Ish-prokurori paralajmëron:Mjerë ata që kanë vjedhur paranë e popullit/Në të 61 bashkitë do të ketë arrestime

Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe 10 zyrtarëve të tjerë përfshirë dhe një biznesmen, ka bërë shumë bujë në media dhe opinion publik, pavarësisht se ka edhe skeptikë që nuk kanë shumë besim te e ashtuquajtura “drejtësia e re”.
Në Repolitix është diskutuar çështja e arrestimeve nga SPAK në Lushnjë, pasi shumica akuzohen për “shpërdorim detyre/dhe në bashkëpunim”, “falsifikime dokumentesh” dhe “abuzime me tenderat publikë”.
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari tha sonte duke ngritur alarmin për të gjithë zyrtarët e administratës, se kush ka vjedhur dhe ka abuzuar të paktën një herë me fondet publike, do të merret i pandehur dhe do t’i vijë dita që të përballet me drejtësinë. Sipas tij dhe të ftuarve të tjerë në studio, koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund, pasi në të gjitha bashkitë e vendit do të ketë arrestime.
Pyetje: Pse nuk fillon SPAK-u të hetojë tenderat korruptivë që janë me miliona euro, por fillon nga kjo e Lushnjës me 200 mijë euro?
Shkëlqim Hajdari: Atëherë, hetimi nuk fillon nga vlera e një abuzimi tenderi, por nga koha kur është bërë një denoncim, kur ka pasur një indicie, i jepet dosja një Oficeri të Policisë Gjyqësore, i vihet numri dhe fillon hetimi, vendosen disa njerëz për atë çështje dhe kjo është. Unë po ju them diçka, mjerë ata që kanë vjedhur një qindarkë nga fondet publike, sepse do t’i vijë koha. Të gjithë, të 61 kryetarët e bashkive duhet të frikësohen. Për të gjitha bashkitë ka denoncime dhe të gjithë do përballen me ligjin. Nuk ka më të fortë apo të pandëshkeshëm, koha e pandëshkueshmërisë mbaroi. Çdo person që ka abuzuar me të mirat publike një ditë do e marrë ndëshkimin.
Myslim Murrizi: Të gjithë që kanë abuzuar do merren të pandehur, 61 krerët e bashkive, drejtoritë rajonale, zyrtarët po e po, ministrat, janë aq sa kam kërkuar unë, 2000 vetë, po ngushtohet rrethi.
Frrok Çupi: Edhe nëse kapet një person që abuzon me 10-20 mijë lekë mirë është, sepse duhet të këputet kordoni i personave që janë të lidhur me korrupsionin, mitmarrjen.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button