Emigrantët rreth e rrotull botës në kohë pandemie

Erdhën nga Kapshtica ikin nga Qafë-Thana, emigrantët bëjnë ‘udhëtimin e Kolombit’ në kushtet e pandemisë.
Edhe pse të pakët në numur krahasuar me vitet e tjera, emigrantët shqiptarë në Greqi nuk munguan në atdhe për festat e fundvitit. Dogana Kapshticë për shkak të masave anticovid të vendosura nga pala greke pati shumë pak qarkullim njerëzish dhe mjetesh.
Halli I emigrantëve ishte kthimi pranë vendeve të punës pas festave. Në kushtet e mbylljes thuajse të plotë te doganës së Kapshticës, alternativat e kthimit ishin ose nga dogana e Kakavijës ose duke përshkuar një rrugë të gjatë në Maqedoninë e Veriut me hyrje doganën e Qafë-Thanës.
Lëvizjet ndërkufitare të shtuara në doganën e Qafë-Thanës treguan se emigrantët kanë zgjedhur si rrugë kthimi në Greqi atë nëpërmjet Maqedonisë të Veriut.
Sipas të dhënave nga burime zyrtare të policisë rajonale Korçë, rreth 9 mijë persona kanë dalë nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës për datat 1 deri 6 janar.
Policia njoftoi se për datën 6 janar në Kapshticë kanë hyrë 111 shtetas dhe 42 mjete. Ndërsa në Qafë-Thanë, kanë hyrë 1468 shtetas dhe kanë dalë 1529 shtetas.