Shpërthim tritoli në Lezhë biznesmenit nga Dibra

LEZHE – Një biznes i tregtimit të mobilieve në Lezhë u sulmua me lëndë plasëse, por nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:40 të së dielës në superstradën Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit të Rrilës.

Objektiv i sulmit ishte biznesi në pronësi të Defrim Ajazit, me origjinë nga Dibra dhe banim në Tiranë. Sipas të dhënave, eksplozivi ishte vendosur në pjesën e pasme të objektit dhe nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.

Ende nuk dihet sasia dhe lloji i lëndës shpërthyese, ndërsa policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet. Sipas burimeve në dëshminë e tij në Polici, biznesmeni Defrim Ajazi ka deklaruar se nuk ka konflikte.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët janë marrë në pyetje si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesit ku u vendos lënda shpërthyese, por ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve, të cilët mendohet se kanë qenë dy persona.

Siç duket ata e kanë studiuar më parë terrenin, pasi kanë vepruar në mënyre të kujdesshme, në pjesën e pasme të godinës e cila është në errësirë totale dhe larg syrit të kamerës së objektit.

Gjithsesi, grupi hetimor pritet të analizojë dhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë superstradës për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes, çka mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.

Defrim Ajazi më parë ka qenë dhe ndërtues në Lezhë dhe Tiranë dhe pista kryesore e hetimit është përqendruar te veprimtaria e tij në fushën e biznesit, por pa përjashtuar ndonjë konflikt që mund të ketë pasur biznesmeni kohët e fundit.

Biznesmeni Defrim Ajazi ushtron veprimtarinë e tregtimit të mobilieve prej disa vitesh, teksa piken kryesore të këtij biznesi e ka në Lezhë, pikërisht në vendin ku u vendos lënda shpërthyese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button