Kultura dhe tradita Pogradecare. Veçoritë që e bëjnë këtë qytet të vogël, kaq të dashur për të gjithë.

KULTURA, TRADITA DHE USHQIMET KARAKTERISTIKE  NË QYTETIN E POGRADECIT.

Pogradeci ndodhet në juglindje të Republikës shqiptare, është kryeqendra e rrethit të Pogradecit dhe bënë pjesë në qarkun e Korçës. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km² dhe shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit. Pogradeci shtrihet 700 metra mbi nivelin e detit në një luginë, e cila rrethohet nga malet në perëndim dhe nga kodra të ulta në jug dhe në lindje. Pogradeci është qyteti turistik buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit. Një qytet “palcërisht shqiptar” – siç thotë Lasgushi i madh, është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore, artistike. Pogradeci është qyteti i luleve, i verës, i peshkut të rrallë Koranit, që vështirë se gjendet tjetër kund, por edhe i mikpritjes. Kështu e shohin pushuesit  vendas por edhe të huaj që zgjedhin Pogradecin, për të kaluar disa ditë të këndshme dhe të qeta.

Ajo çka ofron ky qytet është kuzhina pogradecare, një kuzhinë që përshtatet më shume me kuzhinën mesdhetare ashtu si dhe vet kuzhina shqiptare. Nga vet pozicioni gjeografik i shtrirjes së kësaj krahine, gatimet pogradecare kanë një ngjashmëri edhe me gatimet e rajoneve që e rrethojnë dhe kufizojnë atë. Kuzhina pogradecare ka veçoritë e saj të theksuara dhe unike. Këto veçori dallohen në gatimet me bazë peshku por edhe në traditën e lashtë të trashëguar që në banimet e hershme të fisit të Enkelejve në brigjet e Ohrit në qytetin Nën Kala (Poradec) për prodhimin e verërave. Këto veçori shtrihen edhe nga fshati në fshat dhe nga zona në zone. Por çfarë ofron ky qytet i vogël por i rrallë në kulturën dhe traditën e vet. Duke marrë shkas nga shumë opinione të dëgjuara dhe të shkruara nga kushdo që ka vizituar njëherë të vetme këtë qytet, smund të rri pa përmendur disa veçori që secili prej nesh ka gjetur aty, duke filluar nga kuzhina, tradita, kultura dhe mikëpritja:

1. Gatimet me bazë peshku

tave.jpg
Koran në zgarë
koran.jpg
Krap
krap.jpg
Tavë me koran

Tradita pogradecare është e fokusuar më tepër në gatimet me bazë peshku dhe kryesisht të peshkut Koran (Salmo Lenticia) një specie endemike e troftës , mbret i liqenit të Ohrit . Korani është një specie me vlera të larta ushqyese dhe është shumë i përdorur në gastronominë Pogradecare. Krahas Koranit në gatimet pogradecare një vënd të rëndësishëm zenë edhe gatimet me Belushkë, Mërenë, Klen, Cironka ose Pllashica , Krapi, Ngjala por edhe nga shpendet si ,Rosë e eger, Guza dhe shumë të tjera. Turizmi në rajonin e Pogradecit është i fokusuar për të ofruar për klientet dhe turistët e shumtë  gatime tradicionale sipas llojit dhe shijes që ata dëshirojnë. Mbi të gjitha tavën me koran. E veçanta e tavës së Koranit e përgatitur në qytetin e Pogradecit është unike për arsye se në traditën pogradecare gatimi i koranit nga peshkatarët e hershëm është realizuar dhe vazhdon të realizohet me ujë nga burimet e Liqenit të Ohrit i cili i jep shijen e veçante gatimit me peshk, shije të cilën nuk e gjen në gatimin e po këtij peshku me një ujë të një burimi tjetër. Gatimet me bazë peshku mund të jenë të gatuara: në furrë , pjekje në prush, pjekje në saç, pjekje ne plloçe, pjekje në kripë , tavë me arra dhe qepë, tavë me perime, peshk i skuqur, krap i konservuar  turshi me kripë, uthull dhe erëza, cironka me salcë domate dhe hudhra në furrë, guzë e mbyllur në tenxhere me presion, cironka të thara.                                                                

2. Gatime me bazë mishi

mish ne hell.jpg
Pastërma
pasterma.jpg
Mish ne hell

Gatimet me bazë mishi janë kryesisht gatime që realizohen me pjekje, zierje, fërgim, mishi i tharë( pasterma), mish në hell. Gatimi tradicional më i veçantë me mish, i kësaj zone, është pastërmaja, e cila realizohet në periudhën e dimrit kryesisht në muajt nëntor – dhjetor. Kjo mënyrë konservimi është një mënyrë e trashëguar tradicionallisht dhe vazhdon të përdoret edhe sot nga familjet Pogradecare. Gatimet me pasterma janë të shumta por mund të veçojmë disa: fasulet me pastërma, turli me pastërma ,byrek me pasterma. Mishi në hell, mishi në bidon , mishi në zgarrë, shpretkë e mbushur, kukurec, paçe koke, plenci dhe këmbësh, janë ushqime që preferohen nga vizitorët e shumtë. Edhe gatimet me shpendë në zonen e Pogradecit zënë një vend të veçantë në gatimin tradicional të zonës. Mund të përmendim pulën me tiganisur, pulën me oriz, pulën me arra, pulën e mbushur me gështenja, rosa e egër e liqenit dhe  guza e shuar në verë.

3. Gatime me brume   

Pispili me miell misri
Hasude

Gatimet me brumë janë të shumta në numër por karakteristikë në krahinën e Pogradecit janë ai grup ushqimesh që përgatiten për periudhën e dimrit që në fillim të vjeshtës. Mund të veçojmë:  Petkat , trahananë e cila përgatitet në dy forma : i ëmbël me qumësht, ose i thartë me kos dhe perime. Petaniku, pispilia e misrit me mbushje të ndryshme, qumështori, tikushi, sodaniku, buka me qiqra, hallva, revania, hasude, llokumet dhe shumë e shumë të tjera janë gatime që vazhdojnë të trashëgohen nga kohët më të hershme. Në traditen e Pogradecit vazhdon të përcillet edhe në ditët e sotme përgatitja e nardenit dhe pekmezit, dy pije tradicionale , të cilat më së shumti prodhohen nga kumbullat e egra. Reçeli, glikoja, kompostoja dhe turshija zënë vend në çdo familje pogradecare dhe përgatiten në kohën e verës dhe të vjeshtës. Në katet e para të shtëpive pogradecarët ruanin zahiret e dimrit që gratë përgatisnin gjatë verës, duke i kthyer ato në qilarë. Këto zahire ruheshin dhe vazhdojnë të ruhen në enë balte të quajtura qypa dhe enë druri.

Nëse e keni vizituar njëherë Pogradecin, vazhdoni ta vizitoni sërish, ky qytet nuk do tju zhgenjejë. Nëse nuk e keni vizituar akoma, mos nguroni, vizitojeni dhe keni për tu kënaqur pa fund. Ky qytet di t’ju bëjë për vete. Ajo çfarë ky qytet ofron është thjeshtë qetësia dhe mikpritja. Mos harroni të keni me vete, dëshirën dhe pasionin, për të tjerat mendon Pogradeci për ju.

/ K.A

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button