Spiunë edhe në spitale, zbulohet skema e qeverisë /Rama:Do rrisim rrogat

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama tha dje se po punon për ngritjen e një rrjeti informatorësh brenda spitaleve  për të luftuar korrupsionin e bluzave  të bardha.

Gjatë fjalës së tij para mjekëve të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”,  kreu i qeverisë tha se administrata shtetërore do të pastrohet nga ata që marrin ryshfet për të ofruar shërbime.  “Këto që po ndodhin, për fat të mirë, janë shenjat e para  të një ndryshimi që do shkojë duke u thelluar dhe i  një lëvizjeje që do shkojë duke u bërë gjithnjë e më shumë gjithëpërfshirëse në çdo nivel. Shteti nuk mund  të jetë një ‘rifugio pecatorium’ për mëkatarë e për grabitqarë në kurriz të qytetarëve që shtetin e mbajnë në  këmbë me kontributet e tyre.
Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve në asnjë sistem brendapërbrenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales dhe që përfshijnë në mënyrë shumë të rrezikshme,  shpeshherë si kancer vdekjeprurës kolektiv, të përbashkët”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri foli për  masat që po merr qeveria për të luftuar korrupsionin. “Ne kemi në proces ndërtimin e një rrjeti të tërë antikorrupsion, nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur nën një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik, jo thjesht sistemin tonë shëndetësor, por të gjithë sistemin publik, sepse të gjitha  këto që bëjmë, humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre, në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit e njerëzve.
Kjo është arsyeja që edhe në spitale, ne kemi filluar të vendosim e do të shtrijmë deri në fund, si në të gjithë institucionet e shërbimit të drejtpërdrejtë  për publikun, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të  ndarë ose për të kontribuuar në ndarjen e të njomit  nga i thati. Nuk mund të  ketë luftë kundër korrupsionit, nëse ajo luftë nuk zhvillohet brenda shtetit, domethënë, brenda të gjithë institucioneve e të gjitha sistemeve të organizimit të pushtetit ekzekutiv ku menaxhohen fondet publike, ku paguhen rroga me taksat e qytetarëve dhe ku njerëzit marrin shërbime.
Nuk mund të ketë luftë kundër së keqes, nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv, i cili qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti, në të gjitha nivelet, qoftë në radhët e krimit, qoftë në  radhët e kujt deri dje ka abu- zuar me pushtetin”, tha Rama.
PROTESTA
Kreu i qeverisë ironizoi protestën e para pak ditëve të një grupi mjekësh të QSUT-së kundër arrestimit  të dy kolegëve të tyre për kotrupsion. “Më bëri shumë përshtypje, të them të drejtën, përpara pak ditësh, një grumbullim mjekësh me  një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse për nga niveli i kurajës dhe për  nga paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve e të infermierëve duhet rritur e ne do ta rrisim, siç e kemi rritur dhe në vitet pararendëse. Ashtu sikundër edhe kjo në vetvete nuk është se i thotë të  gjitha, sepse me autonominë spitalore, ne duam të kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit  të mjekut, duke krijuar sigurisht një dysheme, por duke krijuar edhe mundësinë që mbi atë dysheme,  mjekët të mos paguhen njësoj, por të paguhen sipas  mundit dhe sipas volumit të shërbimit e natyrisht, edhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht”, tha Rama.
RRITJA E PAGAVE
Duke folur për strategjinë e qeverisë për të bërë një vlerësim sa më objektiv të  mjekëve në spitale, Kryeministri tha se po synohet autonomia spitalore. “Synimi për  të realizuar autonominë spitalore, jo si qëllim në vetvete,  por si instrument për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet, është tanimë në një  proces të avancuar, ashtu sikundër është në një proces të avancuar edhe synimi për të krijuar një hapësirë të painfektuar komunikimi dhe ndërveprimi mes bluzave të bardha dhe pacientëve e  familjeve të tyre.
Dua t’iu siguroj që jemi shumë të  vetëdijshëm dhe shumë të shqetësuar, nuk i kemi mbyllur sytë dhe nuk e kemi fjetur mendjen, për nevojën që të  rrisim shpërblimin e mjekëve dhe infermierëve. Do bëjmë një rritje graduale, për të arritur brenda 4 viteve, 40% e premtuar. Se kur do bëhen 40, në 3 apo 4 vite, kjo varet nga dinamika e të ardhurave, por është e sigurt që ne do ta realizojmë  këtë objektiv.
Ashtu sikundër do bëjmë të pamundurën që sa më shpejt të krijojmë kushtet që mbi dyshemenë, sepse kur flasim për  shpërblim sipas performancës, nuk flasim për  shpërblim nën dysheme, nëse një kategori brenda trupës ka këtë pagë, kjo pagë nuk lëviz, këtu flasim për  rritje mbi të në bazë të performancës. Edhe këtë do  mundohemi ta sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button