Koleksioni i mjeteve historike RETRO zbret në Pogradec

Muaj i ri me aktivitete të bukura kulturore në vende ku kultura ka lulëzuar gjithnjë!  Këtë fundjavë, në datat 3-4 korrik,  në shëtitoren e Pogradecit dhe buzë liqenit, do të ekspozohen për herë të parë mjetet e Koleksionit Historik Shqiptar Retro.

Vizita nis me tinguj të bukur muzike Jazz & Swing, ditën e shtunë më 3 korrik që prej paradites e do vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Të dielën, përgjatë qytetit në brigjet e Ohrit, do të vazhdojë parada e mjeteve drejt Parkut Kombëtar të Drilonit.

Sezoni veror në qytetin e Pogradecit është i preferuar për shumë qytetarë shqiptarë dhe të huaj, prej klimës së freskët dhe bukurive natyrore. Këtë vit, për ta shijuar edhe më shumë sezonin, Retro mbërrin me flotën e mjeteve të çmuara të cilave u janë bashkuar për herë të parë edhe koleksionistë nga Shkupi dhe Ohri, që udhëtojnë drejt Shqipërisë.

Aktivitetet RETRO që sjellin kulturën e koleksionimit, të restaurimit dhe të ruajtjes së vlerave të mjeteve historike, vijnë shpesh me një program artistik, të ftuar, DJ e balerina duke sjellë festë, kërcime, interes nga çdo brez e moshë dhe duke krijuar një atmosferë të hareshme për qytetarët e vendit dhe turistët.

Në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, shfaqja do të jetë në amfiteatrin e Odeon me grupin “Albanian Jazz Society” të cilët do t’ia shtojnë magjinë dhe elegancën atmosferës së liqenit me muzikë të pakohë.

Të pasionuarit, kalimtarët, turistët e të gjithë kuriozët pas klasikes do të kenë mundësinë t’i shohin dhe të njihen më nga afër me historitë dhe pasionin e madh të koleksionuesve. Retro do të jetë aty me dëshirën për të shpërndarë këtë pasion e duke e bërë fundjavën një event tejet interesant e për të mos u humbur!?

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button