Historik/Pazari I vjetër I Korçës me hanet e tij, nga afro 16 dikur vetëm 4 egzistojnë.

Lagja e Pazarit kishte disa rrugë kryesore dhe disa sheshe. Rruga kryesore që vinte nga qyteti e që ishte më e gjerë nga të tjerat, të çonte në qendër të pazarit. Nga krahu i djathtë i kësaj rruge dhe rreth e rrotull tregut ishin vendosur shumë hane.

Hanet kishin një sipërfaqe të madhe në brendësi të tyre. Në këtë sipërfaqe kishte plevica, depo bari të thatë, haure për kafshët si dhe një obor të madh.
Portat e haureve ishin të mëdha, të larta e të gjera me dy kanata, që zakonisht i mbanin të hapura, ku viheshin zinxhirë në vijë paralele për të zënë kalimin, për të kontrolluar kalimin e për lehtësi të hapjes e të mbylljes së kalimit në vend të kanatave të portës, sepse hani nuk rrinte kurrë i mbyllur. Për këtë arsye ka mbetur edhe një shprehje e popullit: ” Ç’ u bë këtu, han?” me kuptimin se nuk duhet të hysh e të dalësh kur të duash.

Nga ana e rrugës, nga hyrja, hanet ishin me dy kate. Dhomat e sipërme përdoreshin për fjetje, për udhëtarët, sigurisht për ata që kishin mundësi të paguanin më shumë, se ishin më të shtrenjta. Fshatarët, përgjithësisht, rrinin e flinin në dhomat poshtë, në katin përdhe, në rrogozë, pa shtretër e pa mbulesa sepse ishte më lirë. Secili fshatar flinte me gunën e tij, ose edhe me ndonjë mbulesë tjetër që e merrte me vete dhe e mbante mbi kalin apo gomarin e tij.

Brenda në ambientet e hanit kishte edhe pijetore e kafene ku servireshe, sipas kërkesës, edhe ndonjë send ushqimor i zakonshëm. Pra, këto ambiente luanin rolin edhe të restorantit, por fshatarët, në përgjithësi, e merrnin në torbat e tyre ushqimin që do të hanin.

Në ambientet e hanit kishte edhe plevica me bar që shërbente si ushqim për kafshët. Barin e shiste hanxhiu me okë e killë, kishte edhe tagji, tërshërë, elb etj. kafshët lidheshin në një stallë të madhe. Në grazhd atyre u shtinin për të ngrënë, ose nga ushqimi që kishin sjellë me vete, ose atë që e blinin nga hanxhiu.

Hanet ishin edhe grumbulluesit e plehut të kafshëve, e kështu hanxhiu kishte edhe një fitim tjetër nga plehu që ua shiste atyre që kishin nevojë për pleh, bostanxhinjve të qytetit e të fshatrave afër.

Në hane vinin edhe fshatarët e fshatrave që ndodheshin rreth e rrotull Korçës, por këta qëndronin në han vetëm për një kohë të shkurtër. Ata largoheshin brenda ditës pasi mbaronin punën në qytet, ndërsa fshatarët e fshatrave të largëta rrinin edhe më shumë, një ditë e një natë me kafshët e tyre.

Më tepër myshterinj të haneve ishin ata që punonin e vinin me karvane nga qytetet e tjera të largëta, sidomos nga Elbasani, Manastiri, Follorina, Janina e tj.
Kur u hapën rrugët që lidhnin qytetet me njëri-tjetrin, kur u zgjeruan e u përmirësuan rrugët, filluan të punojnë edhe qerret, taliket apo llandonat me kuaj për udhëtarët. Edhe qerret e llandonat qëndronin në hanet dhe, disa herë, edhe për një kohë më të gjatë. Kështu që hanet ishin kthyer tani edhe si agjenci mallrash e njerëzish, por edhe si hotele, restorante e pijetore.

Pazari I Korçës ka patur rreth 16 hane, nga të cilët aktualisht egzistojnë ende Hani I Elbasanit, Hani I Manastirit, Hani I Gjelit dhe Hani me dy porta.

Sqarim: Materiali me autor Gjergji Gusho I shkëputur nga një cikël shkrimesh mbi Pazarin e vjetër të Korçës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button