Ndërtimi i HEC Skavica, Balluku nënshkruan me kompaninë amerikane Bechtel

Ndërtimi i HEC Skavica, Balluku nënshkruan me kompaninë amerikane Bechtel

Kryetari i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka gjetur mbështetjen e Qeverisë Amerikane, e cila ka shprehur angazhimin e drejtpërdrejtë, për të mbështetur Shqipërinë në këtë iniciativë kaq të rëndësishme.
Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së SHBA-vë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.
Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.
Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri.
Përmes nënshkrimit të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, palët angazhohen të punojnë së bashku në të gjitha fazat e këtij procesi për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për realizmin e këtij projekti me rëndësi kombëtare. Palët kanë shprehur interes gjithashtu, që krahas bashkëpunimit të tyre në fushat e projektimit dhe zbatimit të punimeve, të trajtojnë edhe financimin e duhur të Projektit, që të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkarisht Planin e  Veprimit për zbatimin e Projektit, i cili do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, planin e veprimtarive të projektit, modelet e propozuara të financimit, drejtuesit e veprimtarive të projektit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të Projektit.
Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button