COVID-19/ Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Pragë kundër masave të qeverisë

Rreth dy mijë tifozë të futbollit dhe hokejit në akull kanë protestuar kundër masave të vendosura nga autoritetet në Pragë për të frenuar koronavirusin.

Protestuesit u përleshën dhunshëm me forcat e sigurisë.

Ata shkelën rregullat për ndalimin e tubimeve të më shumë se 500 personave.

Organizatorët e përfunduan protestën pas rreth një ore, por më pas ato u tensionuan duke përfunduar në përleshje.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit të cilët hodhën në drejtim të policisë fishekzjarre dhe objekte të tjera.

Sipas Agjencisë së Lajmeve Çeke, disa njerëz u lënduan gjatë këtyre përleshjeve, përfshirë edhe zyrtarë të policisë.

Sipas policisë, disa prej protestuesve iu konfiskuan shkopinj gome dhe armë zjarri gjatë kontrolleve që autoritetet e rendit kryen.

Protesta e së dielës në Pragë u iniciua nga klubi i futbollit “Banik Ostrave”, që pretendon se kufizimet e vendosura nga qeveria janë të pakuptimta, dhe janë si rezultat i dështimit të shtetit për t’u përgatitur me valën e dytë të koronavirusit.

Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek tha se organizatorët e protestës nuk do t’i ikin drejtësisë, pasi ata nuk kishin marrë masat e duhura që të respektojnë vendimet e qeverisë, sa i përket masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetet sociale, kryeministri çek, Adrej Babis, u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria, për të luftuar virusin dhe kërkoi nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, nëse është e mundur.

Të hënën, qeveria çeke ndaloi të gjitha ngjarjet sportive për një periudhë dyjavore, me përjashtim të ngjarjeve sportive me karakter ndërkombëtar.

Republika Çeke ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus në javët e fundit.

Më 5 tetor, qeveria çeke rivendosi gjendjen e jashtëzakonshme.

Të shtunën, më 17 tetor, në Çeki u regjistruan 8,700 raste të reja me koronavirus.

Që prej fillimit të pandemisë, Republika Çeke ka regjistruar pothuajse 169,000 raste me koronavirus dhe mbi 1,350 viktima.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close