Ja si u zgjodhën studentët ekselentë në administratë!Flet drejtoresha e Administratës Publike

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, ka raportuar dje në Komisionin e Ligjeve për ecurinë e punës gjatë vitit 2020. Përpara anëtarëve të këtij Komisioni ajo u shpreh se pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia u realizua me sukses “Vendosja në funksion e të gjithë instrumenteve të teknologjisë së informacionit për të rritur ndërveprimin në kohë reale midis njësive të shërbimeve civile”.

Deputeti Adriatik Alimadhi kërkoi më shumë informacion për numrin aktual të të punësuarve në administratën shtetërore. Alimadhi kërkoi gjithashtu të tregohet praktika dhe numri i studentëve të ekselencës të punësuar, si shqetësim i ngritur nga Komisioni Europian.

Në përgjigjen e saj, Koçiu u shpreh se nuk ka një praktikë të gabuar, ndërsa sugjerimet e KE-së janë përmbushur.

“Sa i përket numrit të administratës publike më duhet të sqaroj se ka gjithmonë një keqkuptim kur i referohemi Administratës Publike dhe administratës shtetërore.

Sipas ligjit 90/2012 për organizimin dhe funksionimin e Administratës shtetërore, do të kuptojë institucionet qendrore, kryeministri, Ministri dhe institucionet e tyre. Në institucionet e shërbimit civil janë si administratë shtetërore 9 mijë pozicione pune. Ndërkohë, pjesë e shërbimit civil në administratën vendore kemi afërsisht 6 mijë pozicione pune.

Në fakt Komisioni Europian nuk është se e ka quajtur procedurën se nuk ishte një procedurë e parregullt, përkundrazi.

Komisioni Europian e ka përgëzuar këtë nisëm për të përfshirë ekselentët në administratën shtetërore, ndërkohë që ka lënë rekomandim për të mundësuar harmonizimin e procedurës së përfshirjes së ekselentëve në administratë me procedurën e rekrutimit të shërbimit civil. Pikërisht nëpërmjet një vendimi të posaçëm që u mor në gusht të vitit 2019 ne unifikuam praktikën e përfshirjes së ekselentëve në administratën shtetërore me shërbimin civil.

Studentët nuk rankoheshin vetëm në bazë të mesatares së tyre, por iu dha mundësia të krijonin edhe një dosje dhe të konkurronin me atë.

Në dosje janë futur vlerësimet për aktivitetet ekstra kurikulare, vlerësime për nivelin e diplomës që ata kanë sipas shkollës, një vendimi të Këshillit të Ministrave, studentët që kanë mesatare nëntë deri dhjetë dhe që kanë mbaruar në vendet e OECD-së ose jo.

Kjo praktikë ka marrë dritën jeshile edhe nga Komisioni Europian, pasi është konsideruar një praktikë e suksesshme. Gjatë vitit 2020 u vunë në dispozicion të studentëve të ekselencës 108 pozicione pune. Prej fillimit të zbatimit të kësaj skeme rekrutimi që prej vitit 2019 janë punësuar 694 studentë ekselentë në tre vite” tha Koçiu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button