PS fut në skaner deputetët e ministrat, në dhjetor piketohen emrat e parë që mbeten jashtë listave, prezantohet platforma

Partia Socialiste nuk do të kushtëzohet vetëm brenda anëtarësisë, apo figurave të veta publike për të përzgjedhur kandidatët potencialë për deputetë të ardhshëm, por do të hapet ndaj kujtdo dhe madje do të fusë në skaner të gjithë aparatin, duke filluar nga ligjvënësit deri tek ministrat.

Ky është zotimi i kryeministrit Edi Rama, që ditën e djeshme teksa prezantoi platformën “Deputeti që duam” gjatë një konference për shtyp nga selia rozë, u shpreh se deputetët dhe ministrat do të kalojën në skaner, ndërsa theksoi se në dhjetor piketohen emrat e parë që mbeten jashtë listave sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

“Unë e kam një sistem dëgjimi që edhe si pasojë e eksperiencës kam arritur ta kem shumë funksional të kombinuar përmes dëgjimit të drejtpërdrejtë, të atyre që ndërveprojnë në rrjetet sociale. Në opinionin tim që është një hapësirë e jashtëzakonshme mesazhesh, në anketimet e përmuajshme që bëjmë të opinionit publik me entitete autonome që na japim mundësinë për të pasur një pasqyrë të situatës në çdo muaj dhe dëgjimi i anëtarësisë është një vlerë e shtuar për të kuptuar individualisht cila është marrëdhënia, shkalla e lidhjes me anëtarë të partisë dhe përfaqësuesve të tyre, opinioni dhe vlerësimi për përfaqësuesit në qeveri dhe mbasi të bëjmë këtë në cikël të parë, ne do hymë më thellë me pyetje specifike për anëtarët. Kjo është një fazë kolaudimi që është një proces i ri, kanë filluar të ndërveprojnë një pjesë e vogël dhe për këtë arsye i kemi lënë vetes 45 ditë për këtë cikël të parë”, deklaroi ai.

Në dhjetor piketohen emrat e parë

Por referuar deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se skanimi i deputetëve dhe ministrave do të zgjatë 45 ditë, i bie që në dhjetor do të piketohen emrat e parë që mbeten jashtë listave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kjo do të thotë se në platformën online do të votohet për performancën e deputetëve dhe ministrave, ku ata që rezultojnë si më pak të vlerësuar do të jenë në pikëpyetje për të garuar në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, pavarësisht kësaj zoti Rama u kujdes që të tregohet i “butë”, pasi siç tha ai do të ketë edhe një fazë të dytë dhe të tretë që do të skanohen deputetët në portal dhe se ata që kanë dalë më pak të vlerësua do t’ju kërkohet të zbresin në bazë, në mënyrë që të fitojnë zemrat e anëtarësisë dhe jo vetëm.

Kjo do të thotë se në dhjetor piketohen emrat e parë që mbeten jashtë listave. Më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ceku edhe mundësinë e ndryshimeve në qeveri. Zoti Rama nuk zgjodhi që të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të ketë ndryshim të kabinetit ministror, por nuk e përjashtoi si mundësi, pasi sipas tij, e mira s’ka fund.

“Grupin e ministrave e kemi të mirë, por e mira nuk ka fund dhe secili, unë i pari, ka mundësi të bëjë më shumë dhe duhet të kërkojë nga vetja çdo ditë e më shumë. Në kërkim të përditshëm për të bërë më mirë punën ka një vlerë të madhe edhe dëgjimi i njerëzve në këtë punë që bëjmë ne”, u shpreh ai.

PS hap “konkursin” për deputet

Më tej kryeministri Edi Rama ftoi të gjithë të rinjtë, të cilët duan të futen në botën politike dhe të asaj rozë që dorëzojnë një CV. Me anë të një videoje, të dërguar në adresën online, çdo i ri apo e re, jo vetëm në moshë, por dhe në ide, siç iu referua vetë kryeministri, do të mund të shfaqë interesin dhe kurajon për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste. “Ne i kemi praktikisht të miratuar kriteret në asamblenë kombëtare.

Do të kenë të gjithë një adresë online ku do të çojnë një video, ku do të shprehin arsyet pse duan të bëhen pjesë dhe pak dokumente të tjera, një CV personale dhe një letër angazhuese. Ne do të mbledhim të gjitha shprehjet e interesit që do të vijnë nga të gjitha rrugët e jetës. Do të presim të rinj dhe të reja, jo vetëm në moshë, por edhe në ide”, nënvizoi kryeministri Edi Rama./Rigels Seliman

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close