Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, parashikimi i Krasniqit: Meta do e rikthejë, por Kodi ka pak gjasa të ndryshojë. Na pret krizë dhe konflikt i ri politik (E PLOTË)

Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, parashikimi i Krasniqit: Meta do e rikthejë, por Kodi ka pak gjasa të ndryshojë. Na pret krizë dhe konflikt i ri politik (E PLOTË)

Analisti Afrim Krasniqi

Analisti Afrim Krasniqi komenton impaktin që do të ketë në situatën politike në vend miratimi i njëanshëm i Kodit të ri Zgjedhor ditën e sotme në Parlament.

Krasniqi parashikon se Presidenti Meta do e rikthejë në parlament Kodin, por mazhoranca me shumë gjasë nuk do ta rishikojë për ta ndryshuar. Impakti i parë negativ i miratimit të njëanshëm të Kodit Zgjedhor, që Krasniqi e quan “dështim” është ndikimi në integrimin e Shqipërisë në BE.
Krasniqi thotë se kjo situatë do të sjellë një krizë të fortë dhe konflikt të ri e të ashpër politik në vend.
Opinioni i Krasniqit:
Vendimi i njëanshëm i parlamentit për të miratuar Kodin Zgjedhor, pavarësisht negociatave në Këshillin Politik dhe pavarësisht kritikave dhe sugjerimeve ndërkombëtare që të ketë kompromis në ndryshimin e bazës kryesore që lidhet me zgjedhjet, është një zhvillim shqetësues, është një zhvillim negativ, dhe është një zhvillim që i shkon për shtat skenarit dhe interesit elektoral të një partie politike aktuale në qeveri, dhe jo interesit publik dhe interesit të Shqipërisë sidomos në raport me procesin e integrimit. Një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian për konferencën e parë ishte miratimi konsensual i reformës zgjedhore, dhe ky është një nga dështimet më të mëdha me të cilën Shqipëria po shkon në Berlin dhe në Bruksel, për t’u prezantuar në vendimmarrjen e muajit të ardhshëm.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor në thelb krijon edhe një hapësirë tjetër, për sa kohë që presidenti do të ushtrojë të drejtën e vetë dhe siç ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme do ta rikthejë Kodin. Por shanset për ta rishikuar në thelb dhe për ta ndryshuar janë minimale. Në këto rrethana Shqipëria shkon drejt një situate të re politike, një krize dhe një konflikti të ri politik. Dhe si duket zgjedhjet e ardhshme do jenë shumë më të ashpra në retorikë dhe në sjellje në raport me zgjedhjet e kaluara për shkak se mënyra se si partitë politke po qasen është jashtëzakonisht e kërcënuar dhe jashtëzakonisht e ashpër në sulme dhe në përgatitjen e fushatës. Ne sot po shohim që fushata ka nisur gjashtë muaj më përpara gjë që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe premtimin që kanë dhënë palët përpara OSBE dhe përpara partnerëve ndërkombëtarë në raport me praktikat e mira zgjedhore. Nga ana tjetër shohim që palët po shfrytëzojnë mekanizmat e aktualitetit politik për të përfituar privilegj elektoral dhe ndryshimi i Kodit ishte i tillë.
Në raport me opozitën ajo çka po konstatojmë në periudhën e fundit është që opozita po i largohet debateve kryesore politike të ditës, dhe deri diku ka rënë viktimë e sondazheve optimiste, duke e konsideruar çështjen e rotacionit, çështje të kryer. Në fakt Shqipëria nuk e ka jetike thjeshtë nevojën për një rotacion politik. Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e politikës në Shqipëri, dhe përndyrshime politike duhen qëndrime të qarta, alternativa, qëndrime kurajoze, platforma dhe dialog me qytetarët, me shoqërinë e fyer në këtë rast nga sjellja arrogante e partive politike, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, deri tani opozita nuk i ka konsumuar këto instrumente të luftës politike.
Muajt e ardhshëm pritet që midis palëve politike situata të jetë edhe më e ashpër, dhe deri diku do të përcaktohet në mënyrën sesi palët do të lexojnë ndryshimet e Kodit dhe formulën e re. 

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close