BE i mbyll kufirin Shqipërisë deri në fund të korrikut

Kufijtë e Bashkimit Evropian do të jenë të mbyllura për Shqipërinë të paktën deri në fund të korrikut. Këshilli i BE-së po diskuton sot mbi përditësimin e listës së vendeve me të cilat do të lejohen udhëtimet.

Në takimin në nivel ambasadorësh mësohet se, Shqipëria nuk do të ketë asnjë mundësi që të përfshihet në listën e vendeve të sigurta sa i takon pandemisë së COVID-19, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia për të hequr nga kjo listë Malin e Zi dhe Serbinë, bën të ditur korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri.

Vendimi i parë për hartimin e listës me 15 vende të konsideruara si të sigurta u mor në fund të muajit qershor dhe do të përditësohet me të dhënat më të fundit të vendeve sa i takon ecurisë së pandemisë. Deri tani kësaj liste nuk pritet t’i shtohet asnjë vend i ri.

Në listën aktuale bëjnë pjesë vendet si Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia, Uruguai dhe Kina. Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qenë fakti që të ketë më pak se 16 raste me COVID-19 për 100.000 banorë në dy javët e fundit.

Lista e vendeve me të cilët BE do të ketë të hapur kufijtë do të plotësohet çdo dy javë. Ndaj nëse në vendin tonë do të përmirësohet situata, atëherë unioni mund të hapë kufirin vetëm në fillim të muajit gusht.

Përjashtime do të ketë dhe këtu përfshihen: udhëtimet në BE për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, për diplomatët, punëtorët shëndetësorë dhe disa kategori tjera. Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.

Burimi: Euronews Albania

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close