Dorëzohet në Kuvend kërkesa për heqjen e koalicioneve dhe rritjen e pragut, ja 28 deputetët që firmosën, partitë e vogla drejt humnerës

Dështojnë tentativat për të bllokuar nismën e opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës. Pak ditë më parë një grup deputetësh të opozitës parlamentare të udhëhequr nga deputeti Myslim Murrizi kanë dërguar në Kuvend një draft për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Por ditët e fundit ka pasur përpjekje për të sabotuar këtë kërkesë, ku disa nga deputetët firmëtarë kanë hequr firmën dhe disa të tjerë kanë hedhur akuza se nuk kanë pasur dijeni për këtë gjë, duke bërë që futja në shina e kësaj nisme të bëhej e pamundur, për shkak se numri i deputetëve që kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës sipas ligjit kërkon plot 27 të tillë, ndërkohë që disa prej tyre i kanë tërhequr firmat. Mirëpo pavarësisht këtyre manovrave, drafti i opozitës ka hyrë në rrugën e duhur, pasi me ndihmën e deputetëve Lefter Koka, Reme Lala dhe Elena Xhina është arritur numri i firmëtarëve dhe në datën 15 qershor kërkesa me firmat e 28 deputetëve të opozitës që kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita kërkon heqjen e koalicioneve

Kështu në draftin e dërguar në Kuvend, 28 deputetët e opozitës parlamentare kërkojnë ndryshimin e dy neneve të Kushtetutës për të mundësuar garën e kandidatëve për deputet me lista të hapura. Ndërkohë që, pjesë e draftit të siguruar nga gazeta është edhe vendosja e një pragu elektoral prej 5% të votave që partitë të mund të marrin mandate deputetësh. “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.

2. Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet”, thuhet në draft. Po ashtu, në draftin e dërguar në Kuvend, 28 deputetët e opozitës parlamentare kërkojnë edhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. “Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon: “1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet””, thuhet në draft. Por nëse supozojmë se kjo nismë e deputetëve të opozitës parlamentare do të marrë jetë, heqja e koalicioneve para zgjedhore dhe rritja e pragut në 5% është një kambanë alarmim për partitë e vogla, pasi këto ndryshime do t’i çojnë ato drejt humnerës. Kjo pasi gjasat janë të vogla që një parti e vogël të kalojë pragun mbi 5%.

Ja 28 deputetët që firmosën

Por gazeta ka siguruar edhe emrat e 28 deputetëve që kanë firmosën draftin që tanimë ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, mes emrave që kanë firmosur janë deputetët Arlind Çaçani, Nimet Musai, Myslim Murrizi, Klajdi Qama, Ramazan Gjuzi, Eugen Bojaxhi, Edmond Stojku, Krenar Rryçi, Koçi Tahiri, Enada Kapllani, Majlinda Halilaj, Edmond Rrushi, Selami Jenishehri, Halit Valteri, Ervis Meço, Enver Rroshi, Ediola Braha, Ylli Shehu, Arben Elezi, Aurora Mara, Edlira Hyseni, Halil Jakimi, Lefter Koka, Reme Lala, Andi Përmeti, Elena Xhina, Nikolin Staka dhe Vasil Sterjovski. Ndërkohë, në draftin që ka mbërritur në Kuvend deputetët theksojnë se kërkojnë që të ndryshojë Kodi Zgjedhor, i cili sipas tyre do të duhet që të bëjë më pas detajimin e sistemit të propozuar dhe identifikimin e sistemit për sa i takon listave të cilat duhet të jenë të hapura ose pjesërisht të hapura./Sot/ RIGELS SELIMAN

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close