I akuzoi për fshehje të viktimave, Basha bën kthesë 360 gradë: Mjekët tanë janë të mrekullueshëm

Lulzim Basha është shfaqur me qëndrime të reja ndaj mjekëve të spitaleve Covid, pak ditë pasi drejtoi gishtin ndaj tyre. Madje ishin këta të fundit që iu përgjigjën kreut të PD publikisht se ishin tronditur nga deklarata për fshehje të numrit të viktimave.

Por mbrëmjen e sotme Basha ka vijuar të distancohet nga sulmet e veta. Madje edhe nga shpërndarja e fotove të morgut nga selia blu. Përmes Facebook, ai deklaron se vdekjet po i fsheh Rama, duke “harruar” se të dhënat e përditësuara vijnë nga ISHP dhe spitalet. Apo se kartelat e vdekjeve të pacientëve i firmosin mjekët.

Nga ana tjetër Lulzim Basha habit jo pak me postimin e tij kur shprehet se në 7 vite qeveria e rrënoi shëndetësinë. (A thua se qeverisja e PD i la spitalet me 100 respiratorë dhe pasardhësit në detyrë i thyen gjysmat e tyre).

Ja çfarë deklaron kryetari i PD të martën në mbrëmje:

U takova sot me një grup nga mjekët tanë të mrekullueshëm. Ata janë në vijën e parë të luftës me COVID. I përgëzova për përpjekjen e tyre për të shpëtuar jetë. Mjekët tanë përballen heroikisht në këtë betejë, edhe pse nuk marrin thuajse asnjë ndihmë nga qeveria.

Ata më përshkruan një realitet shumë shqetësues. Sot, një numër rekord vdekjesh janë regjistruar në Shqipëri që nga marsi. Fatkeqësisht, numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq.

Shqipëria hyri në krizën e COVID në një situatë të vështirë, pas 7 vitesh përgjatë të cilave Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin tonë shëndetësor.

Qytetarët e Shqipërisë janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit dhe kujdeset për ta. Është në dorën tonë ta bëjmë realitet këtë.

/JavaNews/ A. Rada

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com