Flet një nga ish-truprojat e Tahirit: Po punoj në ndërtim, s’kam lidhje me drogën, por…

Agustin Deda, një nga ish-truprojat e ish-ministrit Saimir Tahiri, emri i të cilit doli në operacionin e zhvilluar sot me kodin ‘Shpirti”, ka mohuar të ketë lidhje me drogën. Disa orë pasi u pre fletë-arresti në emrin e tij, në një intervistë për Balkanweb, Deda që njihet dhe me emrin Paul është shprehur se si ndodhet jashtë shtetit ku po punon në ndërtim për të siguruar para për familjen e tij, pasi siç shprehet, është edhe baba i një djali.

Akuzat që ka trafikuar hashash në bashkëpunim me Eltjon Bregun, Deda i mohon totalisht dhe shton se personi në fjalë është një mashtrues që ka përfituar nga emrat e shumë personave. Deda tregon më tej se ka punuar për tre vite rresht me Tahirin dhe se është shkatërruar komplet kur ish-ministri është akuzuar gjithashtu. Ai shton se pas këtyre akuzave ka vendosur të tërhiqet e të shkojë jashtë vendit, për të punuar. Gjithsesi, i akuzuari shprehet se do të vijë në Shqipëri për të sqaruar pozicionin e tij.

INTERVISTA:
Sa vite keni punuar me Saimir Tahirin?
Agustin Deda: Kam qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit për 3 vite e gjysmë, bashkë me Hekuran Markun, të cilin e kam mik.
A e njihni shtetasin Eltjon Bregu, për të cilin SPAK thotë se ju keni bashkëpunuar për trafikimin e mbi 1 mijë kg hashash?
Agustin Deda: Eltjon Bregun e njoh si mashtruesin më të madh në Shqipëri, i cili ka përfituar jo vetëm në emrin tim, por edhe të shumë personave të tjerë. Kemi punuar me të në Kombinat. Unë nuk kam e shok dhe nuk kam pasur lidhje direkte me të, por di që më herët ka qenë në burg.
Po me shtetasit Ferhat Ajdini dhe Seferi a keni pasur njohje dhe kontakte, pasi ato janë dy skafistët që kanë dëshmuar kundër jush?
Agustin Deda: Nuk i njoh dhe as nuk e kam idenë kush janë ata. Ju takon atyre të sqarojnë pozicionin tim dhe të vërtetën. Nuk kam bërë asgjë dhe nuk jam përfshirë në aktivitet kriminal. U tërhoqa nga puna, për shkak të sulmeve që nisën ndaj meje. Unë jam demoralizuar edhe kur u akuzua Tahiri, u shkatërrova. Jam duke punuar në ndërtim jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen time, pasi jam baba i një djali.
Si i cilësoni akuzat?
Agustin Deda: Janë akuza të pabaza. Jam i pastër dhe nuk kam bashkëpunuar kurrë me askënd për të trafikuar drogë. Na bënë neve më të fortë se Edi Rama dhe këto janë sulmet për të rënduar pozitën e Saimir Tahirit. Duke përmendur emrat tonë, po shmangin vëmendjen nga zyrtarë policie apo persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

A do t’i dorëzoheni drejtësisë?
Agustin Deda: Do të dorëzohem të sqaroj pozicionin tim, sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam frikë nga askush. Dua të jetoj i lirë në Shqipëri, ku kam kontribuar.
Agustin Deda është vetëm një nga 38 emrat për të cilët u prenë fletë-arrestet në kuadër të operacionit “Shpirti” dhe akuzohen për trafik të narkotikëve. Deda u akuzua bashkë me ish-kolegun Hekuran Marku, i cili ka qenë gjithashtu truproja e ish-ministrit Tahiri.
Si u zhvillua operacioni “Shpirti”?
Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës. Janë 38 urdhër-arreste të prera, 10 prej tyre të prera më herët në operacionin “Kulmi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button