Meta thirrje palëve politike për konsensus: Vendosni edhe zgjedhjen e Presidentit

Presidenti Ilir Meta iu ka bërë sot thirrje  palëve politike të mbajnë premtimin për konsensus për Reformën Zgjedhore.
“Jo vetëm kaq, pasi edhe kjo është shumë pak. Të mos kenë më frikë nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve të vendit dhe t’u japin mundësi të shprehen, jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që këta të mos heshtin më në Parlament e të vazhdojnë të ngrenë duart për ligje e politika që shtojnë varfërinë në vend dhe favorizojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe politikanësh që kurrë s’duan të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Meta.
Po ashtu, Meta tha se është gati të japë shembullin i pari, duke vendosur për president nga populli.
“Dhe për të dhënë shembullin i pari ju ftoj të vendosni edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, që në këtë vend Presidenti të mos ketë më detyrime ndaj asnjë partie, por vetëm ndaj Kushtetutës, qytetarëve dhe Republikës”, shprehet ai.
Gjithashtu, Meta përcolli mesazhin e e Bankës Botërore në lidhje me ekonominë pas pandemisë.
“Edhe pse është e diel të mos harrojmë paralajmërimet e fundit të Bankës Botërore: “Covid-19 do të zhysë në varfëri, në skenarin më të mirë rreth 100 mijë shqiptarë, dhe në rastin më të keq diçka më shumë se 200 mijë individë, thotë Banka Botërore në raportin më të fundit të publikuar për ndikimin e Covid-19 në mirëqenien e familjeve në Ballkanin Perëndimor si dhe në normat e varfërisë. Banka Botërore parashikon disa skenarë të ndryshëm, sipas të cilëve, të varfërit në Shqipëri mund të ngjiten në 39.6% të popullsisë, në rastin më të mirë, dhe deri në 43.6% në skenarin më të rëndë. Në të dyja skenarët, Shqipëria do të  vijonte të ishte vendi me normën më të lartë të të varfërve në raport me popullsinë në rajon”, shprehet ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button