“Ngrin” bursa e energjisë – COVID-19 pezullon pa afat procedurën për zgjedhjen e aksionerëve

Situata e krijuar nga COVID-19 ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të pezullojë procedurat për zgjedhjen e pjesëmarrësve në Kapitalin e Operatorit të Tregut, apo thënë ndryshe bursës së energjisë.

Sipas ministrisë, procedura e përzgjedhjes së aksionerëve ,dikton se subjektet të cilët duan të aplikojnë,duhet të dorëzojnë dokumentacion në drejtim të përmbushjes së kritereve të përcaktuara, dhe përgatitja e dokumentacionit në kuadër të pjesëmarrjes në procedurë krahas vullnetit të këtyre subjekteve përfshin bashkëveprimin e domosdoshëm me administratën shtetërore, gjyqësore ose subjekte të tjera juridike.

Ndërkohë që,situata e krijuar përmban rrethana të cilat janë të pazakonta, të paparashikueshme dhe përtej kontrollit të subjekteve juridike publike dhe private duke krijuar vështirësi të pakapërcyeshme për përmbushjen e detyrimeve juridike të cilat nuk mund të ishin shmangur edhe sikur të ishte ushtruar gjithë kujdesi i duhur.

Ndërkaq, pas shqetësimeve të shfaqura edhe nga disa prej pjesëmarrësve që kanë blerë dokumenetet e procedurës, ministria ka vendosur pezullimin pa afat të përzgjedhjes së aksionerëve të bursës së energjisë.

Operatori i Tregut do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria “Operatori i Sistemit të Transmetimit”.

Ndërkohë që, më herët ministrja Belinda Balluku ka thënë se ky operator ka për synim mbulimin rajonal të tregtisë së energjisë elektrike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka Memorandume Mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrueshëm në këtë sektor.

Ngritja e bursës parashikon listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, duke lehtësuar blerjen e energjisë nga të gjithë ata biznese që kanë dalë në treg të lirë, duke siguruar vetë sasinë e nevojshme të energjisë.

Nga ana tjetër, pritet që  tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët, ndërsa prodhuesit do të kenë mundësi të shesin e blejnë, duke u bërë pjesë e platformave rajonale të tregtimit të saj.

Ola Mitre / SCAN

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com