Presidenti Trump merr vendim/ Zgjat deri në fund të vitit pezullimin për emigracionin në SHBA

Administrata e Presidentit Trump njoftoi se ka vendosur të zgjasë ndalimin e lëshimit të kartave jeshile jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara deri në fund të vitit.

Pjesë e këtij vendimi është edhe zgjatja e ndalimit të lëshimit të vizave të përkohshme të punës, përfshirë ato që përdoren shumë nga kompanitë e teknologjisë dhe korporatat shumëkombëshe.

Administrata e justifikoi veprimin, duke e quajtur atë një mënyrë për të liruar vendet e punës në një ekonomi të goditur rëndë nga koronavirusi. Një zyrtar i lartë që foli me gazetarët në kushte anonimiteti, vlerësoi se kufizimet do të lironin deri në 525,000 vende pune për amerikanët.

Ndalimi, megjithëse i përkohshëm, do të sillte një ristrukturim të madh të sistemit të imigracionit të ligjshëm nëse do të bëhej i përhershëm, një qëllim që administrata e shmangu para pandemisë. Grupet e biznesit i kishin bërë presion të madh për të kufizuar shtrirjen e këtyre masave, duke thënë se shumë prej punonjësve të tyre janë thelbësorë.

Ndalimi i aplikimeve për viza të reja vlen për vizat H-1B, të cilat përdoren nga kompani të mëdha amerikane të teknologjisë, vizat H-2B për punëtorët sezonalë joagrikulturor, vizat J-1 për shkëmbim të studentëve dhe vizat L-1 për menaxherët e korporatat shumëkombëshe.

Do të ketë përjashtime për punëtorët e industrisë së përpunimit të ushqimit, të cilët përbëjnë rreth 15 për qind të totalit të vizave H-2B, tha zyrtari. Punëtorët e kujdesit shëndetësor që ndihmojnë në luftën kundër koronavirusit do të vazhdojnë të kursehen nga ngrirja lëshimit të kartave jeshile, megjithëse përjashtimet për këtë grup do të jenë më të ngushta.

Presidenti Trump vendosi një ndalim 60-ditor ndaj lëshimit të kartave jeshile jashtë vendit në prill, që pritej të skadonte të hënën. Ky njoftim, i cili kishte në shënjestër kryesisht anëtarët e familjeve të shtetasve amerikanë ose atyre me qëndrim të përhershëm në vend, tërhoqi një reagim çuditërisht të ftohtë nga kundërshtarët e ashpër të imigracionit, të cilët thanë se presidenti nuk shkoi mjaft larg.

Hapat e rinj për të përfshirë vizat jo-imigruese përmbushin dëshirat e shumë kundërshtarëve të ashpër të imigracionit, por jo të gjithëve.

Ngrirja e lëshimit të vizave jashtë vendit hyn në fuqi menjëherë. Ndryshimet e tjera, përfshirë kufizimet në lëshimin e lejeve të punës për azilkërkuesit, do të kalojnë përmes një procesi zyrtar të krijimit të rregullave merr një muaj kohë.

Administrata po propozon një mënyrë të re për dhënien e vizave H-1B, të cilat kanë një numër të kufizuar prej 85,000 sosh në vit dhe përdoren nga gjigantët e teknologjisë indiane, si dhe kompanitë Amazon Inc., Microsoft Corp. dhe Apple Inc., tha zyrtari. Administrata dëshiron t’i lëshojë ato bazuar në pagën më të lartë të aplikuesve në vend të lotarisë./ VOA

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close