Ilir Meta “tradhton” Berishën dhe kthen sytë nga mazhoranca, tërheq akuzat ndaj Ramës për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi

Ilir Meta duket se ka filluar të distancohet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe të qetësojë ujërat me mazhorancën. Miratimi i kreut të KLSH ishte sinjali i parë i qetësisë në raportet Rama-Meta, ndërsa dje zërat janë shtuar akoma dhe më shumë.

Meta dhe Berisha prej më shumë se një viti nisën një luftë të fortë me amerikanët duke dalë në “mbrojtje” të kufijve të Kosovës dhe akuzonin Ramën se ishin ai me Thaçin ideatorë të ndryshimit të kufijve. Madje, Meta deklaroi se Rama ka lidhje me lobin serb në një intervistë. Mirëpo 2-3 javët e fundit situata duket se ka ndryshuar tërësisht dhe presidenti është tërhequr nga çdo sulm e kritikë ndaj Ramës, duke shtuar sinjalet e pazareve.

Sa herë që ka qetësi dihet se diçka po gatuhet në prapaskenë dhe ajo që dominon është aroma e pazareve nga ana e presidentit. Presidenti doli dje në një konferencë shtypi, ku u pyet edhe për deklaratat e John Bolton për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi. Madje gazetarët e pyetën drejtpërdrejt nëse ka qenë i përfshirë kryeministri Rama, duke qenë se Bolton përmend emrin e Tony Blair (këshilltar i Ramës), por Meta u përgjigj shkurt: “Pavarësisht nga një informacion i tillë, falënderoj Britaninë e Madhe që ka një qëndrim të qartë për të ardhmen e këtij rajoni, që ta ketë vendin në BE, ku shpresojmë që të rikthehet edhe Britania në të ardhmen”.

Ajo që bie në sy është se kemi një qëndrim krejt të kundërt të presidentit krahasuar me Berishën. Ish-kryeministri ka bërë një status të gjatë ku sulmon kryeministrin Rama dhe presidentin Thaçi, ndërsa Meta nuk lëshoi asnjë kritikë për këtë çështje, ndonëse ishte ai pak kohë më parë që tha se lobi serb po ndikon në Tiranë.

E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë

Më tej, kreu i shtetit deklaroi se pavarësisht të gjitha debateve dhe deklaratave për shkëmbime territoresh, e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Europian, duke shtuar se ky është i vetmi objektiv i shpallur mes dy vendeve.

Sipas Metës, ideja për ndryshim kufijsh s’i shërben themeleve të BE-së, duke theksuar se minoritetet në Kosovë dhe Serbi duhet të gëzojnë të drejta plota, si e vetmja zgjidhje paqësore dhe evropiane. “Vlerësoj se pa u bërë pjesë e deklaratave apo komenteve të diplomatëve apo ish-përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në BE. Është një objektiv i shpallur nga të dyja vendet dhe në BE pa asnjë diskutim çdo ide për ndryshim kufijsh nuk i shërben idesë së themeleve të Europës së Bashkuar dhe është e rëndësishme të punohet për aplikimin e standardeve të BE, pasi nuk mund të ketë zgjidhje paqësore dhe europiane duke bërë llogari jo vetëm kufijsh, por edhe qytetarësh në radhë të parë.

Zgjidhja është që të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, dhe shqiptarë në Serbi të gëzojnë të drejtat si çdo minoritet, kjo është e vetmja zgjidhje paqësore dhe konstruktive dhe europiane. Nuk besoj se Ballkani ka nevojë për zgjidhje të vjetra ballkanike, që kanë treguar se e shkatërrojnë të ardhmen”, u shpreh Meta.

Tensionet politike

Ndërsa duke iu referuar aktualitetit politik në vendin tonë, presidenti Meta u shpreh se palët politike duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe tensionet mes tyre për dy arsye kyç. Së pari, përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe së dyti, përmbushja e kushteve të Bundestagut për integrimin e vendit drejt BE. “Dy janë prioritetet kryesore, mosnënvlerësimi i masave edhe më të plota, rigoroze, më të qartë për përballimin e pandemisë, pasi mund të kthehet në një kërcënim më të madh në javët që vijnë dhe së dyti të angazhohemi të gjithë për plotësimin e kushteve për integrimin europian.

Çdo tension artificial që shmang vëmendjen nga këto dy çështje, do të ishte një përgjegjësi mjaft serioze, e para kushton jetë njerëzish dhe e dyta i kushton shumë Shqipërisë për ëndrrën europiane. Dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme të ruajtjes së prioritetet të plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave. Pa dyshim miratimi i reformës zgjedhore është kushti i parë formal, për të vazhduar më pas me kushte të tjera që nuk janë formale, por që janë edhe mjaft përmbajtjesore dhe kanë të bëjnë edhe me cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme në vendin tonë”, tha Meta./Sot/ELISJEDA KIKO

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close