Shkrim nga Redi Dandallaku:Këtë verë të pres në Pogradec!

Pas një viti tepër të vështirë dhe të lodhshëm që shqiptarët kaluan me pandeminë,me ardhjen e stinës së verës dhe me hapjen e sezonit turistik pjesa më e madhe dhe e atyre që kanë siguruar sadopak kursime,janë të fokusur tek pushimet dhe tek dilema se ku do ta kalojnë këtë verë.Disa zgjedhin bregdetin e Shqipërisë,disa fshatin ku kanë dhe të afërmit e pjesa e elitës më së shumti zgjedhin plazhet e Europës,të Turqisë,Greqisë,madje ata që i kanë xhepat plot shkojnë edhe në Dubain e largët.Por gjithsesi këto janë dëshirat dhe vendimet e secilit që unë nuk mund t’i gjykoj.

Në këtë shkrim dua të flas për perlën e juglindjes dhe qytetin e njerëzve të dashur…Pogradecin!Më saktë dëshiroj që përmes këtij shkrimi të arrij që t’i shpjegoj dhe t’i bëj thirrje sadopak lexuesve se sa pushime të bukura,të qeta por edhe aventureske mund të kalojnë këtë verë nëse zgjedhin Pogradecin për pushime.

Tashmë dihet dhe është e qartë se pjesa më e madhe e pushuesëve që vendosin të vijnë në këtë qytet gjatë verës,janë të moshës së tretë por jo vetëm.E arsyeja dihet!

Klima e mrekullueshme,liqeni,kulinaria dhe çmimet janë faktorë të pakonkurrueshëm në krahasim me qytetet e tjera turistike të juglindjes.Por dua të them se përveç këtyre faktorëve që përmenda Pogradeci vitet e fundit,veçanërisht këtë vit ka ndryshuar së tepërmi si brënda në qytet me shtrimin e rrugëve,rregullimin e fasadave,shtimin e pemëve,luleve dhe me investimet por edhe aktivitetet që janë bërë dhe do të vazhdojnë akoma deri në fund të sezonit turistik.

Pogradeci së pari ka liqenin e freskët për të kaluar ditën ideale në plazh ku rëra e himët dhe hapësira publike nuk mungon,ka restorantet tradicionale në shëtitoren e madhe që nga Lini deri në Tushemisht me gatimet fantastike dhe të zonës,pa harruar koranin e famshëm që nga reklamat e shumta mund të duket si bajat por që shija mbetet e paharrueshme dhe çdokush që e ka mundësinë duhet ta provojë të paktën një herë në jetë.

Pas kthimit nga plazhi mund të shijosh mbasditet e qeta nëpër ballkonet e hoteleve e nëse nuk të pëlqen të qëndrosh në ballkon mund të futesh në dhomën e hotelit dhe të çlodhesh pa e përdorur kondicionerin fare.Nëqoftëse mërzitesh në dhomën e hotelit mund të blesh një grep ose të përdorësh vazo dhe të shkosh tek “Ura e peshkatarit” për të gjuajtur peshk pa të ngacmuar njeri.E nëse kap disa i gatuan për darkë,dhe ja darkën që do haje në restorant e hëngre në shtëpi duke kursyer e ca të holla!Në mbrëmje nuk mund të rrish pa bërë një ecje në të ashtuquajtutën “xhiro” të pogradecarëve,të shijosh pamjen dehëse të liqenit që sjell lehtë dallgët në breg,moment ky i përshtatshm për romantikët,piktorët dhe shkrimtarët.Nuk është turp që duke ecur të blesh ndonjë misër të pjekur apo ndonjë qese kokoshka.

Si mund të lemë pa përmendur sheshin e trëndafilave me plot ngjyra ku sapo afrohesh ndjen një aromë çlodhëse që të jep një qetësi të jashtëzakonshme shpirtërore.Në shesh do gjeni përballë njëri tjetrit statujat e “Lasgushit” dhe “Mitrushit” këtyre dy kolosëve të krijimtarisë letrare.Nostalgjikët dhe admiruesit e dy shkrimtarëve kanë mundësinë që në stolat në formë libri në këtë shesh të lexojnë dhe disa vargje të këtyre shkrimtarëve.Ngjitur me sheshin ndodhet amfiteatri “Odeon” i rikonstruktuar me një pamje mahnitëse ku për 100 ditët e sezonit të verës në këtë amfiteatër do të ketë aktivitete kulturore dhe artistike për t’u ndjekur.

Për herë të parë në ujërat e liqenit është vënë në dispozicion anija turistike “Lyhnidas” që do të mundësojë udhëtime turistike me itinerarin Pogradec-Shën Naum-Ohër.Edhe bregu i liqenit është më i pastër këtë vit për shkak të mirëmbajtjes por edhe nga ndërtimi i pritave dhe vendosja e rrjetave në disa lumenj që derdhen në liqen.

Një darkë e mrekullueshme mund të shijohet në pedanat e vendosura në parkun e gjelbëruar pranë liqenit në mes të freskisë  dhe patjetër nën tingujt e serenatave.Në fakt jo vetëm kulinaria dhe muzika duhet t’ju sjellin në Pogradec.Ka edhe shumë aktivitete të tilla si “Festivali ballaknik i Teatrove të Kukullave”, “Festivali Ballkanik i Filmit”, “Konkursi Ndërkombëtar i Letërsisë Humoristike”, “Kampionati Ballkanik i Beach Voleyball”, “Festa e Teto Ollgës” që bëhet në fshatin Tushemisht për nder  të aktores së madhe Violeta Manushi që i dha aq famë me atë film këtij fshati dhe asaj shtëpie në atë fshat.Një risi është edhe “Festa e Koranit” që organizohet për herë të parë dhe tematika është gatimi i këtij peshku në restorantet me temë dhe hedhja e peshqve të rinj në liqen.

Nuk mund të mos j’u kujtojmë Drilonin,zemrën e Pogradecit.Atje do të shijoni pamjen piktoreske,mjelmat,të bëni xhiro me varkë në burimet e Drilonit dhe të shijoni një vakt në restorantet që ndodhen në këtë pikë turistike.

Për të gjithë ata që janë të apasionuar pas çiklizmit mund të marrin shumë lirë një biçikletë me qëra dhe të pedalojnë që nga Lini e deri tek rezidencat qeveritare në korsinë e dedikuar vetëm për biçikleta e cila është 23 kilometra.Kur të jesh në Lin nuk mund të largohesh pa vizituar bazilikën mijëravjeçare që ndodhet në majë të fshatit njësoj sikur nuk mund të largohesh nga Tushemishti pa vizituar shtëpinë dhe burimin e famshëm të “Teto Ollgës”.!

Ky është Pogradeci por për t’ju kujtuar dhe bërë të ditur,jashtë qytetit sidomos në zonën e Mokrës ka atraksione që do t’ju magjepsin.Në Mokër do të gjeni “Varret e Selcës” të ndërtuara nga fiset e Enkelejve, “Ura e Golikut”, “Rruga Egnatia”, “Kisha e Shën Marenës”, “Lumi Shkumbin”, “Kanionet e Llëngës”, “Liqenet e Lukovës”, “Guri i Kamjes” në Dardhas, “Mali i thatë”, e shumë atraksione jo shumë të njohura dhe të veçanta sa këto që përmendëm por që sërish janë tërheqëse dhe mbeten për t’u vizituar.

Hyrja jo e mirë e qytetit nga Tirana tashmë është një histori e harruar e së shkuarës.Investimet që janë bërë me tunelet panoramikë dhe në infrastrukturë e kanë shndërruar totalisht pamjen dhe mund të themi me plot gojë që hyrja për në Pogradec është nga më të bukurat në Shqipëri.

Ndaj të gjithë atyre që kanë mundësi për pushime por nuk kanë vendosur akoma j’u them:”Këtë verë të pres në Poradec”!.

Jo vetëm që do të kaloni mirë dhe do të shpenzoni pak,por do të ndihmoni edhe në ngritjen ekonomike të këtij qyteti magjik  dhe me njerëz të mirë që me zor presin verën që të punojnë pak më shumë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button