Kryemadhi si “Nostradamusi”: Rudina Hajdari do dalë forcë e tretë, Rama forcë e katërt, LSI rivalizon PD për fitoren e zgjedhjeve

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi duket e pashqetësuar për ndryshimet “e njëanshme” kushtetuese nga Parlamenti, për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Teksa ishte e ftuar dje në një studio televizive, Kryemadhi u shfaq entuziaste, ndërsa theksoi se beson te fitorja e padiskutueshme e opozitës jashtëparlamentare në zgjedhjet e ardhshme. Madje, zonja Kryemadhi sfidoi Ramën, duke deklaruar se Partia Socialiste do të mundet në zgjedhje edhe nga Rudina Hajdari, e cila “ka rrezik të dalë forcë e tretë”, ndërkohë që shtoi se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ndajnë vendin e parë dhe të dytë.

“Unë e kam thënë dhe me ambasadorët e huaj, kur kanë ardhur për përfshirjen e LSI-së në reformën zgjedhore, e kam thënë që mos u shqetësoni absolutisht. Edhe Taulant Balla po t’i numërojë votat e LSI-së dhe të opozitës, opozita ka mbi 86 mandate sot që flasim.

Çdo hap i gabuar që bën Edi Rama dhe mazhoranca, shton akoma më shumë numrin e përkrahësve të opozitës, pavarësisht se kush është në opozitë. Një gjë duhet ta keni të qartë, nuk ka më asnjë lloj provokimi të Ramës për opozitën. Ky babai i kombit, ky zotëria nuk na provokon. Ne do të futemi në zgjedhje dhe do marrim shumë mandate, ai rrezik del i katërti. Rrezik Rudina do t’i dalë forcë e tretë me grupin e saj reformator”, deklaroi ajo. Më tej, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i dërgoi një mesazh kryeministrit Edi Rama se nuk i provokon dot e as nuk mundet t’i përçajë.

“Mos u shqetësoni për hapat që do të ndjekë opozita, do të jenë hapa të rakortuara më së miri, dhe të përllogaritura me funksione me integrale dhe logaritme nga më të ndryshmet për sa i përket maksimizimit të votës. Një gjë duhet ta keni të qartë, që s’ka asnjë provokim të Ramës për opozitën. Ai në 17 maj shkatërroi Teatrin Kombëtar, për arsye se donte të largonte opozitën nga tryeza zgjedhore.

Dhe nga ana tjetër ne çfarë kishim, kishin një qëndrim arrogant dhe pervers të Ramës. Kështu që provokimet e Ramës dhe kush është prapa Ramës, do të jenë pa asnjë lloj efekti ndaj opozitës dhe për shqiptarët”, nënvizoi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Burimi/ekskluzive.al

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close