“Bizneset t’i bashkohen frymës së re globale, për riorganizim të zinxhirit të furnizimit”

Flet Maksim Caslli, Partner në Deloitte, drejtues i praktikës në Shqipëri & Kosovë

“Të varfrit dhe familjet që jetojnë me pagën mujore do të preken më shumë, nëse kriza nga COVID-19 zgjat në kohë dhe thellohet”

Kriza nga COVID-19 ka shtuar rrezikun për mbylljen e shumë bizneseve, ndërsa të tjerë do të ristrukturohen. Maksim Caslli, Drejtues i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën, në një intervistë për “Monitor” rekomandon që pas pandemisë, për të mbijetuar, me ndihmën e qeverisë edhe bizneset në Shqipëri duhet t’i bashkohen frymës së re globale, për riorganizimin e zinxhirit të furnizimit.

Nga pandemia, sektorët më të prekur të ekonomisë për zotin Caslli konsiderohen turizmi, biznesi i retail, ndërtimi, fasonët, prodhimi i naftës, shërbimet dhe sektori bankar. Arsyet pse këta sektorë janë goditur më shumë nga pandemia, sipas tij janë që nga rënia e konsumit të brendshëm dhe kërkesës për mallra luksi, shpenzimet për riparime të shtëpive apo blerje apartamentesh dhe kufizimit të masave në ekonomi. Kriza e COVID-19 do të godasë familjet e varfra dhe pritet të thellojë hendekun mes shtresave, mendon drejtues i “Deloitte” për Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa pandemia pritet të ulë të ardhurat e fuqisë punëtore dhe remitancat.

Cilët janë sektorët apo industritë që do të rendisnit si më të prekurit nga COVID-19?

Sipas mendimit tim, një nga sektorët që do të preket më shumë për shkak të COVID 19, do të jetë turizmi dhe gjithë gama e shërbimeve mbështetëse lidhur me të. E kam fjalën këtu për hotelerinë, baret, restorantet, aktivitetet që kanë të bëjnë me argëtimin në tërësi, agjencitë turistike, kompanitë ajrore për shkak të kufizimeve në transportin ajror ndërkombëtar.

Turistët vendas nuk mund të zëvendësojnë kontributin e turistëve të huaj në ekonomi. Turistët që mund të vijnë nga Kosova dhe Maqedonia përbëjnë vetëm një pjesë të turistëve të huaj që vitet e fundit kanë filluar të vijnë në Shqipëri, duke ulur të ardhurat e pritura në këtë sektor nga turistët e vendeve të Europës Lindore. Turistët vendas nuk shpenzojnë në të njëjta nivele me të huajt.

Një tjetër efekt i pritshëm i COVID-19, sipas mendimit tim, do të jetë dhe ulja e konsumit të brendshëm. Bizneset e lidhura me retail (shitje me pakicë/shumicë), prodhimet për konsum të brendshëm do të marrin goditje.

Pandemia pritet të sjellë pasoja edhe te sektori i ndërtimit veçanërisht te segmenti familjar. Familjet pritet të shpenzojnë më pak, qoftë për investime në banesat në pronësi, qoftë në investime në banesa të reja. Por, nga ana tjetër, për shkak se jemi në një vit elektoral, pritet që investimet në infrastrukturë si dhe investimet prej fondit të rindërtimit, të mund të kenë efekt pozitiv në këtë sektor.

Eksportet lidhur me mallrat jo të domosdoshëm, veçanërisht kur flasim për strukturën e ekonomisë sonë, besoj se do të preken mjaft. Fasoneria, duke qenë se mendohet që do të bjerë kërkesa në botë, sidomos ato që prodhojnë për sektorin e luksit.

Sektori i hidrokarbureve/naftës duket i stabilizuar për momentin krahasuar me dy muaj më parë, por si rezultat i rënies së kërkesës në tregun botëror, mund të ulet çmimi i naftës. Nëse kjo do të ndodhë, ky sektor do të gjendet në vështirësi po të kemi parasysh kostot e larta të nxjerrjes dhe përpunimit të këtij produkti në vendin tonë.

Gjithashtu, shërbimet do të pësojnë goditje, turizmi mjekësor, shërbime të tjera që eksportohen. Gjithë struktura ekonomike në botë do të përballet me sfida të vështira për t’u kapërcyer. Si rrjedhojë edhe ekonomia jonë, sidomos në raport me ata sektorë ku jemi më të lidhur. Energjetika, edhe pse e lidhur ngushtë me çmimin e naftës, për vetë specifikat që ka ky sektor këtu tek ne, nuk besoj të preket.

Sektori bankar i cili ishte i shëndetshëm para COVID 19, mund të ketë vështirësi nga fundi i vitit, me rritjen e kredive të këqija dhe mungesën e kërkesës për kredimarrje. Në ndërkohë, sektori që do të preket më pak, mbetet bujqësia.

Sipas të dhënave të një studimi të Forumit Ekonomik Botëror, rreziku më i madh në 18 muajt në vazhdim në botë do të vijë nga faktorët ekonomikë. Cilat janë pasojat ekonomike për të cilat duhet të ndihemi të shqetësuar në Shqipëri?

Kjo krizë, ndryshe nga krizat e mëparshme, godet shtresën e varfër. Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve do të thellohet. Ashtu edhe hendeku midis shteteve të pasura me ato me ekonomi të dobët. Do të ketë më shumë persona që do të ballafaqohen me vështirësi, si pasojë e efektit zinxhir që do të sjellë kriza, me humbjen e vendeve të punës dhe rënien e konsumit.

Diçka tjetër që lidhet pak me pyetjen tuaj të parë, janë edhe pasojat që sjell mbyllja e kufijve me vendet europiane. Gjithashtu, edhe me vështirësitë e vetë vendeve europiane, ku do të synohet të mbrojnë dhe punësojnë vendasit. Për më tepër, me nismën Equalization of salaries, ku pavarësisht shtetësisë, kompanitë do të kenë detyrimin të trajtojnë financiarisht njëlloj të gjithë punonjësit, bie motivimi për të punësuar punonjës të huaj. Pandemia do ta çojë botën në vështirësi dhe do të rrisë frymën e nacionalizmit.

Të ardhurat që ne marrim nga fuqia punëtore do të bien. Remitancat po ashtu, konsumi i brendshëm e kështu me radhë. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve tona jetojnë me të ardhura minimale, gjë që mund përkeqësohet deri në kushtet e mbijetesës. Ka rrezik të pasohet edhe me shtim të mikrokriminalitetit.

Frika për përhapjen e një vale të dytë në muajin shtator, a do të rrisë pabarazinë sociale në vend?

Patjetër. Siç e përmenda më sipër, të varfrit do të preken më shumë. Nëse kriza zgjat në kohë dhe thellohet, do të sjellë probleme, sidomos në ato familje që jetojnë me pagën mujore. Aspekti pozitiv është fakti se shumica e popullsisë në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera i kanë në pronësi shtëpitë, çfarë do ta bëjë dhimbjen pak më të vogël.

Cilat janë efektet nga kufizimet e mëtejshme të udhëtimeve dhe tregtisë?

Ka efekte negative, por ka edhe efekte pozitive, po të mendojmë se ato para do të shpenzohen brenda vendit.
Për sa i përket tregtisë, ajo që shoh si problematike ka të bëjë me rikrijimin e lidhjeve të reja të tregtisë, pasi mundësia e udhëtimeve do ta bëjë më pak të suksesshme lidhjen e marrëdhënieve të reja të biznesit.

Si do të reflektohet sjellja e konsumatorit në të ardhmen dhe e bizneseve nisur nga ndryshimet globale që po ndodhin pas COVID-19?

Në këtë moment, konsumatori është i trembur nga pasiguria. Asnjë nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë. Sa më tepër shkenca të njohë sjelljen e këtij virusi, sa më parë të fillojë vaksinimi i popullsisë, aq më i qetë bëhet konsumatori dhe aq më shumë shpenzon.

Për sa u përket bizneseve, në të gjithë strukturën botërore do të ketë një riorganizim të zinxhirit të furnizimit, veçanërisht në sektorë strategjikë siç është p.sh., farmaceutika ku varësia ndaj Kinës është në masa të konsiderueshme. Fuqitë e Mëdha ekonomike, si SHBA apo BE, do të synojnë të jenë të pavarura. Pra do të fillojnë të ristrukturojnë zinxhirin e furnizimit. Merret me mend se do të duan të kenë më shume kontroll ndaj një sërë industrish. Ne duhet të jemi në gjendje të kuptojmë në kohë strategjitë e këtyre vendeve dhe të bëhemi pjesë e këtij konfigurimi të ri ekonomik botëror.

Pra nëse kompanitë e këtyre vendeve vendosin se një përqindje të caktuar të prodhimit të produkteve farmaceutike do ta heqin nga Kina dhe do ta sjellin në Europë, ne duhet të jemi në gjendje dhe të bëjmë çdo përpjekje të jemi vendi i përzgjedhur, pse jo duke përshtatur disa biznese në funksion të këtij ndryshimi.

Është e qartë se lëvizje të tilla kanë nevojë për marrëveshje qeveritare strategjike si dhe politika lehtësuese nga shteti. Vetëm nismat individuale të bizneseve nuk do të mjaftonin. Ajo që mendoj është se qeveria duhet t’i japë përparësi Shqipërisë si dhe bizneset të bashkohen në frymën e re globale. Qëndron rreziku që disa biznese të mbyllen dhe disa të tjera do të duhet të ristrukturohen.

Për shkak të situatës të krijuar nga COVID-19, a parashikohet që kompanitë e mëdha, të blejnë kompanitë e vogla që janë në vështirësi financiare?

Po. Natyrisht që do të ndodhë. Nuk është në “instinktet” e bizneseve shqiptare, por është domosdoshmëri. Ndjenja e bashkëpunimit te bizneset është e ulët, tentohet të bëhet çdo gjë vetë. Sektorë të ndryshëm do të kërkojnë konsolidim dhe bashkëpunimi rrit eficencën ekonomike. Nëse jemi pro kapitalizmit, kompanitë duhet të krijojnë kapitale të mëdha, të bashkohen që të ketë mundësi investimi në projekte të mëdha që kërkojnë kapitale të mëdha dhe sjellin avantazhin e ekonomisë së shkallës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button