“I kërkuan të fliste diçka për Kosovën, por…”/ Relacioni sekret për Nënë Terezën dhe çfarë thuhet në letrën që i dërgoi Ramiz Alia

Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.
Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme,  penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirsja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.
Por kërkesat e saj, për dy dekada  (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Raport-informacioni i Jorgo Melicës dhe tre personave të tjerë që shoqëruan Nënë Terezën gjatë vizitës në Shqipëri, lidhur me biografitë e shoqërueseve të saj dhe bisedat që ato zhvilluan në mes tyre
Marie Gareti (Jona Kerhataj)
Marie Goreti është nga Prizreni, 23 vjeç dhe punon si motër (murgeshë) në një nga shtëpitë e hapura nga Nënë Tereza në Pejë të Jugosllavisë. Është futur në urdhër qysh në vitin 1981. Në misionin e Nënë Terezës është tërhequr nga motra e saj më e madhe, po murgeshë e cila punon në një nga shtëpitë e Nënë Terezës, në Washington. Një javë para se të vinte në Shqipëri kishte qenë në Jugosllavi dhe tani do të kthehej përsëri atje.
Gjatë gjithë qëndrimit këtu u tregua e rezervuar dhe nuk jepte asnjë përshtypje të saj, madje edhe kur i’u kërkua nga shoqja Nexhmije dhe shoku Reis t’u fliste diçka për Kosovën.
Që ditën e parë dha adresat e pesë ish – murgeshave, duke thënë se kërkonte t’i takonte Nëna, megjithë se kjo e fundit nuk e përmendi asnjëherë një kërkesë të tillë. Siç doli, kërkesa ka qenë e Marie Goretit nga Peja, e cila ka patur porosi nga “njerëzit e tyre” që t’i takonte.
Nga këto të pesta u gjykua të vinin dy prej tyre, një nga Shkodra dhe një nga Elbasani. U takuan të tria, Nënë Tereza i pyeti për jetën, për familjet që kanë, etj. Kanë qëndruar së bashku gjysëm ore. Age Kadhimi nga Elbasan i tregoi Nënë Terezës një fotografi ku kishte dalë edhe një murgeshë, të cilën Nëna e dalloi menjëherë cila ishte. Agia i tha: “Pse nuk ma solle Marien këtu. Të ma përqafosh e t’i thuash se tek ato e kemi zemrën. Kam kërkuar të vete tek ata në Jugosllavi dhe pres të më dalin kartat”.
Nga sa del, kjo e ka tezen në Jugosllavi, Titograd dhe mbesën në Itali, në një nga seminaret që drejton Nënë Tereza. Për këtë ka qenë e interesuar Marie Goreti, e cila nuk mungoi ta shprehte gëzimin që mundi të realizojë njërën nga detyrat e saj. Në çastin kur u largua Age Kodheli, ajo i dha një letër Nënë Terezës, ndërsa gruaja nga Shkodra foli shumë pak: “Jam mirë, i kemi të gjitha”. I dhuroi librin “Veshjet popullore shqiptare”.
Nëna e ka pyetur sa larg ndodhet Shkodra. Në kohën kur gruaja nga Shkodra po largohej, e ka shoqëruar Marie Goreti, e cila ka folur diçka me të. Më vonë shtoi se ka tezen në Shqipëri, por nuk i’a di adresën. Para se të largohej në aeroport ajo u shpreh: “Më vjen keq që po largohem, sepse i’a kaluam shumë mirë, U kënaqëm shumë. Ju u treguat shumë të mirë me në. Edhe Nëna u kënaq shumë. Ka ndejt këtu më shumë së në çdo vend tjetër të botës”.
Xhenet Petri
Ka lindur në Kanada dhe prindërit vazhdon t’i ketë atje. Ka tetë vjet që punon në New York si regjisore filmi dhe së bashku me të motrën më të madhe drejtojnë firmën “Petrie Productions”. Ka tetë vjet që është lidhur me Nënë Terezën, nëpërmjet të vëllait, prift misionar në Indi. Ai i’u propozoi të bënin një film për këtë grua të madhe. Në fillim Xhenet pranoi të punonte për filmin vetëm një vit, por kur e njohu Nënë Terezën nga afër, atëherë u lidh shumë me të.
Siç pohon ajo: “Tani u bënë tetë vjet dhe e kam të vështirë të ndahem prej saj”. E shoqëron në të gjitha udhëtimet dhe takimet më të rëndësishme. Në fillim u tregua e rezervuar, por këmbëngulëse në kërkesat për programin e Nënë Terezës. Kështu, në emër të Nënë Terezës, ajo këmbënguli që kjo e fundit, për shkak të moshës dhe të sëmundjes nuk bën dot udhëtime të gjata, prandaj edhe u ndërrua programi për në Korçë dhe u vendos që të qëndrojë vetëm në Tiranë. Program i ri u pranua plotësisht. Aparatin fotografik dhe atë të inçizimit ditët e para i mbante të fshehura, vetëm ditën e fundit e nxorri publikisht dhe i përdori. Sa vumë re, ndikonte në kërkesat e Nënë Terezës dhe ajo e dëgjonte. Ishte si shefe e protokollit të saj.
Qëllimi i saj ishte të realizonte shfaqjen e filmit dhe nuk kishte asnjë interes tjetër për Shqipërinë. Edhe kur i’u propozua të dilte nga vila për të bërë shëtitjen për të parë Tiranën, ajo nuk pranoi. Apartin fotografik e përdori vetëm kur po merrnin Nënë Terezën në intervistë dhe ditën e largimit në aeroport për t’i bërë fotografi Nënë Terezës me Marie Krajën dhe të bijën. Megjithë atë përshtypjen e saj për Shqipërinë qenë mjaft pozitive. Kështu ajo tha: “Vend i pastër, i bukur, i qetë, i gjelbëruar, ushqimi shumë i mirë, mikpritja po ashtu. Pashë njerëz energjik e të qeshur. Na u plotësuan të gjitha kërkesat me një shpejtësi të habitshme”.
Emisionet e televizionit për Nënë Terezën i pëlqeu shumë, por u shqetësua jashtë mase kur pa se televizioni kishte përdorur sekuenca të filmit të saj, pa i marrë leje. U shpreh se ishin shkelur rregullat ndërkombëtare. Megjithatë për të evituar keqkuptimet u shpreh se “jam e lumtur t’ia dhuroj filmin tim atdheut të Nënës”. Por kështu reagoi edhe gjatë shfaqes së filmit në Sallën e Kongreseve për shuarjen e zërit në moment. Kur iu tha zyrtarisht regjisores së filmit “Nënë Tereza”, se në film jepej një e dhënë jo e vërtetë për Shqipërinë, ajo u përgjigj “Nuk kam dashur asnjëherë të fyej njeri, apo të shpreh ndonjë qëndrim politik në filmin tim. Qëndrim i shprehur nuk është yni, por një pjesë e intervistës së mbesës së Nënë Terezës, vajzës së të vëllait të saj, Lazër”.
Pasi verifikoi atë pjesë të tekstit, ku në faqen 13, ndër të tjera, thuhet: “…Nënë Tereza asnjëherë nuk mundi t’i shihte nënën dhe motrën përsëri… Ato nuk mund të dilnin nga Shqipëria. Ushtarakët shqiptar nuk deshën t’i lejonin që ato të shkonin jashtë. Të dyja vdiqën të vetmuara…”, ajo shprehu gadishmërinë për të bërë ndryshim. Edhe në liçencën e filmit, të cilin i’a dhuroi Televizionit, bëri një klauzolë shtesë, ku thuhet: “Petrie productions” dhe Televizioni shqiptar, ranë dakord që të bëhet një ndryshim në skenarin e filmit. Këtë ndryshim do ta bëjë “Patrie Productions”. Liçencën e filmit e nënshkroi edhe Nënë Tereza
Dhuratat
Vlerësuan së tepërmi dhurata që i’u bënë. Shqiponjën Nënë Tereza e mbajti të mbështjellë në dorë dhe ua shpreh se do të vendoset pranë çmimit “Nobel”. Një nga qilimat, të voglin, tha se do t’ia bënte dhuratë Papës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button