Shqipnia po vret rininë e vet

Nga Sulejman Dida

Duke qenë neglizhente, për shkaqe të ndryshme etike dhe historike, Shqipnia, vendi i shqiponjave (në të vërtetë i sorrave) po vret adoleshentët dhe rininë pikërisht duke mos punue me to dhe për to. 

Në rastin e Kukësit do të nënvizoj qarkullimin rrugor ku në 10 ditëshin e fundit nga aksidentet vdiqën dy të rinj ndërsa një 11 vjeçar ndodhet në gjendje të randë.  Nga ana tjetër, gjatë muajit Korrik u mbytën në liqen tre të rinj duke nxjerrë në pah nëglizhencën vetëvrasëse të shoqnisë në tansi. 

Dy prej të rinjve ishin nxanës shkolle, pra pak a shumë nën moshën për me i lanë krejt në mëshirë të fatit.  Familja, shkolla, pushteti dhe policia që të gjithë janë përgjegjës, por nga asnji palë nuk ka reflektim.  Po, le të merremi pak ma tepër me qarkullimin rrugordhe pak ma përtej se kaq.

Të rinjtë, përfshi edhe të mitur, ndoshta në mungesë të nji alternative zhvilluese, ngasin makinat nëpër qytet tue ba edhe gara midis tyne, ndërsa policia e qarkullimit në rastin ma të butë asht e pafuqishme për me vendosë rregull. 

Njerëzit janë dëshmitarë të disa rasteve të ballafaqimit të policisë me adoleshentë të caktuar, bile edhe të mitur, që ngasin makinat në mënyrë të paligjshme duke terrorizue banorët, dhe madje tue përmbushë vepër penale bukur të randë.

Në vend që ti binden forcës së ligjit ata kanë kërcënue policin me shprehjen ma të rëndomtë, ‘ik se po ti q… robt, a e din se i kujt jam unë’.

Dhe ata të rinj janë bij të personave me pushtet që njihen për lidhjet e tyre me politikën apo me krimin.  Ju e dini mirëfilli se sa herë që persona të tillë janë shoqnue në polici, janë lanë të lirë shumë shpejt dhe polici asht transferue, asht ulë në detyrë ose asht përjashtue nga detyra. 

Në këto kushte efektivi i policisë ka marrë nji goditje të pariparueshme derisa, sot për sot, e ka lanë gjithçka në rrjedhje të lirë. Në kushte rrugët tona po përgjaken përditë.

Presioni ndaj efektivit të thjeshtë të policisë nuk ndodh vetëm nga jashtë por edhe nga brenda strukturave në hierarki.  Madje kjo përban në të vërtetë kalbjen e shtetit.  Ndodhesha nji ditë në nji prej doganave të mëdha të vendit ku vërejta nervozizëm të lexueshëm tek nji efektiv i policisë.  Ç’ka ka ndodhë?, e pyeta.  ‘Këta shk…dhata duhet me i kalue pa rradhë’,  tha për nji oligark nga Tirana, për të cilin ka marrë porosi me telefon për me largue konet e korsisë rezervë, me kalue ai.  Efektivi mendonte se po përdoret prej eprorëve në kundërshtim me rregullat.  ‘Çka me ba, ma heqim kapelen nëse nuk e zbatoj’, tha me konfidencë.

Intimidimi i policisë dhe i krejt sistemit që siguron rend dhe drejtësi në vend, ka ndodhë edhe ma herët dhe po ndodh përditë nga pushteti. Kujtoj faktin që vetë kryeministri pak vite ma parë, ma saktë në 2014 për rastin flagrant të nji vrasësi të shumfishtë, pat deklarue se familjen e tij e ka mik.

Në të njajtën deklaratë ai pat shtue se drejtësia gjithsesi duhet me ba punën e vet, por në atë kohë të gjithë pëshpëritën se kryeministri intimidoi drejtësinë.

Gjatë nji seminari për gazetarinë e kronikës si dhe atë investigative, nji lektore e njohur që jep edhe opinione televizive, tue perifrazue nji gazetar gjerman tha: ‘njerëzit thonë që në Shqipni nuk ka drejtësi, në të vërtetë ka, por kushton shumë’.

Drejtësia ndoshta në çdo vend të botës asht relative, por dinjiteti i komuniteteve dhe popujve asht mbrojtë nga idealistët dhe nga media.  E, dinjiteti i nji kombi kushton sakrificën e idealistëve dhe të gazëtarëve. 

Prandaj e ruej mendimin se media vdes e fundit.  Sepse kjo duhet me qenë shpresa e njerëzve të lirë.   Edhe atëherë kur liria nuk ekziston, prapë media asht shpresa e të mundurve.  Po mjerisht, ne si gazetarë kemi vdekur.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close