Biden ka fituar? Në çfarë pike janë zgjedhjet në SHBA


Edhe e enjtja pa fitues në zgjedhjet presidenciale me kandidatin demokrat Joe Biden që i është afruar shumicës së votave të Kolegjit Elektoral dhe Presidentin Trump që po kërkon ndërprerjen e numërimit, ndërsa republikanët po ngrenë padi gjyqësore për parregullsi në numërimin e votave.
Biden kryeson 253 me 214, për 270 votat e Kolegjit Elektoral, që i duhen fituesit. Numërimi vazhdon në katër shtete që do të përcaktojnë fituesin: Xhorxhia dhe Pensilvania në lindje dhe Arizona e Nevada në perëndim.
Trump kryeson në Xhorxhia e Pensilvani, ndërsa Biden në dy të tjerat, por kryesimet janë në shifra të ulta, që i bën këto shtete ende të pavendosura.
Nëse kryesimi i Biden në Arizona (11 vota elektorale) dhe Nevada (6 vota elektorale) mbetet deri në fund, ai do të siguronte 270 votat e duhura elektorale dhe do të bëhej presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara në janar, pavarësisht rezultatit në Pensilvani ose Xhorxhia.
Trump do të duhet të ruajë kryesimin në Pensilvani (20 vota elektorale) dhe Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe të marrë veç tyre Arizonën, ose Nevadën, që të fitojë zgjedhjet.
Rezultati është i ngushtë në të katër shtetet. Në Xhorxhia, zoti Trump kryeson me rreth 14 mijë vota, ndërsa ka edhe 50 mijë fletë-votime ende të panumëruara.
Në Pensilvani, Trump kryeson me 108 mijë vota, por numri i votave të panumëruara është rreth 500 mijë.
Biden kryeson me 12 mijë vota në Nevada dhe me 68 mijë në Arizona. Por ka ende shumë vota pa u numëruar në të dyja shtetet.
Trump ka ende mundësi të fitojë në shtetet ku kryeson rivali Biden, si dhe të fitojë në Xhorxhia dhe Pensilvani.
Biden kryeson në votën popullore 71.8 milionë me 68.1 milionë. Por është Kolegji Elektoral ai që përcakton fituesin dhe jo vota popullore.
Përmes një postimi në Twitter, Trump kërkoi ndërprerjen e numërimit, por nëse shifrat do të ishin këto të tanishmet, Trump do të humbiste, duke u bërë presidenti i tretë, në katër dekadat e fundit, që nuk arrin të rizgjidhet pas mandatit të parë.
Më herët Trump deklaroi se “nëse numërohen votat e ligjshme, unë i fitoj me lehtësi zgjedhjet! Në se numërohen votat e paligjshme dhe votat me vonesë, ata mund t’i vjedhin zgjedhjet!”
Një gjyqtare në Miçigan refuzoi të pranonte një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e Presidentit Donald Trump, që synonte ndalimin e numërimit të votave në këtë shtet “fushëbetejë”.
Mediat kanë parashikues kandidatin demokrat Joe Biden si fitues në Miçigan, një shtet të cilin republikani Trump e fitoi në vitin 2016.
Gjyqtarja e Gjykatës së Ankimimit në Miçigan Cynthia Stephens e mori vendimin gjatë një seance të enjten. Ajo tha se do të publikonte një vendim me shkrim të premten.
Zyrtarët e fushatës së Trump thanë se e kishin ngritur padinë për të ndalur numërimin në Miçigan dhe për të patur qasje më të madhe në procesin e numërimit.
Janë ende dhjetëra mijëra vota që do të numërohen sot dhe do të raportohen nesër, tha komisioneri i zgjedhjeve Joe Gloria. Shumica e votave të dërguara me postë do të numërohen të shtunën dhe të dielën, shtoi Gloria.
Ai shtoi se do të shtohen forca sigurie për të mbrojtur punonjësit që po numërojnë votat dhe tha se kjo nuk do të ndikojë mbi punën e tyre.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close