“Me ndihmën e Zotit ia kemi arritur” Një shqiptar i SHBA-ve, që ndihmon nevojtarët me ushqime

Jeton prej vitesh në New York dhe është rreth të 50-tave. Ai mbikqyr një ndërtesë në qytet, por shumicën e ditëve të javës e kalon duke shpërndarë ushqime për njerëzit në nevojë.
Ky shqiptar quhet Aleksandër Nilaj dhe që nga viti 2012 ka ngritur në këmbë një program humanitar për të ndihmuar në ushqime njerëzit.
Veçanërisht gjatë kohës së pandemisë, Aleksandri së bashku me të tjerë bamirës e vullnetarë, kanë ndihmuar me ushqime afro 6 mijë persona në javë.
Kur e pyet Nilajn se përse bën bamirësi e ndihmon tjerët, ai thotë se dikur ka qenë ai vetë njëri nga shumë shqiptarët që nën regjimin komunist nuk kishte bukë për të ngrënë. Aleksandri shton se kur njeriu beson në Zot, do duhet të veprojë sipas vullnetit të Tij, duke bërë mirë për nevojtarët.
Nilaj: Organizata jonë ka më shumë se 9-të vite që ju shpërndanë ndihma ushqiome njerzve në nevojë. Unë besoj se idea për të ndihmuar të tjerët, është një ndjenjë që lind nga shpirti.  Por, në memorjen time, bamiresinë si obligimin tim parësor më të madh në jetë e kam filluar qysh prej viteve 1993. Kujtoj, se gjatë viteve të regjimit komunist, ne si familje kemi kaluar vështirësi të mëdha. Ka pasur raste që kemi qendruar me ditë të tëra pa bukë. Prindërit e mi i perjetonin shumë keq ato situata traumatizuese. Unë këto vështirësi  i kuptoja shumë mirë.
Sot, edhe pse kanë kaluar shumë vite, dhe jetoj në New York, e kuptoj mjaft mirë se çfarë do të thotë kur të mungojnë gjërat më elementare, ushqimet apo veshmbathjet për fëmijët.  Mendoj , se të besosh në Zot i bie të veprosh ashtu siç e do vullneti i Zotit, të bësh mirë !

Më poshtë gjeni një interivstë të shkurtër me Nilajn, realizuar nga gazetari Orest Çipa, në New York
-Aktualisht a keni një liste të familjeve në nevojë në zonat ku ju veproni? Sa është numri i tyre?
Disa javë më parë, kemi përfunduar regjistrimin e familjeve dhe individeve në nevojë, ku shifrat i kalojnë
4500 veta. Por, gjatë pandemisë numri i tyre ka shkuar në rreth 6500 veta në javë, ku me ndihmen e Zotit, kemi patur fatin e mirë t’i ndihmojmë rregullisht  të gjithë , pa përjashtim të asnjërit prej tyre.
-Sa është numri i anëtarëve të organizatës dhe a shpërblehen personat që ju ndihmojnë?
Bordi përbëhet nga 18-të anëtarë, por kemi dhe një ekip vullnetarësh ku numri i tyre kalon mbi 45-të veta. Asnjë anëtar i bordit duke filluar nga unë apo edhe vullnetarët tanë, nuk paguhen. Doja të shtoja se edhe harxhimet i paguajmë vetë sipas mundesive që ka gjithësecili prej nesh.
-Z.Nilaj nga i siguroni ushqimet dhe produktet e tjera që shpërndani?
Ushqimet i kemi siguruar nga biznese të ndryshme private, por edhe nga disa organizata të qytetit që më së fundmi na kanë ofruar një marrëveshje 2-vjeçare. Gjatë pandemisë kemi marrë mbi 200-mijë pako me ushqime nga shteti i New York-ut të cilat i kemi siguruar me ndihmën e Anëtarit të Këshillit  Bashkiak, z.Mark Gjonaj. Përgjatë kësaj periudhe, rregjistrohen mbi 500-mijë racione të cilat i kemi shpërndarë rregullisht nëpër zona të ndryshme të qytetit . Po ashtu, kemi shpërndarë dhe në disa qendra strehimi, apo edhe në disa Kisha, Xhami, Spitale, qendra Zjarrfikëse, qendra të Ndërhyrjes së Shpejtë, degë Policie si dhe në shumë qendra ushqim shpërndarëse.
-A mendon se ja ke dalë misionit deri më tani?
Falë ndihmës së Zotit , donatorëve tanë si dhe vullnetarëve, besoj se kemi bërë më të mirën e mundshme deri më sot dhe do vazhdojmë pa ndërprerje.
-Si ndiheni në përfundim të një ditë bamirësie?
Shumë i lodhur fizikisht, por shumfish i lumtur shpirtërisht, unë së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët e vullnetarët e organizatës tonë.
-Cila ka qenë periudha më e vështirë për organizatën tuaj gjatë këtyre viteve?
Çdo ditë ka vështirësitë e saj, por periudha e pandemisë ka qenë shumë e lodhshme dhe e vështirë. Gjithsesi, ishte dhe një eksperincë e madhe për të gjithë grupin.
-Kur bëhet fjalë për ndihma humanitare, a keni ndonjë mesazh për komunitetin shqiptar këtu në Amerikë?
Ç’do shqiptar në mërgim është një “ambasador” për vendin e vet përpara të tjerëve. Prandaj, ta ndihmojmë njëri-tjetrin me sa të kemi mundësi e të dhurojmë me shpirt më shumë dashuri pa kushte apo paragjykime.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ndodhen! Zoti e bekoftë Ameriken!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button