Propozimi i Lleshajt: Çdo grupim me minimumin 300 persona mund të shpallet minoritet

Një projektvendim i Ministrisë së Brendshme, i kërkon qeverisë ngritjen e një komisioni të posaçëm për të vlerësuar kërkesat e ardhura për minoritete të reja në Shqipëri. Ajo që bie në sy në projektvendimin e institucionit të drejtuar nga Sandër Lleshaj është fakti se një pakicë kombëtare mund të njihet nëse ajo përbëhet nga vetëm 300 persona.

Vlerësimin e ligjshmërisë dhe përbërjes së kësaj pakice sipas Ministrisë së Brendshme duhet ta certifikojë një komision i posaçëm që do të ngrihet me urdhër të kryeministrit Rama.

“Kërkesa për njohjen e pakicave, depozitohet pranë Komisionit për shqyrtimin e kërkesës për njohjen formale të pakicës kombëtare (në vijim referuar Komisioni), nga një grup shtetasish prej jo më pak se 300 (treqind) persona me zotësi të plotë për të vepruar, që pretendojnë se i përkasin pakicës kombëtare”.

Aktualisht ligji “Për mbrojtjen e pakicave” ka njohur 9 pakica kombëtare. Njohja formale e një pakice kombëtare, e ndryshme nga ajo e përcaktuar në këtë ligj, bëhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës pranë Ministrit të Brendshëm nga grupi i shtetasve i përbërë nga jo më pak se 300 persona, që pretendojnë se i përkasin një pakice kombëtare dhe shqyrtohet nga Komisioni.

Por kundër këtij projektvendimi të hartuar dhe propozuar nga Ministria e Brendshme, është shprehur Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.

“E konsiderojmë të panevojshme, madje ndoshta edhe të dëmshme për interesat kombëtare, ngritjen e një komisioni të tillë për të diskutuar rreth ekzistencës së pakicave të tjera kombëtare në Shqipëri”.

Rezerva ka shprehur për numrin e krijimi të pakicave të reja edhe Avokati i Popullit. Por lidhur me ketë pretendim, Ministria e Brendshme ka sqaruar se parashikimi i një grupi shtetasish prej 300 personash është bazuar duke pasur si referenca numrin e krijimit të organizatave kulturore, sociale, politike, por ky fakt është vendosur gjithashtu në mbledhjen e Grupit Ndërinstitucional të Punës ku anëtarë ka qenë edhe Avokati i Popullit dhe janë dakordësuar për sanksionimin e numrit prej 300 personash.

Projektvendimi nëse do të marrë edhe dakordësinë e kryeministrit Rama, do të miratohet në mbledhjen e qeverisë dhe më pas do të hyj në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close