Sherri për shezlongët përfundon në tragjedi/ Kush janë katër viktimat dhe dy të plagosurit në Shkodër, mes të vdekurve edhe kamarieri 20-vjeçar (DETAJE)

Një sherr që nisi për vendosjen e shezlongëve në hapësirën para hoteleve përfundoi në një tragjedi në Velipojë, ku pas përplasjes me armë katër persona mbetën të vdekur dhe dy të plagosur. 

Panorama” mëson se në konfliktin me armë janë përfshirë dy familje, Ferracaku e Gocaj, hotelet e të cilëve ishin vendosur 50 metra pranë njëri-tjetrit.

Të vdekur kanë mbetur biznesmeni Kujtim Ferracaku, 59-vjeç, babai i Arjan Ferracakut të ekzekutuar në Shkodër tre vite më parë. Të vrarë mbetën edhe vëllezërit Edmond Gocaj dhe Xhovan Gocaj si dhe shtetasi Musaen Zeneli, 20 vjeç, i cili një ditë më parë kishte nisur punën si kamarier në plazhin e Velipojës.

Ndërkaq të plagosur kanë mbetur dy shtetas të tjerë, Hasan Ferracaku, 54-vjeç, vëllai i të ndjerit, si dhe 17-vjeçari Elmilind Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.

Dyshohet se konflikti mes palëve ka nisur pasditen e djeshme. Pjesëtarët e familjes Ferracaku kanë shkuar pak pas mesnatës në hotelin e Gocajve për sqarim. Por aty ka nisur një sherr verbal që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Krismat kanë shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit, disa prej të cilëve janë zgjuar të tmerruar nga të shtënat.

Në pamjet e siguruara nga “Panorama” vihen re ambulancat, makinat e policisë dhe mjete të tjera të blinduara që ndodhen në vendin e ngjarjes.

Shpallen në kërkim dy persona

Mësohet se Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në ngjarjen e rëndë. Dyshohet se dy personat në fjalë shoqëronin vëllezërit Ferracaku.

Në total janë rreth 20 persona të shoqëruar, si shtetas që mund të kenë dijeni të mëtejshme rreth konfliktit që çoi në përplasjen me armë mes vëllezërve Ferracaku dhe Gocaj. Po ashtu mësohet se në këtë ngjarje mund të jenë përdorur deri në 6 armë. Burime për “Panorama” konfirmojnë se vëllezërit Ferracaku kanë pasur secili nga një pistoletë. Sipas dyshimeve edhe dy personat në kërkim kanë qenë të armatosur.

Po ashtu edhe vëllezërit Gocaj kanë pasur njëri pistoletë dhe tjetri automatik kallashnikov. Policia ka sekuestruar vetëm një pistoletë deri më tani dhe disa prej gëzhojave që janë nga disa armë të ndryshme.

Drejtori i Policisë: Shumë shpejt do kemi të arrestuar

Lidhur me ngjarjen tronditëse ka reaguar edhe Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, i cili në një prononcim për mediat në orët e para të mëngjesit tha se shumë shpejt do të kemi të arrestuar.

Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongëve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë”, tha ai.

Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, si dhe grupi hetimor me specialistët e drejtorisë së Policisë Shkodër.

Brahimaj deklaron se në këtë konflikt janë përdorur më shumë se një armë, ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale. Ndërkaq janë sekuestruar një numër kamerash nga vendngjarja, por kushtet e pamjeve kanë qenë të kufizuara për shkak të errësirës.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button