Ligji e lufton krimin apo krimi është “ligji”?Shkruan: Eranda_Zorba

Ditën që shkoi, sot, mbase dhe ditën që vjen me një tjetër krim do detyrohemi ta nisim ditën. Duket sikur krimi është kthyer në epidemi prej së cilës imuniteti ynë si popull e ka të vështirë të shërohet. Jo vetëm kaq, por kemi arritur në stadin që as nuk mund ta shmangim, pasi është kthyer në vetë ajrin vdekjeprurës që thithim. Jemi në stadin vendimtar ku mosreagimi shoqëror me argumentin e përhershëm: “…nuk është puna ime, e tij/e saj…” po na çon dita-ditës drejt buzës së humnerës dhe marrjes fund si shoqëri. Sado të përpiqemi t’i shmangemi lajmeve me të cilat media na bombardon çdo ditë, përsëri krimi mbetet pjesë e pandashme e peizazhit tonë rrethues.

E hasim kudo ku shkelim dhe ngado që shohim: në lagje, në rrugë, në shkollë dhe padiskutim në institucionet publike, ku dora e krimit e bën dhe e zhbën ligjin sipas rastit. Paralelisht me ketë na duhet të dëgjojmë sesi kushtet e jetesës janë përmirësuar, vendi është zhvilluar, arsimi është perfeksionuar, shëndetësia dhe infrastruktura janë modernizuar, drjtësia ka ecur përpara dhe gjithçka është reformuar dhe frymon ndryshe, falë një makinerie reformash e cila megjithëse nuk arriti kurrë në destinacion, arriti të ketë suksese dhe të sjellë kaq shumë progres.

Në këtë pikë më duhet të pranoj se imagjinata e zhvilluar ka qenë dhe mbetet pika jona më e fortë. I shohim gjërat ashtu si nuk janë ose më mirë akoma nuk i shohim fare, por artikulohemi si e kërkon puna, gjithnjë me po të njëjtën hipokrizi dhe besnikëri ndaj interesave që përfaqësojmë, të cilat na pajisin me tituj dhe poste, në varësi të asaj sesa mirë gënjejmë. Sa për të tjerat, mjaftojnë disa premtime gjithashtu imagjinare dhe hallet e popullit marrin fund.Absurditeti dhe lakmia në këtë vend nuk njeh kufij dhe kjo nuk ngjall kurrëfarë habie. Është mësë normale që ato që thuhen të jenë në kundërshtim të plotë me ato që ndodhin, pasi kontradikta është ajo që na ka karakterizuar gjithnjë si shtet.Sot, në 2020 me mijëra familja janë në gjendje të mjerueshme dhe luftojnë për të siguruar mbijetesën, pasi shteti i tyre i mëshiron vetëm në kohë zgjedhjesh dhe fushatash elektorale.

Në thelb ky shtet është vetëm i vetes së vet dhe i askujt tjetër. Për këto familje lufta rifillon sërish bashkë me zhvatjen, pasi asgjë nuk dhurohet dhe as nuk falet, pangopësia nuk di të bëjë ndryshe. Edhe nëse e gjithë e drejta është në anën tënde përballë shtetit ti dhe vetëm ti je humbësi. Kjo është vërtetuar dhe provuar aq herë sa mund të kthehet në ligj të pakundërshtueshëm, të cilin vetëm krimi, korrupsioni dhe rryshfeti mund ta rrëzojnë, kurrsesi zëri i shuar i dikujt që lufton për të drejtën e tij dhe beson ende tek fuqia e ligjit.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close