafshoi ekonominë dhe la të ardhmen e miliona njerëzve të tjerë në harresë. Deri tani numërohen rreth 3’117’880 raste të prekur në të gjithë botën dhe 217’212 të vdekur. Përpos problemit shëndetësor, COVID-19 shkaktoi një krizë ekonomike globale. Për herë të parë në historinë moderne të prodhimit, kërkesa, oferta dhe disponibiliteti i fuqisë punëtore u preken globalisht në të njëjtën kohë. Brenda pak kohësh, ky virus arriti të ndryshonte në mënyrë drastike mënyrën sesi ne punojmë, komunikojmë, dhe perceptojmë të përditshmen tonë. Solli në shoqëri një sërë tendencash sjelljesh të cilat më përpara I bënim shumë rrallë ose aspak. Mësimi online, puna nga shtëpia, komunikimi me video, blerjet dhe shitjet online të të gjitha llojeve të produkteve, kufizimin në orar për realizimin e aktiviteteve personale dhe prodhuese janë disa ndër to. Të gjitha këto sjellje realizohen nëpërmjet mjeteve teknologjike dhe kjo solli atë që sot definohet si “ekonomia e mbyllur”.

Në këtë situatë ankthi dhe paniku pa një fund të qartë, shpesh mendohet se si do të jetë e ardhmja jonë, edhe pse sjelljet jo të njohura dhe të paparamenduara të këtij virusi, e bëjnë akoma më të vështirë të parashikosh me siguri të plotë se çdo të ndodhë. Sa më e gjatë të jetë periudha e përpjekjes për ta mundur këtë virus nëpërmjet izolimit, aq më e paparashikueshme, e panjohur dhe e pasigurtë pretendohet të jetë e ardhmja. Ajo çfarë ne na frikëson është se si do të jetë jeta jonë në vijim, pasi jemi të sigurt që shumë aspekte të shoqërisë tonë nuk do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Jo domosdoshmërisht pas krizave financiare ka lindur nevoja për një automatizim të plotë të punëve dhe kjo pasi rimëkëmbja ekonomike është varësi e faktorëve mikro dhe markoekonomik të tregut. Bizneset kanë arritur që edhe në mundësi të përkeqësuara të punës të punojnë me kapacitet të plotë për të mbuluar humbjet e tyre, por ky nuk është skenari i sotëm. Tani kërkohet që njerëzit të rrinë në shtëpi dhe distancimet sociale të jenë në vëmendje kryesore. Por si pretendohet të marrë veten ekonomia në momentin kur të gjitha aktivitetet prodhuese, ruajtjen e distancave e kanë në nivele pamundësie? Pikërisht nga kjo pyetje, si dhe nga pretendimet që niveli I papunësisë do të rritet në një nivel rekord, dëshmohet se automatizimi I punëve do të vijë më shpejt seç ishte parashikuar. Së pari, shumë tendenca sjelljesh që po zbatohen në këtë periudhë gjatë punës në shtëpi nëpërmjet mjeteve teknologjike, mund të rezultojnë efektive dhe me kosto të ulët për njësinë ekonomike. Mospatja e një date përfundimi të pandemisë sjell nevojën e zëvendësimit të prezencës fizike me atë virtuale. Gjithashtu, rritja e blerjeve dhe shitjeve online gjatë kësaj periudhe ka ulur tensionin ndërmjet blerësit dhe shitësit dhe në të njëjtën kohë po nxit tregun drejt formalizimit të këtij procesi. Në të njëjtën kohë, pandemia mund të ndryshojë kulturën e konsumatorit në kryerjen e transaksioneve të shumta monetare dhe marrjen e këtyre shërbimeve në formatet elektronike.

Rënia ekonomike dhe sociale e shkaktuar nga COVID-19 do të krijojë një ndarje shumë më të thellë midis prodhuesve që sapo kanë filluar të dixhitalizohen dhe atyre që janë më të avancuar në udhëtimin e tyre dixhital. Disa nga punët që janë prekur më shumë gjatë kësaj periudhe, pretendohet të mos jenë më ekzistente pasi tani bizneset, sidomos ato të mëdhatë do të ristrukturojnë operacionet e tyre në mënyrë që të mbështeten më shumë në burime teknologjike sesa njerëzore.

Automatizimi do të jetë një komponent kryesor për përpjekjen për të ringjallur prodhimin vendas. Nëse tendencat e mëparshme të konkurrencës ishin të fokusuara në koston e punës dhe të produktivitetit, tani kjo luftë do të fokusohet në investimet teknologjike pasi përparimet në automatizim dhe robotikë kanë rritur në mënyrë drastike produktivitetin në një numër procesesh prodhuese. Një nga këto investime mund të jetë kryesisht në sektorin e bujqësisë nëpërmjet aparaturave dhe robotëve që jo vetëm mund të përshpejtojnë procesin prodhues, por mund të ulin kostot dhe të rrisin produktivitetin.

Mbetet për të parë sesi kjo pandemi shkatërruese do të ndikojë në planin afatgjatë, por në bazë të supozimeve të përmendura, është e sigurt që përshpejtimi i automatizimit do të ndodhë me hapa galopantë, dhe e gjitha kjo kryesisht për sigurinë e punonjësve dhe konsumatorëve. Nëse para krizës pandemike, World Economic Forum raportonte që” automatizimi në të ardhmen do të krijojë mundësi të reja të mëdha për të përmbushur potencialin dhe aspiratat e njerëzve”, tani më shumë se kurrë ky proces shikohet si një proces mbijetese dhe kalimi të pragut të vështirësisë ekonomike. Momenti më I rëndësishëm do të jetë jo vetëm adaptimi I inteligjencës artificiale në të gjitha sektorët e ekonomisë por në të njëjtën kohë, edhe riedukimi dhe trajnimi i një pjese të fuqisë punëtore ekzistuese. Automatizimi i punëve mund të vijë i komanduar nga ata duke ruajtur në të njëjtën mënyrë normën e punësimit, dhe të mos zëvendësohet totalisht makineria me punonjësin.

Me bindje të plotë mund të themi që ekonomia globale do të përjetojë një recension ekonomik, dhe shpesh është përmendur që pasojat e saj do të jenë më keq se kriza financiare e 2008. Nuk diskutohet për ndërmarrjen e politikave të duhura për rritje ekonomike, por tashmë diskutohet gjerësisht për iniciativat e duhura qeveritare, si fillim drejt mbijetesës dhe pastaj për sjelljen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Historia na mëson se krizat globale krijojnë ndryshime thelbësore që ndikojnë politikat e qeverisë, sjelljen e konsumatorit dhe sektorët industrialë për vitet në vazhdim. Prodhuesit duhet të kuptojnë se cilat pjesë të mjedisit tonë shoqëror, ekonomik dhe politik do të ndryshojnë në vijim të pandemisë COVID-19 dhe të investojnë në përputhje me rrethanat drejt përgatitjes për “normalen” e re.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button