Njihuni me EnterCom, startup-i, që kërkon njohjen e gjuhës shqipe nga platformat e monetizimit të kompanisë Google

Inovacioni është kthyer në kryefjalën e sipërmarrjes, sidomos gjatë pandemisë. Zgjidhjet inovatore janë thelbësore për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi, zhvilluan një takim me komunitetin e startup-eve, ditën e djeshme.
Në takim ishte ftuar edhe “EnterCom Digital Agency”, agjencia digjitale, me qendër në qytetin e Pogradecit. EnterCom operon në treg që prej vitit 2015 dhe e ka shtrirë aktivitetin e saj edhe përtej kufijve shqiptarë.
Administratori i saj, Edison Shyti u shpreh se agjencia fokusohet në ndërtimin e plaftormave digjitale për televizione dhe aplikacione të larmishme. Gjithashtu, EnterCom ka ndërtuar edhe faqe interneti për supermarkete, gazeta, televizione, etj. Përgjatë 6 viteve, serioziteti dhe puna e palodhur e agjencisë kanë mundësuar edhe bashkëpunime me biznese gjermane, franceze dhe amerikane.
Zoti Shyti u ndal te ligji për startup-et, i cili është duke u finalizuar. Ai shprehu mirënjohje për lehtësirat administrative dhe forcimin juridik dhe ekonomik të bizneseve të reja, që do të përfitojnë nga ky ligj.
“Kryeministri Rama dhe ministri Shalsi duhet të punojnë fort, që Google të njohë zyrtarisht gjuhën shqipe për platformat e monetizimit ”, tha Shyti, për Pogradeciweb. Ai shtoi se njohja e gjuhës shqipe do të ishte katalizator për forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e të rinjve.
Entercom.al është agjencia e vetme në qarkun e Korçës, që operon në sektorin e teknologjsë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com