Dhuna ndaj grave, Koordinatori i OKB-së: Duhet përballje me qëndrimet patriarkale në një shoqëri maskiliste

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi në fillim të pandemisë, se dhuna në familje gjatë izolimit për shkak të COVID-19 do të rritej. Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian J. Williams, për rastin e Shqipërisë thotë se, të dhënat specifike vazhdojnë të mungojnë, pasi bërja e një studimi të tillë është diçka shumë delikate.

Pyetjes nëse do të shërbejë si pikë kthese rasti i 15-vjeçares së abuzuar, që solli protesta të shumta, Williams u përgjigj duke thënë se energjia që erdhi nga mobilizimi shoqëror ishte shumë pozitive, dhe se gjithë ata të rinj që morën pjesë në manifestim dolën për të thënë se situata duhet të ndryshojë.

Për Koordinatorin e përhershëm të OKB-së në Shqipëri, duhet përballje me qëndrimet patriarkale në një shoqëri maskiliste dhe për këtë duhet me të vërtetë mobilizim shoqëror, por dhe angazhim nga shteti dhe udhëheqësit politikë.

“Sigurisht, një prej tyre është lidershipi nga udhëheqësit politikë të të gjithë spektrit, si edhe shteti patjetër. Disa mekanizma ekzistojnë. Është një këshill kombëtar për barazinë gjinore, është edhe një këshill kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve. Lipset që këto organizma të mblidhen dhe duhet të punojnë me shoqërinë civile”. thotë Williams.

Një përpjekje e rëndësishme duhet të vijë edhe nga shkollat, sipas Williams, ku nevojiten më shumë psikologë e punonjës socialë, si dhe trajnim i personelit aktual.

“Të gjithë mësuesit kanë nevojë për trajtim, sepse këto janë problematika të sjelljes, apo jo? Secili mësues ka djem e vajza në klasë. Çdo ditë ka mundësi për të përforcuar mjetet për barazinë gjinore, mjetet për të drejtat e vajzave. Por nuk është kollaj t’ua mësosh të tjerëve këtë, kur shoqëria ka norma të ndryshme. Por dihet që kjo kërkon investime, kërkon burime”, thotë Williams.

“Puna është se gjërat nuk rregullohen brenda javës. Por po nuk fillove përpjekjet… duhet të fillojë këtë javë, duhet të fillohet menjëherë. Për shembull, Kryeministri mund t’i mbledhë këto dy Këshilla në nivel shumë të lartë, ndoshta edhe bashkërisht dhe të thotë, “Dëgjoni, duam plan veprimi 6-mujor ose njëvjeçar”. Ka nevojë për vazhdimësi, për ndjekje të problematikave – nuk është diçka që e japin të gjitha edicionet e lajmeve për 48 orë dhe pastaj harrohet”, shtoi Koordinatori i OKB-së në Shqipëri.

Pyetjes nëse bota do të jetë një vend më i mirë apo më i keq pas COVID-19, Brian J. Williams iu përgjigj: “Në fakt, bota do të jetë patjetër më e keqe për shkak të ndikimit të menjëhershëm që ka ndodhur dhe ka pasur një masë të jashtëzakonshme vuajtjesh dhe vdekjesh, që kuptohet që është një tragjedi. Mendoj se është e rëndësishme që, si shoqëri, të mësojmë nga gjithçka që ndodh dhe po kështu na duhet të mësojmë edhe nga kjo.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button