Margarita Xhepa: Si e kam njohur Dritëroin dhe një batutë e tij me Enver Hoxhën

Me qindra herë ajo ka lexuar poezitë e tij. Vargjet i kujtohen të gjitha edhe sot. Disa syresh e përlotin.

Aktorja e madhe, Margarita Xhepa, tregon për njohjen me ish-kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Me gjithë kujtimet e shumta, në librin “Ky është Dritëroi im”, ajo veçon dy episode që lidhen me mbrojtjen e regjisorit Kujtim Spahivogli dhe një bisedë me Enver Hoxhën.

Ky i fundit e kishte pyetur se si duhet të vepronin me arsimimin e të rinjve dhe nëse ata duhej të “racionalizoheshin” sipas shtëpive, por Dritëroi ia kthen: “Secili arsimohet për vete dhe të gjithë bashkë bëjmë një shoqëri të shkolluar. Ja, çfarë do të ndodhte sikur të ishte arsimuar vetëm Naim Frashëri dhe vëllezërve të tij të mos u jepej e drejta? A do të bëhej edhe Samiu një shkrimtar i shquar?!”.margarita

MARGARITA XHEPA

“NDERI I KOMBIT” DRITËRO AGOLLI KA MBJELLË SHPIRTIN TE NJERËZIT

E kam njohur si person, kam recituar krijimet e tij më shumë se një gjysmëshekulli. Krijimtaria e Dritëroit është repertori i interpretimeve të mia, gjatë gjithë jetës. Kjo, për faktin se ai, si rrallë krijues, të mbushte me frymëzim, me emocion.

Shkaku ishte se donte njerëzit e thjeshtë, donte tokën, vendlindjen, këngën, dashurinë. Thurte vargje për nënën, që ishte “më e bukura nga të gjitha fshatarët…”. Ishte dhe mbetet vetvetja, Dritëro Agolli.

TAKIMI I PARË

Në një aktivitet kulturor, pasi recitova poemën e tij të përkryer “Nënë Shqipëri”, erdhi më përqafoi e më tha: “I dhe dritë Shqipërisë”. Ndërsa unë ia ktheva: “Drita është te vargjet e arta që keni shkruar, Dritëro”.

Poemën “Devoll, Devoll”, “Baballarët”, “Poçari” etj., i kam recituar qindra herë dhe, për çudi, nuk harroj asnjë varg edhe sot. Më kanë emocionuar gjithë jetën, ndërsa vjersha “Mbjellja” më përlot. I përsëris këto vargje edhe kur jam vetëm.

Më emocionojnë deri në qelizë. Shumë e vështirë të mbjellësh arën, Më e vështirë shpirtin të mbjellësh! Të hapësh arën, T’i hedhësh farën, Të hapësh shpirtin, mendjen t’i hedhësh, Shumë e vështirë shpirtin të mbjellësh. Dritëroi ishte dhe mbetet i vërtetë.

Kam rastisur në Lidhjen e Shkrimtarëve në një moment kur Dritëroi fliste në telefon me një funksionar të lartë të kohës, Foto Çamin, dhe me ton shprehej:

– Jo, jo, Kujtim Spahivogli nuk ka bërë gjë. Duhet bërë kujdes. Nëse doni mendimin tim, ky është, kjo është e vërteta.

Pasi mbylli telefonin, u drejtua nga ne i shqetësuar: “Nuk na pyesin kur marrin vendime për njerëzit e artit. Ne i marrim vesh, vetëm kur bëhen fakt i kryer”.

Më pas ndërhyri Dajlan Shapllo, që iu drejtua Dritëroit:

– I ke dhënë një mendim shumë të drejtë Enver Hoxhës kur të kish pyetur për arsimimin…

– Kisha të drejtë, – iu përgjigj ai.

Dajlani na tregoi se Enver Hoxha e kish pyetur Dritëroin se çfarë mendimi kishte për arsimimin e të rinjve, të ndihmohej nga një për çdo familje?!

Dritëroi i përgjigjet: “Secili arsimohet për vete dhe të gjithë bashkë bëjmë një shoqëri të shkolluar. Ja, çfarë do të ndodhte sikur të ishte arsimuar vetëm Naim Frashëri dhe vëllezërve të tij të mos u jepej e drejta? A do të bëhej edhe Samiu një shkrimtar i shquar?!”.

I thjeshtë, njerëzor si ai, nuk e jepte veten se ishte kryetari i Lidhjes, rrinte mes krijuesve, i ndihmonte kur kish mundësi. Shpirti tij ishte i dhembshur, i ndjeshëm, jo vetëm ndaj njerëzve. Këto vargje që ka shkruar për tokën, janë të papërsëritshme, sa jetësore. Unë i recitoj shpesh me shumë dashuri.

“Ne të gjithë tokës i themi nënë, Sepse toka na mëkon. Çdo gjë asaj, ia kemi ngrënë, Ajo heshtur na mbulon”. Rrallë ndodh që në një shoqëri njerëzore të lindin njerëz si Dritëro Agolli, ku në personalitetin, karakterin e tij, të jenë bashkë gjenialiteti në krijimtarinë letrare me njerëzoren, thjeshtësinë, shpirtin human, dashurinë për njerëzit. Këtë e themi ne bashkëkohësit që i prekëm virtytet e tij, por do ta thonë edhe brezat e ardhëm, sepse janë fakte, është e vërteta.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close