Denaj takim online me përfaqësuesit e FMN: Ja cili është programi i qeverisë për periudhën 2021- 2023

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka pritur në takim Yan Sun, udhëheqësen e misionit të FMN në Shqipëri që përfundon pikërisht sot.

Në diskutim e sipër të shumë temave, Denaj foli dhe për ekonominë shqiptare gjatë pandemisë, duke theksuar se pret një rikthim në ritme pozitive në rritje të ekonomisë duke nisur nga 2021 duke supozuar që intensiteti i pandemisë do të vijë në ulje.

Po ashtu FMN rekomandoi që autoritetet t’i rikthehen sa më shpejt politikës fiskale konsoliduese duke u fokusuar tek përmirësimi i sistemit tatimor, mbledhjes së të ardhurave dhe përmirësimet në frontin e shpenzimeve buxhetore.

Por ndërkohë Denaj theksoi se për periudhën 2021-2023 qeveria shqiptare do të vijojë me një politikë buxhetore që ruan një nivel mesatar të investimeve publike në 4.5 përqind të PBB, duke stimuluar formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, thelbësore për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

NJOFTIMI NGA MINISTRIA E FINANCAVE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Denaj, sot zhvilloi takimin (virtual) përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Znj. Yan Sun. Ky mision është në kuadër të mbikqyrjes së rregullt, që FMN bën për vendet të cilat kanë një pozicion krediti (stok të huamarrjes) në FMN mbi nivelin prej 200 përqind të kuotës, që vendi zotëron në FMN.

Ky mision filloi në datë 17 Shtator dhe përfundoi ditën e sotme. Gjatë misionit u diskutuan çështje të rëndësishme të financave publike dhe ekonomisë së vendit.

U diskutua mbi situatën dhe vështirësinë ekonomike që vendi po kalon si rrjedhjojë e dy goditjeve të forta të një pas njëshme që mori, fillimisht nga ajo e tërmetit të 26 Nëntorit, dhe menjëherë pas saj nga pandemia Covid-19. Misioni i FMN dhe Ekipi i MFE ndanë përgjithësish të njëjtën pikëpamje mbi vështirësitë dhe recensionin që pritet të ketë viti 2020 në tërësi, si dhe mbi pritshmëritë për të rimarrë dhe rikthim në ritmet pozitive të rritjes nga viti 2021 e në vijim për afatin e mesëm, me supozimin bazë, se intensiteti i pandemisë do të vijë në ulje.

Të dy palët theksuan rëndësinë që ka dhënia e mbështetjes për shtresat (familjet dhe bizneset) më të prekura nga efektet e goditjeve dhe gjithashtu rëndësinë që ka mënyra e dhënies së kësaj mbështetje. Palët theksuan nevojën për mbështetje të përkohshme, të targetuar mirë, dhe transparente. Qeveria Shqiptare ka adresuar shpërndarjen e mbështetjes gjatë periudhës së parë të pandemisë për bizneset e vogla, bizneset më në nevojë, personat e larguar nga puna gjatë pandemisë dhe qytetarët më vulnerabël (personat në pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike).

Palët ndanë të njëjtat pikëpamje mbi rëndësinë e rikthimit në një kohë sa më të shpejtë drejt konsolidimit fiskal dhe krijmit të hapësirave fiskale. FMN u rekomandoi autoriteteve që t’i rikthehen sa më shpejt një politike fiskale konsoliduese, kryesisht duke u fokusuar tek përmirësimi i sistemit tatimor dhe mbledhjes së të ardhurave, por gjithashtu edhe tek përmirësimet në frontin e shpenzimeve buxhetore. Qeveria Shqiptare do të vijojë me një politikë buxhetore që ruan një nivel mesatar të investimeve publike në 4.5 përqind të PBB në vitet 2021-2023 duke stimuluar formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, thelbësore për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

FMN përgëzoi autoritetet për vendosjen tashmë të një ankore të re në ligjin organik të buxhetit, regullin fiskal që bën të detyrueshëm një balancë primare jo më të vogël se zero duke filluar prej vitit 2023 e në vijim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi pozitivisht angazhimin dhe përpjekjet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, si dhe njëkohësisht vuri theksin për zgjidhjen me instrumenta të përhershëm të kësaj çështjeje. Qeveria Shqiptare në vitin 2019 ka rimbursuar 23.5 miliard lekë TVSH dhe ka arritur një stok 0 për kërksat FIFO në fund të vitit. Përgjatë vitit 2020 janë dhënë gjithashtu 10,1 Miliardë lekë për rimbursimin e TVSH-së, pavarësisht situatës së pandemisë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar mirëpriti gjithashtu përpjekjet e autoriteteve shqiptare në kuadër të luftës kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit përmes ndryshimeve ligjore të vitit 2019 dhe 2020, këto të fundit të lidhura drejtpërdrejt me planin e veprimit të firmosur me FATF pas vendosjes së Shqipërisë në monitorim të shtuar. Rëndësi i vuri përpjekjes për vijimin e punës së strukturave në këtë fushë.

Gjatë Misionit u diskutua gjithashtu gjerësisht mbi risqet e ndryshme që rrethojnë financat publike dhe ndërmarrjen e veprimeve adekuate që do të minimizonin këto risqe. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Denaj, ritheksoi se prioriteti kryesor i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në afatin e mesëm e në vijim mbetet rikthimi qartësisht drejt konsolidimit fiskal,uljes së borxhit publik dhe minimizimit dhe mbajtjes gjithnjë nën mbikqyrje të fortë të risqeve fiskale.

Në vitin 2019, Qeveria Shqiptare miratoi ndryshimet ligjore duke eleminuar mundësinë e propozimeve të pakërkuara me përjashtim të sektorit të energjisë dhe porteve/aeroporteve, duke reduktuar incentivat e propozimeve të pakërkuara dhe duke përmirësuar mënyrën e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve/PPP.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi rolin e shtuar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në mbikëqyrjen e PPP, raportimet periodike e kryera në kuadër të këtij funksioni dhe ftoi autoritetet të vijojnë angazhimin e tyre drejt kufizimit të ofertave të pakërkuara në kuadër të projekteve të Partneritetit Publik Privat.

Palët shprehën falenderimet reciproke për bashkëpunimin e ngushtë, mjaft të dobishëm dhe të vijueshëm midis dy institucioneve.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close