Kolë Koci – një nga personalitetet shqiptare më të shquar në fushën e arsimit. Një nga figurat më të respektuara me të cilin pogradecarët krenohen.

Ka disa njerëz që i kushtohen punës e harrojnë çdo gjë, disa të tjerë shfrytëzojnë punën për çdo gjë, të tretët ja varin punës dhe duan çdo gjë.
KOLË KOCI

Kolë Koci lindi më 1902 në një familje patriote në Pogradec. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Punën si mësues e nisi në fshatin Çërravë. Në vitin 1924 fillon studimet në Normalen e Elbasanit. Në 1928 emërohet mësues në Sopik, të Gjirokastrës. Studimet e larta i kryen në Lion të Francës në Institutin Pedagogjik dhe në Fakultetin e Letrave. Pas kthimit nga studimet nis punën si mësues por këtë herë në gjimnazin e Shkodrës ku më vonë kalon si inspektor arsimi. Në vitin 1936 po me këtë detyrë transferohet në Gjirokastër. Dy vjet me vonë kalon në Ministrinë e Arsimit ku punoi deri sa doli në pension në 1966.

Aty ai u mor kryesisht me probleme të karakterit studimor tekniko-profesional, si: punim programesh, hartim udhëzimesh metodike, shqyrtim tekstesh mësimore dhe librash të letërsisë ndihmëse për mësuesit e fillores, etj.

Lista e botimeve të tij është e gjerë dhe ka dhjetra tituj ku ai trajton që nga udhëzimet për mësimin e këndimit, në detyrat me shkrim, ushtrimet gramatikore, problemet aritmetike, gjuha e librave, puna edukative në shkollë, metodikat e reja deri në studime të karakterit historik dhe letrar apo për vlerat e folklorit.

Ndër botimet kryesore të tij përmendim monografitë për mësuesit e klasave të fillores “Problemet e leximit dhe të shkrimit në klasën e parë” (1979) si edhe “Probleme të arsimit të gjuhës shqipe në klasat fillore. Në 1942 ai shkroi monografinë “Mësimet e hartimit në rendit e 4-t dhe të 5-të të shkollës fillore”. Në vazhdim ai hartoi edhe “Metodikën e bukur-shkrimit”.

Kolë Koci është hartues i teksteve të gjuhës shqipe për klasën e 3-të dhe të 4-t në vitet 1950-1971.

Në 25 nëntor 1972 Kolë Koci bashkë me figura të tjera të shquara të letrave shqipe si: Eqerem Çabej, Androki Kostallari, Aleks Buda, Rexhep Qose, Jup Kastrati, Fahri Beçi, Dhori Qiriazi, Ismail Kadare marrin pjesë si delegatë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhë Shqipe ku u hartuan rregullat e drejtshkrimit të gjuhës duke patur parasysh edhe ndryshimet që pëson gjuha letrare si dhe çështje të reja që nxjerr praktika gjuhësore.

Për të gjithë këtë kontribut të shquar Kolë Koci mori titullin e lartë “Mësues i Popullit” ndërsa në 1965 ai fitoi titullin e Kandidatit të Shkencave Pedagogjike.

Ai vdiq më 29.08.1989 në Tiranë.

Kolë Koci është padyshim një nga personalitetet më të shquara në fushën e arsimit. Vepra dhe puna e tij kanë qënë faktor mjaft i rëndësishëm në përmirësimin e mësimdhënies dhe ngritjen cilësore të arsimit në Shqipëri. Ai mbetet një nga figurat më të respektuara me të cilin ne pogradecarët krenohemi.

k.a / Pogradeciweb/

Show More

Related Articles

One Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close