Nga Genc Pollo, te Sait Dollapi… Kush janë “emrat e rinj” që Basha u ka besuar fatin e PD në zgjedhje

Të deleguarit e Partisë Demokratike që do të drejtojnë proçesin e kandidaturave për deputet në bazë nuk janë as më shumë e as më pak se një përzierje ish-ministrash e drejtorësh të rëndësishëm në kohën e qeverisjes së Berishës (ndër ta edhe të përfolur) me disa emra zyrtarësh partiakë të propozuar nga Lulzim Basha.

Gazeta “Si” sjell listën e të deleguarve në zonat kryesore në vend ku vihet re një dominim emrash i atyre që kanë qenë pjesë e qeverisjes “Berisha” në nivel ministrash si Genc Pollo, Florion Mima, Flamur Noka, Aldo Bumçi, në nivel zv-ministrash Alfred Rushaj, Jorida Tabaku, Avenir Peka, Bardh Spahia, në nivel drejtorësh të rëndësishëm si Sait Dollapi, Arben Ibro, Ervin Minarolli e emra të tjerë sërish në kohën e qeverisjes “Berisha” si Xhemal Gjunkshi, apo Arben Kashahu.

Në listën e të deleguarve është përfshirë edhe financieri i PD-së, Ilir Dervishi, një nga dy emrat që ka firmosur kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në 2017, për të cilin ka një kallëzim penal nga ana e PS-së.

Pjesë e të deleguarve është edhe ish-kryetari i bashkisë së Lezhës, Anton Frrokaj,  dhe Aleksandër Biberaj i kthyer rishtazi në PD. Listës i janë shtuar dy analistët Fitim Zekthi dhe Bledi Kasmi.

Sigurisht që pjesë e procesit janë zyrtarët aktualë të angazhuar me strukturat edhe më parë, si Ervin Salianji, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Edmond Spaho,  Bardh Spahia dhe disa të tjerë më pak të angazhuar në struktura partike, por me pozicione kyçe aktualisht në PD si Gazmend Bardhi dhe Çlirim Gjata.

Nëse do t’i hedhim një sy të përgjithshëm listës, shumica prej tyre janë emra të lakuar (ministra, zv-ministra, drejtorë, gjeneralë, kryetarë degësh, ekspertë e ish-deputetë) që në kohën e Berishës, ndërsa janë shumë pak emra që angazhohen për herë të parë si të deleguar, si Ina Zhupa,  Arben Kashahu, Ilir Dervishi, Nushe Lazaj, Akil Kraja apo Fatbardha Kadiu.

Lista e te deleguarve kryesore nga PD per procesin e kandidaturave per deputete

Të deleguarit në fakt nuk duhen parë thjesht si listë emrash, që do të merren me organizimin në bazë. Ata janë minimalisht një vend i sigurtë në listat për deputetë e makimalisht pjesë e stafit të ardhshëm qeverisës i Partisë Demokratike nëse ajo fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Të deleguarit janë çuar në zona që nuk kanë influenca partiake. Përshembull, Fitim Zekthi që kandidoi për deputet, zgjedhjet e kaluara, për zonën e Belshit është dërguar në Shkodër, ndërsa Lorenc Luka një figurë e njohur e PD-së në Shkodër është dërguar në Belsh të Elbasanit.

Kandidatët për deputetë

Që prej 25 qershorit në Partinë Demokratike ka filluar proçesi i propozimit të kandidaturave nga anëtarët e partisë nëpër grupseksione ku secili anëtar ka të drejtën të propozojë vetëm një kandidat. Kjo fazë parashikon edhe vetëpropozimin nëse ka mbështetjen e 10 anëtarëve të partisë.

I gjithë procesi do të gjasë deri  më 31 korrik.

Më pas, për procesin e seleksionimit të kandidaturave do të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve me 5 anëtarë dhe dy ndihmës.

Komisioni seleksionues, që nuk ka dominancë politike, do të vendosë në fakt mbi kandidatura krejtësisht partiake.

Sipas udhëzimit, në pesëshen anëtare të komisionit marrin pjesë ish-drejtues të lartë partisë (vetëm Genc Ruli), si dhe personalitete të shoqërisë civile, medias,  dhe përfaqësues të botës akademike.

Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve të partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga kryesia e partisë, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti., etj.

Tre kryetarë degësh japin dorëheqjen

Për të shmangur konfliktin e interesit gjatë procesit të propozimit, seleksionimit dhe konsultimit të kandidaturave, lidershipi i partisë në nivel dege (kryetarë dhe sekretarë) është lënë jashtë procesit.

Për pasojë, dy nga kryetarët e degëve, Andrea Mano në Korçë dhe Luan Baçi në Fier kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i degëve, për tu futur në garën për deputet.

Njoftohet se ka dhënë dorëheqjen edhe Xhelal Mziu kryetar i degës së PD-së, Kamëz.

Ndryshe nga Mano dhe Baçi, Mziu ka dhënë dorëheqjen për të qënë kandidat i ardhshëm i PD-së për kryetar bashkie. Dorëheqja e tij është bërë më herët, por u bë  publike vetëm të hënën mbasdite

Ky proces tanimë është mbyllur (ishte pesë ditë) dhe asnjë prej kryetarëve të tjerë në degë nuk lejohet që të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë përfshirjes në listat për deputet apo kandidimit per kryetar bashkie.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close