Pezullimi i dividendëve – Fitimet e pashpërndara përbëjnë 17.5% të kapitalit të bankave

Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi të pezullonte shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare deri në fund të muajit qershor 2020. Sipas vendimit, kjo masë përfshin të gjitha fitimet e akumuluara deri në fund të vitit financiar 2020, si edhe fitimet që do të realizohen në gjysmën e parë të këtij viti. Kjo masë ka si qëllim kryesor garantimin e një kapitalizimi sa më të lartë të sistemit bankar, në kushtet kur epidemia e Covid 19 pritet të shkaktojë efekte negative në ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2019 sistemi bankar kishte një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit mjaft të lartë, në nivelin 18.3%. Pas muajit mars të këtij viti, pritet që kapitalizimi të jetë edhe më i lartë, për shkak të hyrjes në fuqi të shtesave makroprudenciale, që u miratuan nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat më të fundit, sistemi bankar shqiptar zotëronte një kapital aksioner prej afro 158 miliardë lekësh në fund të muajit shkurt të këtij viti. Fitimet e pashpërndara zënë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit aksioner. Mbështetur në të dhënat e fundit të vitit të kaluar, fitimet e vitit 2019 dhe ato të mbartura përbënin 17.5% të strukturës totale të kapitalit aksioner të bankave. Gjatë dekadës së fundit, shumica e bankave kanë ndjekur politika konservatore në shpërndarjen e fitimeve.

Për një pjesë të bankave, mbajtja e fitimeve ka qenë e domosodshme për të balancuar humbjet e bartura gjatë viteve të krizës. Ndërsa bankat që kanë ndjekur një strategji biznesi më aktive kanë zgjedhur të mos shpërndajnë fitime, për të rritur kapitalizimin dhe për të mbështetur rritjen e mëtejshme të bankës. Kjo ka bërë që në tërësi sistemi bankar të ketë nivele kapitalizimi mjaft të larta, me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit më shumë se 50% më të lartë se kërkesat minimale të Bankës së Shqipërisë.

Ersuin Shehu / SCAN

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close