“Rama s’garon më për kryeministër”!A i njohur zbulon lëvizjen strategjike që po përgatisin socialistët: PS fiton zgjedhjet! Berisha do të rithotë… ‘Erla, prapë na e mundi Lulin, ai Edvin Malavita!’

Analisti i njohur Lorenc Vangjeli përmes një shkrimi të gjatë ka hedhur një hipotezë të pamenduar më parë për zgjidhjen e ngërçit politik dhe triumfimin sërish të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

Teksa e analizon me detajet situatën, Vangjeli shkruan se Edi Rama jep dorëheqjen si kryeministër në vjeshtë dhe PS e mund sërish Bashën dhe opozitën, e cila sipas tij është 2 lëvizje më mbrapa se PS.

SHKRIMI I PLOTË:

Supozojmë se diku nga vjeshta Edi Rama mban një fjalim nga ata që në fillim e ngjethin atë vetë dhe më pas edhe të majtët e tij që e quajnë gjeni, edhe kundërshtarët që e konsiderojnë djall. Fjalimi do të ishte aq drithërues sa edhe Sali Berisha që ka tre dekada që i hedh fjalë erës, do t’i thotë Erlës: “I lig është pafund, ky është një fjalim gjeniu djallëzor”.

I transmetuar nga ERTV-ja dhe nga gjithë televizionet e tjera në të njëjtën kohë, me të majtë që qajnë dhe të djathtë që mbajnë frymën, Edi Rama do të mbajë pezull frymën e gjithë shqiptarëve duke ju thënë: “Ky, filani/a dhe jo unë, do të jetë kryeministri i ardhshëm socialist. Në dy mandate unë ndërtova Shqipërinë e re. Rindërtova një botë të re mbi gërmadhat e komunizmit dhe të tërmetit. Mposhta pandeminë. Hodha në erë, rikrijova, emancipova, decannabisova, projektova, afrova, largova, jetova, dëshmova dhe tani do të jem vetëm kryetar i PS-së. Unë do të largohem sepse njëlloj si Xhorxh Uashingtoni, nuk rrëzova një mbret që të bëhem vetë mbret!”.

Njerëzit e tij që do të ishin të gatshëm ta shpallnin mbret nëse edhe Evropa nuk do të thoshte gjë, do të vazhdonin të thoshin “Rroftë!” edhe përkundër neverisë intelektuale me të cilën artisti Edi dashuron servilët e politikanit Rama. Kundërshtarët, të gjendur si gjithmonë dy e më shumë lëvizje pas tij në shahun e politikës, do të festonin si triumf, njëlloj siç kanë bërë me secilën humbje që nga 2013-ta e këtej.

Dukja gënjen gjithmonë. Nëse djalli bën gjumë ëngjëlli në detaje, vetë ëngjëjt zgjohen nga detajet. Dhe detajet do të dëshmonin kësaj here, në këtë skenar të pangjashëm, ekstrem dhe fantastik, se një akt i tillë i Ramës do ta shpallte atë mbret real në republikën e çuditshme shqiptare. Vetëm naivët nuk do të kuptonin se ky do të ishte epilogu i mençur që do t’i paraprinte rifillimit dhe që do të rriste në mënyrë të frikshme kuotat e PS-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai do të faturonte në zgjedhje vetëm shkëlqimin e pamohueshëm të Ramës dhe jo faturën e dështimeve të qeverisjes së tij. Vetëm të marrët nuk do të kuptonin se forca nuk vjen nga karrigia e zyrës, por nga pushteti moral. Vetëm analfabetët nuk do të donin të mësonin se pushteti moral nuk vjen kurdoherë nëpëmjet votës së publikut, por është kryesisht rrjedhojë e akteve të individit. Nëse Rama që parasheh për veten që të vazhdojë të mbetet ende i paparashikueshëm në gjithçka do të bënte një akt të tillë, do ta linte kundërshtarin e tij Basha pa tekst, pa motiv dhe do ta mplakte me disa dhjetra vjet në harkun e fare pak minutave fjalim. Zgjedhjet në Shqipëri janë duel liderësh dhe Rama në këtë duel, do të shkonte njëlloj si katër vjet më parë me kundërshtarin e tij të lidhur duar e këmbë, ai duke mbajtur kartën morale të atij që di të ikë për të qëndruar përballë atij që i qëndron konsekuent frikës për të ikur nga dueli.

Natyrisht ky është një fjalim që edhe nëse shkruhet ndonjëherë në shqip, nuk do të lexohet kurrë në publik. Por nëse tërheqja e Ramës nga rezultati i garës të cilën ai do ta luftojë si luftë finale është utopi, ndryshimet e qeverisë së tij që i paraprijnë zgjedhjeve mund të jenë më shumë strategji e mençur sesa një taktikë lufte. Një vit e gjysëm mbas operacionit radikal që i bëri kabinetit, polifotoja e tavolinës së qeverisë ka nevojë për fusnota poshtë: emrat e ministrave, të cilët në shumicë nuk njihen nga publiku dhe nuk kanë asgjë për t’i thënë publikut. Edhe nëse në rastin më të mirë ata do të ishin ekspertë të lavdërueshëm dhe teknicienë të mirë, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, siç gjykon edhe vetë Edi Rama, politikisht ata nuk janë ofertë elektorale e së majtës. Ata nuk frymëzojnë dot as në Shkodër e as në Durrës, as në Lushnje, në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë dhe aq më pak në Tiranën “kozmopolite”.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një grup teknicienësh në rang zëvendësministrash, që me përjashtime dëshpëruese, nuk arritën rezultatin që pritej prej tyre. Deri në fillim të vjeshtës Rama do të ketë dhënë shenjën kryesore nëse synon një mandat të tretë totalisht vetjak apo do ta lerë atë peng të lojërave me shifra dhe me sy të shkelur për një pjesë të opozitës. Do të preferojë makina elektorale apo modelet e ndritshme të marketingut, të cilët ai vetë i le në një hije me stilin gjithmonë e më autoritar e të qendërzuar të sjelljes, mendimit dhe qëndrimeve të tij. Do ta ndryshojë qeverinë, kur do ta ndryshojë dhe kush ikën apo kush vjen, këto jane pyetje të cilave nuk ju jep përgjigje vetëm kryeministri. Janë shumë pak vetë në Tiranë që i dinë dilemat e Ramës, që shpesh, si të gjithë kryeminstrat para tij, fati e vë në rolin e dajës së dëshpëruar, që detyrohet të quajë nipër edhe plot derra të vetëkënaqur e të padobishëm rrotull vetes.

Pushteti plak shpejt. Ramës i duhet të ndryshojë veten, ta rishpikë atë dhe jo të shfletojë kalendare moshash. Të rinjtë e plakur nuk i hyjnë në punë: nuk i japin avantazh, por i bëhen barrë. Së paku për momentin, zgjedhja më e keqe, është mungesa e zgjedhjes së një formule tjetër përfaqësimi përpara shqiptarëve. Në rrethana të tjera, në kushte të tjera, por në një frymë identike me sot, Berisha gaboi në prologun e zgjedhjeve në 2013-ën. Ai zgjodhi të zvarritet mbas pushtetit të tij dhe jo të bëjë veprimet që diktonte fryma e pushtetit, sipas të cilës lumi që rrjedh dhe jo këneta që vegjeton, ndryshimi i ekuilibreve dhe jo kalçifikimi i tyre, janë elementët që çojnë në triumf. Rama, ende njeriu më i fuqishëm i vendit, është në kufinjtë e kohës për ta detyruar fiks një vit më pas Berishën që të rithotë me dëshpërim: “Erla, prapë na e mundi Lulin, ai Edvin Malavita!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button