COVID-19 shkakton rënie të thellë në ekonominë franceze

Ndërprerja më e gjatë se parashikimet e jetës ekonomike e publike bën që ekonomia franceze të shënojë rënie të thellë. Kriza e Koronavirusit pritet gjithashtu ta thellojë borxhin në në një nivel të ri rekord.

Sipas një parashikimi të Ministrit të Financave Le Maire, ekonomia franceze po tkurret më shumë nga sa mendohej më parë, për shkak të krizës së koronavirusit. Produkti i brendshëm bruto pritet të bjerë tetë përqind këtë vit, tha Le Maire. Deri tani, pritej një rënie prej gjashtë përqind.  Ministri francez i Financave e justifikoi rënien më të madhe me faktin se masat e mbylljes zgjatën më shumë sesa ishte parashikuar.

Kriza e Coronas pritet gjithashtu ta thelllojë borxhin në në një nivel të ri rekord, për ekonominë e dytë në Eurozonë, pas Gjermanisë. Deficiti shtetëror pritet të jetë këtë vit nëntë përqind e produktit të brendshëm bruto, tha ministri i buxhetit Gerald Darmanin. “Një deficit të tillë vendi ynë nuk e ka përjetuar kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore,” i tha ai France Info. Deri tani, pritej një borxh prej minus 7.6 përqind.

Kjo në një kohë kur deri në nëntorin e vitit të kaluar, Franca, e cila prej kohësh nuk ka qenë në gjendje të kryejë reforma dhe është ngadalësuar nga greva të vazhdueshme, shihej nga disa se po kthehej në motor të Eurozonës. Për 2019 ekonomia e Francës u rrit me rreth 1.3 përqind. Kjo rritje ishte dy herë më e lartë se e ekonomisë gjermane, e cila u rrit vetëm me 0.6 përqind.

Sipas parashikimit të OECD-së, për vitin 2020 qe parashikuar që produkti i brendshëm bruto i Francës të rritej me 1.2 përqind.

Kompanitë franceze qenë vjet jashtëzakonisht optimiste – pjesërisht falë uljes së taksave dhe tatimeve. Ato i rritën investimet me 0.9 përqind në tremujorin e dytë – pas një rritjeje prej 0.5 përqind në tremujorin e parë. Projektet e investimeve qenë në 2019-ën në nivelin e tyre më të lartë në tre vjet.

Veç kësaj, varësia e pakët e Francës nga eksportet ushtroi një ndikim pozitiv. Në tetor dëshira për të blerë e francezëve ishte në nivelin më të lartë në pothuajse dy vjet. Konsumi është shtysa kryesore e ekonomisë franceze.

Mbrëmë, Presidenti Macron njoftoi një zgjatje edhe për katër javë të kufizimeve të daljes, deri në 11 maj. Që nga mesi i marsit, francezët lejohen të dalin vetëm nga shtëpitë dhe apartamentet e tyre për të shkuar në punë ose te mjeku, për të blerë sende ushqimore ose për të bërë disa sporte vetëm në natyrë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close