Regjistrimi në klasë të parë, aplikimi online deri në:

Për herë të parë gjatë këtij viti regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë mund të bëhet online në portalin e-albania. Procedura tashmë ka nisur, ku çdo prind nëpërmjet shërbimit online mund të bëjë aplikimin për të regjistruar fëmijën në klasë të parë për vitin shkollor 2021-2022.

“Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë nxënësve të cilët duhet të regjistrohen në klasën e parë në shkollat e arsimit bazë parauniversitar sipas listës së shkollave të përcaktuara.

Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore mund të bëjë një aplikim online deri në datën 30 qershor 2021, ku duhet të plotësojë të dhënat e nevojshme në formularin e përcaktuar”, sqarojnë autoritetet e arsimit.

Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për 2021 regjistrimet do të jenë të vlefshme vetëm në rastin e respektimit të vendbanimit. Çka do të thotë se nxënësit duhet të regjistrohen vetëm në ato shkolla që mbulojnë vendbanimin e tyre, dhe jo në bazë të preferencave që mund të kenë prindërit.

“Nxënësit lejohet të regjistrohen në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit. Harta e mbulimit të territorit, e miratuar nga NjVV-ja, respektohet gjatë regjistrimit të nxënësve në klasën e parë”, sqarojnë më tej autoritetet e arsimit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe listën zyrtare të 182 shkollave publike të arsimit 9-vjeçar ku do të mund të kryhen regjistrimet për pranimet e reja në klasat e para në secilën nga katër drejtoritë rajonale të arsimit, asaj të Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Korçës.

Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se për të kryer procedurën e regjistrimit në portalin online nuk kërkohen dokumente shoqëruese. Përjashtim përbëjnë vetëm rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet nga personi që ka kujdestarinë ligjore, i cili gjatë aplikimit duhet të ngarkojë në sistemin online edhe dokumentin e kujdestarisë ligjore.

Hapi i parë që duhet të ndiqni në kryerjen e procedurës së regjistrimit është hyrja në portalin www.e-albania.al, ku pasi të jeni identifikuar si qytetar duhet të zgjidhni shërbimin e listuar “Aplikim për regjistrim në klasë të parë” dhe të klikoni në butonin që shkruan “Përdor”. Pasi të kryeni këtë procedurë do të hapet edhe formulari përkatës, ku duhet të plotësoni me kujdes të gjitha të dhënat e kërkuara për fëmijën në varësi të adresës ku ju keni vendbanimin. Në përfundim të plotësimit të formularit duhet të aplikoni sërish në butonin “Dërgo”.

Pas datës 30 qershor, të gjitha kërkesat e bëra për regjistrim në klasë të parë do të dërgohen në institucionin arsimor përkatës ku nxënësiit i takon që të regjistrohet dhe institucioni arsimor fillon procedurën për trajtimin e kërkesës. Nëse çdo gjë është në rregull sa i takon plotësimit të kushtit të përcaktuar, shkolla përkatëse do të bëjë të mundur regjistrimin e nxënënsit në klasë të parë. Referuar afateve të përcaktuara, institucioni arsimor njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit duke nisur nga data 3 korrik deri në datën 10 korrik 2021.
Në rast pranimi të fëmijës në klasën e parë të shkollës që ka përzgjedhur, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore dorëzon në sekretarinë e shkollës fizikisht Kartelën e Vaksinimit të fëmijës jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor. Vetëm në momentin e dorëzimit të Kartelës së Vaksinimit regjistrimi i fëmijës quhet i përfunduar.

Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit parauniversitar, arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet.

Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.

Procedura për regjistrimin online

– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania www.e-albania.al.

– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për regjistrim në klasë të parë”.

– Klikoni në butonin që shkruan “Përdor”.

– Plotësoni formularin e aplikimit dhe klikoni “Dërgo”.

– Aplikimi mbërrin në institucionin arsimor përkatës ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe institucioni arsimor fillon procedurën për trajtimin e kërkesës.

– Nëse çdo gjë është në rregull institucioni arsimor regjistron aplikantin.

– Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit nga data 3 korrik deri në datën 10 korrik 2021.

 

Lista e shkollave (Kliko)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button