FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

Merita Isufi, mësuese, themeluese e organizatë “Successful Mothers” nga Britania e Madhe, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, sesi ndikon te fëmijët dy gjuhësia dhe sfidat e familjes shqiptare në emigracion për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe si ka ndikuar teknologjia dhe pandemia globale në sjelljen e fëmijëve. Me Merita Isufin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

Historia ka treguar se popullsia jonë me shekuj ka emigruar nga një vend në tjetrin. Ata moren me vete kulturën dhe gjuhën shqipe, por kryesisht pranuan edhe kulturën e vendeve ku u vendosen po ashtu edhe gjuhën e tyre, pa të cilën do kufizoheshin në maksimum. Prindërit punuan dhe vazhdojnë të punojnë me përkushtim që fëmijët e tyre të kenë mundësitë shkollohen, të kenë kushte sa më të mira në shtëpi dhe të arrijnë të plotësojnë dëshirat dhe ambicjet e tyre. Në të njëjtën kohë dedikuan kohën e tyre për të dërguar fëmijët në shkollat shqipe, ku jo vetëm mësuan të flasin më mirë, të shkruajnë më mirë por edhe të ndihen krenar për kush janë, pa pasur frikë se çfarë të tjerët mendojnë. Sigurisht ka edhe nga ata prindër që jo plotësisht kanë qenë të qartë në përpjekjet e ruajtjes së gjuhës shqipe, dhe kjo si rezultat ka ndikimet e veta në identitetin e atij që nuk e zotëron këtë gjuhë hyjnore. Kjo ndoshta ka ardhur edhe nga orari i gjatë i punës të cilën prindërit janë detyruar të ndjekin për arsye ekonomike, duke ua veshtirësuar kohën e lirë. Gjuha është e lidhur shumë ngushtë me identitetin. Identiteti dhe gjuha janë respekti për veten. Sa më mirë të zoterojmë gjuhën dhe kulturën e vendit nga vijmë, aq më konfident ndihemi edhe në mësimin e gjuhëve të tjera. Kjo na ndihmon të tregojmë interes dhe respekt edhe për kulturat e komuniteteve të tjera. Të qënurit kurioz, të respektueshëm dhe të interesuar për të njohur kulturat e tjera gjithmonë gjeneron një përgjigje pozitive ndaj asaj që ne zotërojmë. Dua të ndaj një experiencë si në nënë vitet e para të emigrimit në Londër. Para 20 viteve mora një ftesë nga mësuesja e klasës së vajzës time, të lexoj një tregim në gjuhën shqipe në shkollën angleze ku vajza ime mësonte. Kur i shpjegova vajzës se do lexoja në gjuhën shqipe, ajo mu përgjigj se aty flitej vetëm Anglisht. Prezantimi i tregimit me të cilin e gjithë klasa ishin të familjarizuar, por këtë herë e dëgjonin në një gjuhë tjetër, jo vetëm ju mësoj të tjerëve që egziston edhe një gjuhë tjetër e bukur dhe një kulturë, por mësoj vajzën time ta shikonte si një gjuhë të veçantë, speciale, dhe me deshirë ta mësonte sa më rrjedhshëm. Këtë e përforcojë dhe mësuesja bashkë me drejtoreshën e shkolles së sajë, të cilat treguan entuziazmin e tyre ndaj gjuhës tonë duke e vlerësuar publikisht pasi i kushtuan orën e mësimit.

Ky është inkurajimi dhe mesazhi që vazhdimisht u është dhënë të gjithë prindërve nga profesionistët e shkollave angleze dhe sigurisht atyre shqiptare këtu në Angli, sepse është e rëndësishme që me fëmijët të flisnin gjuhën e nënës e cila është edhe gjuha e parë.

Pranimi i identitetit brënda nesh na jep forcë të brëndshme dhe confidencë të perballemi me të tjerët. Gjithashtu kam punuar për shumë vite në shkollat angleze si edukatore dhe si mësuese në shkollat shqipe në Londër dhe e them me konfidencë se fëmijët që kishin praktikuar gjuhën me prindërit në shtëpi, jo vetëm e kishin më të lehtë, por ishin më të interesuar për ta mësuar edhe më mirë atë. Prandaj nënat dhe baballarët, duhet të fillojnë të ju lexojnë rregullisht fëmijëve që nga mosha 6-muajshe libra me përralla në gjuhën shqipe të shoqëruara me figurë, për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë fjalën sepse fjala rigjeneron gjuhën. Prindërit e kanë detyrë të bashkëpunojnë me shkollat, sepse krijimi i një raporti të mirë mes mëuesve dhe prindërve është sigurues për fëmijët. Ky është kontributi kryesor në ruajtjen e identitetit kombëtar sepse gjuha është thelbi i kombit.

TEKNOLOGJIA DHE PANDEMIA GLOBALE SI KANË NDIKUAR NË SJELLJEN E FËMIJËVE

Sikurse e dimë përdorimi i internetit është dyfishuar në vitin e fundit në pjesët më të mëdha të globit. Kjo erdhi edhe nga arsyeja se fëmijët duhet të studjonin online – shkaku pandemia. Kjo ka ndikuar në rritjen e rrezikut të ngacmimeve online. Corona virus ka krijuar një stuhi të përshtatshme përmashtruesit online për të joshur fëmijët që janë të vetmuar, të dëshpëruar dhe që medoemos kërkojnë vlerësim nga të tjerët. Prandaj bisedat e hapura me fëmijët janë masa më e rëndësishme e sigurisë. Fëmijët kanë nevojë për garancinë e prindërve dhe se të jenë të bindur që ata mund të flasin me ta në çdo kohë, për çfarë po përjetojnë në jetën e tyre online dhe me kë bisedojnë. Fëmijët duhet këshilluar që të mbajnë informacionet e tyre private online, sidomos nga të panjohurit. Duhet të jemi të vemendshëm, pasi fëmijët e ndikuar negativisht nga koha e shpenzuar në internet janë të tërhequr nga aktivitetet familjare, të merzitur, të fshehtë ose të dëshpëruar. Të gjitha këto mund të kenë lidhje nga të qenurit gjatë online, prandaj ne si prindër duhet të jemi të vemendshem per këtë dukuri, duke qenë të vetëdijshëm për masat e sigurisë si nga ana teknike, po ashtu edhe nga vënia re në kohën e duhur të ndryshimit të sjelljeve të fëmijëve. Kur negocjojmë me fëmijët për kohën në mediat sociale duhet të diskutojmë në atë mënyrë që të mos bëhet situatë konflikti midis nesh, por të krijohet një hapsirë për lidhje më të afërt mes nesh. Pra ne si prindër duhet të kemi kufijtë shëndetshëm me mediat sociale, atëherë guxojmë të përballemi me fëmijët që edhe ata të përdorin kohën online duke pasur efekt pozitiv dhe duke reduktuar situatat e rrezikshme.

ÇFARË DO TË THOTË PRINDËRIM POZITIV, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM

Prindërimi pozitiv është një qasje ndaj prindërve që synojnë të promovojnë zhvillimin e fëmijëve dhe të menaxhojnë sjelljen e tyre në mënyrë konstruktive dhe jo të dëmshme. Është bazuar në komunikim të mirë dhe vemendje pozitive si mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët (fokus adoleshentet) që të zhvillojnë aftësitë që ju nevojiten për tu rritur me besim të fortë në veten e tyre. Sfida për prindërit është të mundësojnë ambjentet e shtëpisë me atmosferë të përshtatshme që udhëzon dhe ndihmon fëmijët ndërsa përpiqen të bëhen të rinj të pavarur dhe të stabilizuar. Si prindër ne rregullisht duhet të reflektojmë në stilin e prindërimit. Hulumtimet sygjerojnë rëndësinë e mjedisit të sigurt familjar si bazë themelore që ndikon direkt në mirëqëniën e fëmijës dhe sjelljen pozitive. Kur prindërit komunikojnë mirë me fëmijët ata së bashku mund ta përqafojnë dhe ta shijojnë sfidën e emigrimit, apo çdo sfidë tjetër gjatë rrugës së jetës. Familja shqiptare ka dhënë dhe vazhdon të japë ndihmesë shumë të madhe në edukimin e brezave të rinj në çdo vend të botës ku ata ndodhen. Fakti që populli ynë trashëgon vlera të mëdha materiale dhe artistike dëshmone dhe edukatën familjare që kanë përcjellur te brezat e rinj ndër shekuj edhe pse të shprendarë anëmbanë botës. Shoqëria jonë ka pësuar transformime të vazhdueshme dhe ndryshime të shpejta, të cilat kanë berë të ndryshohet mënyra e punës, arsimit, kujdesit si dhe organizimit të jetës së përditshme familjare. Duke i marr të gjitha këto parasysh, me bindje them se familjet shqiptare janë përshtatur mirë në vendet ku jetojnë dhe gjithnjë janë përpjekur të edukojnë brezat e rinj të rriten të ndershëm, të respektojnë të rriturit, të arsimohen, të duan punën dhe ta ushtrojnë atë. Mund të them se akoma ka mosbarazi midis djemve dhe vajzave që vazhdon të përcillet si traditë por kjo është diçka që kërkon vemendje nga të gjithë ne dhe gradualisht së bashku të ndërgjegjësohemi për ndryshim. Kemi edhe konfliktin mes brezave që ka egzistuar që nga lashtësia dhe do jetë i pranishëm edhe në të ardhmen. Këtu duhet një kombinim pozitiv i dypalëve, duke marrë përvojat e brezit të vjetër dhe vrullin, guximin dhe energjinë e brezit të ri për të krijuar një të ardhme të këndshme për gjeneratat e reja. Balancimi i raporteve mes brezave dhe emancipimi në emigrim janë sfidat me të cilat shpesh përballen familjet shqiptare.

ÇFARË ËSHTË PLATFORMA SOCIALE ‘SUCCESSFUL MOTHERS’

“Successful Mothers” është një organizatë e cila ju ofron nënave një hapsirë të sigurtë ku ato kuptohen, vlersohen dhe respektohen duke ju vënë në pah kontributin, aftësitë dhe potencialin e tyre pa i gjykuar. Kjo organizatë inspiron nënat të jenë version më i mire i vetes së tyre jo vetem si nëna, por gjithashtu si gra, si shoqe, dhe si qytetare të këtij globi. Tre vite më parë e kam krijuar këtë organizatë dhe tani me krenari them se ne po zgjerojmë partneritetin globalisht me individ profesional dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Bashkëpunimi me ekspert, Universitete dhe organizata të tjera po na udhëheq në formëzimin pozitiv të së ardhmes sonë. Filozofia që ndjekim është të ndihmojmë njëri-tjetrin duke udhëhequr pozitivisht ndryshimet me të cilat përballemi në shoqëri. ‘Successful Mothers’ është një dritare e shpresës dhe e inkurajimit për çdo shtresë të shoqërisë. Ne besojmë në krijimin e atmosferës pozitive ku pjesëmarrësit respektohen dhe vlersohen duke u dëgjuar me kujdes për tu kuptuar. Nënat kanë aftësi të tregojnë empati pa gjykime dhe vetëm kështu hedhet dritë në shqetësimet individuale, të cilat po nuk u trajtuan bëhen probleme në shoqëri. Vetem në këtë menyrë jepet mundësi në formimin e suksesit tek çdo njeri që hyn në këtë mjedis. Ne si nëna jemi ato që besojmë dhe masivisht kontribojmë për një botë më të mirë, prandaj duam që zëri jonë të dëgjohet, jo duke bërë zhurmë, por duke i trajtuar shqetësimet dhe problemet nga rrënjet. Një nga parimet thelbësore të ‘Successful Mothers’ është të sigurojmë që të rinjëve u është dhënë zëri në të gjitha fushat e jetës, pasi nënat janë të parat në edukimin dhe zhvillimin e gjeneratës së ardhshme. Pikërisht për të arritur këtë ne organizojmë workshope, seminare dhe evente të ndryshme ku njëkohësisht përfshijmë edhe baballarët dhe në disa nga këto edhe vetë fëmijët, sepse së bashku arrijmë sukses. Eventet me adoleshentet kanë qenë motivuese dhe kanë lënë mbresa në jeten e tyre, prandaj këto do vazhdojnë sapo situata të normalizohet. Në vitin e fundit aktivitetet tona në përgjithësi janë zhvilluar online pasi po kalojmë një kohë pandemie. Ne përmes këtyre uorkshopeve ‘Successful Mothers’ flet drejtperdrejt jo vetëm me nënat, por me të gjithë familjarët, për shembujt model, konfidencen dhe ambicjet. Gjithashtu ndihmojmë komunitetin të kuptojnë më mirë problemet dhe shqetësimet, dhe të kuptojmë se si të ndergjegjësohemi ndaj fenomeneve negative me të cilat përballemi pikërisht në situatat e emergjencës. Angazhimi i fortë për të eksploruar, shpjeguar dhe korrigjuar problemet sociale është rruga që ndjekim në çështjet e përmirësimit shoqëror. Problemet Sociale janë faktori kryesor që ndikojnë dhe dëmtojnë shoqërinë, prandaj synimi jonë është të ju japim një vëmendje të veçantë. Duke kërkuar mundësitë krijojmë forcë përmes vështërsive, e bëjmë të mundur udhëzimin pozitiv në ndryshimet sociale. Udhëtimi jonë filloi me biseda duke ndarë ekperiencat tona dhe përballjen me sfidat të cilat na fuqizuan më shumë drejtë suksesit.

WORKSHOPE, SEMINARE DHE EVENTE NË NDIHMË TË KOMUNITETIT

Disa nga workshopet janë Prindërimi Pozitiv, Komunikimi me Adoloshentët, Zhvillimi i Përformancës Personale, Këshilla Financiare. Gjithashtu po theksoj workshopin e parë- Konfidencë skills (Aftësi besimi), kemi filluar aktivitetin tonë me këtë ëorkshop të rëndësishem me qëllim që të kemi një kuptim të qartë se si të zotërojmë konfidencën në jetën personale dhe profesionale. Pa konfidencë jeta jonë personale dhe profesionale do të vuajë. Konfidenca fillon nga besimi tek vetja. Kjo është pika që duhet dhënë shumë rëndësi pasi ka një peshë vërtetë të madhe. Nëse ne nuk do besojmë në veten tonë, atëherë do jetë shumë e veshtirë për të tjerët të besojnë tek ne. Ky është një ndër workshopet që duhet përsëritur rregullisht pasi ka impakt shumë të madh tek secili nga ne. Dua të ndalem pak më gjatë edhe tek workshopi i fundit që kemi bërë online – Understanding Online Grooming (Të kuptojmë mashtrimet online). Qellimi i këtij workshopi është që prindërit të vetëdijësohen dhe të informohen me të dhënat e fundit të rrezikut që cenohet online gjatë përdorimit të përditshëm. Paisja me informacionet e duhura, në bazë të hulumtimeve dhe të dhënave të fundit shkencore, ndikon pozitivisht në komunitet, pasi i ndërgjegjëson familjaret të marrin masat e duhura për tu bërë pritë rreziqeve të mundshme. Fokusi është veçanarisht në sigurinë e fëmijes në internet, duke theksuar rrezikun e mediave dixhitale pikërisht në këtë kohë të jashtëzakonshme të pandemisë ku përdorimi i internetit u rrit 50% në pjeset më të mëdha të botës. Ka boshllëqe të konsiderueshme në kuptimin tonë në lidhje me teknologjinë dixhitale dhe se si ndikon në mundësitë, rreziqet dhe mirëqënien në të gjithë globin. Zëri i prindërve dhe fëmijëve duhet dëgjuar se si ata po balancojnë përfitimet dhe rreziqet me të cilat përballen ndërkohë që zhvillojnë shkathtësitë dixhitale. Marrja e njohurive në kuptimin e diferencës mes gabimit dhe të drejtes, po ashtu dhe edukimi na ndihmojnë të jemi antraktiv të shoqërise, duke marrë pjesë në ndryshimet dhe zhvillimet e vazhdueshme. Me ëorkshopet ne kemi si qëllim të ndihmojmë fëmijët dhe prindërit të ndërtojnë mendime dhe të kenë pikpamjet/opinionet e tyre në fushat e ndryshme të jetës. Në këtë mënyrë ndihmojmë komunitetin të kuptojnë shqetësimet me të cilat përballemi dhe sëbashku të krijojmë një komunitet më të sigurtë dhe paqësor. Evente speciale vjetore organizohen edhe përfesten e nënës, po ashtu edhe takimet mujore me nënat ose ndryshe këto takime i quajmë – ‘Çaji i mbasdites’ të cilat kanë dhënë impakt kaq pozitiv në komunitet. Për shkak të COVID-19 shumë aktivitete kanë kaluar online derisa situata të normalizohet.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close