Meta kthen ligjin e Bursës, kritikon deputetët për “cilësi të dobët”

Presidenti Ilir Meta ktheu të martën në Kuvend ligjin “për tregjet e kapitalit”. Sipas qeverisë ligji zgjeron mundësitë e investimit të investitorëve në platforma të tjera përveç bursës, garanton mbrojtje më të mirë të investitorëve si dhe rregullon mbikëqyrjen e tij, duke rritur kapacitetet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Mirëpo Meta ka argumentuar se ligji nuk përmbush parakushtet për “zhvillim të suksesshëm të tregjeve të kapitalit”.

“Nëse nuk merren masa rregullatore për të adresuar këto problematika, me miratimin e këtij ligji dhe nisjen nga zbatimi të tij, Shqipëria do të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe si rrjedhim, jo funksionale,” – argumenton Meta teksa shton se kjo do të krijonte premisën e rritjes së nivelit të pasigurisë së produkteve financiare apo dhe vet stabilitetin ekonomik të vendit.

Presidenti shpreh shqetësim për atë që e ka cilësuar si “mungesë vëmendjeje të deputetëve në shqyrtim” dhe sugjeron që ligji të kalojë për mendim edhe pranë komisionit parlamentar të ligjeve.

“Duket qartë se debati parlamentar në drejtim të përmirësimit të propozimeve ligjore ka rënë ndjeshëm. Në mënyrë të përsëritur kam evidentuar një cilësi të dobët të procesit ligjbërës prej deputetëve,” – shprehet Meta, i cili së fundmi ka kthyer për rishqyrtim edhe ligje të tjera, si për shembull ligjin për heqjen e taksave për importin e jahteve.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close