Konkurimi në 4 degë, gara për 1200 kuota, kriteret për fituesit e rinj në Fakultetin Ekonomik

Garën për studimet e larta përgjatë këtij viti do të mund ta vijojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi.

E ndërsa maturantët janë në pritje të shpalljes së notave të provimeve të Maturës, çka i hap udhë më pas konkurimit për universitetin, institucionet e arsimit të lartë kanë shpallur tashmë kuotat dhe kriteret e pranimeve për vitin e ri akademik. Konkretisht në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës do të pranohen në ciklin e parë “Bachelor”, 1200 studentë të rinj, ndërkohë që gara do të zhvillohet në katër programe që janë: Administrim biznes, Ekonomiks, Financë, si dhe Informatikë Ekonomike. Dy degët që do të pranojnë më shumë studentë janë Financa dhe Administrim Biznesi me rreth 860 studentë në total. Ndërsa në degën Ekonomiks do të mund të vijojnë studimet 100 kandidatë të përzgjedhur në radhët e maturantëve, si dhe 240 të tjerë do të pranohen në degën e Informatikës Ekonomike.

Në vendimin e miratuar më herët nga dekanati i këtij fakulteti bëhet e ditur se edhe për pranimet e reja të këtij viti, kriteret e përzgjedhjes së fituesve nuk do të pësojën ndryshime. Kështu, shpallja e fituesve të rinj do të përcaktohet nga vlerësimi i dy mesatareve që janë: mesatarja e shkollës së mesme, si dhe ajo e lëndëve preferenciale të përcaktuara nga vetë fakulteti.

Sa i takon kriterit të parë, nota mesatare e shkollës së mesme do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2021. Nëpërmjet këtij kriteri maturantët do të sigurojnë 50 për qind të totalit të pikëve. Kriteri i dytë, i cili gjithashtu vlerësohet me 50 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj, përfshin mesataren e katër lëndëve preferenciale të përcaktuara si prioritet nga Fakulteti Ekonomik. Mesatarja e këtyre lëndëve do të përllogaritet për të gjithë vitet e shkollës së mesme gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë këtu edhe notat e Maturës Shtetërore. Në listën e katër lëndëve të përcaktuara si preferenca për degët e Ekonomikut janë anë matematika, ekonomia, të cilat vlerësohen me 15 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj, ndërsa fizika dhe gjuha e huaj do të vlerësohen me 10 për qind të ndikimit. Çka do të thotë se më shumë shanse për të qenë fitues në degët e Ekonomikut kanë maturantët që kanë mesataren më të lartë të këtyre lëndëve prefrenciale.

Shumatorja e pikëve të siguruara nga vlerësimi i këtyre dy treguesve përbën edhe rezultatin final që maturanti apo kandidati siguron në garën e pranimeve të reja të këtij viti. Renditja në listë nis me kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës deri tek kandidati me rezultatin më të ulët. Në çdo degë do të pranohen aq kandidatë sa është dhe numri i kuotave të përcaktuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button