Studimi: COVID-19 disa njerëz i godet më rëndë se të tjerët, njihuni me grupet e gjakut që janë më rezistent

Duket se koronavirusi i ri SARS-CoV-2, që shkakton sëmundjen COVID-19, i godet disa njerëz më rëndë se të tjerët. Për pasojë, disa kanë vetëm simptoma të buta, ndërsa të tjerët duhet të shtrohen në spital, e ndoshta edhe të lidhen me respiratorë dhe ventilatorë.

Në përgjithësi, faktorët e rrezikut për simptoma më të rënda nga COVID-19 përfshijnë: moshën, diabetin, sëmundjet e zemrës, tensionin e lartë, pirjen e duhanit, mbipeshën dhe faktorët gjenetikë.

Disa studime, një prej të cilave është botuar në revistën The New England Journal of Medicine, sugjerojnë po ashtu se personat me grupin e gjakut A mund të kenë rrezik më të lartë nga të sëmurët me COVID-19 dhe nga simptomat e rënda, ndërsa njerëzit me grupin e gjakut 0 mund të kenë rrezik më të ulët dhe simptoma më të buta.

Megjithatë, shkencëtarët që kanë punuar në studim, thonë se nuk do t’i thoshin kurrë dikujt që ka grupin 0 të gjakut që të rrijë i qetë, sepse ka më pak rrezik nga infeksioni.

Çfarë ndikimi kanë grupet e gjakut?

Grupet e gjakut i ka zbuluar imunologu dhe patologu austriak, dr Karl Landsteiner, dhe për këtë ka fituar Çmimin Nobel në vitin 1901.

Grupi i gjakut përcaktohet gjithashtu nga faktori Rh – një proteinë e trashëguar që gjendet ose nuk gjendet në sipërfaqen e rruazave të kuqe të gjakut. Ekzistojnë tetë grupe të mundshme parësore të gjakut, edhe pse ka edhe disa shumë më të rralla. Grupi i gjakut A është më i përhapuri në botë dhe ai ndiqet nga grupi i gjakut 0. Sikurse edhe tiparet e tjera gjenetike, grupi i gjakut trashëgohet nga prindërit.

Edhe hulumtimet e mëparshme kanë sugjeruar se grupi i gjakut ka ndikim në disa sëmundje. Për shembull, një studim ka treguar se njerëzit me grupin e gjakut B kanë rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit, ose njerëzit me grupin e gjakut 0 kanë rrezik më të ulët të vdekjes nga malaria, por janë më të ndjeshëm ndaj infeksionit me norovirus. Kur bëhet fjalë për murtajën, është treguar se njerëzit me grupin A kanë simptoma më të buta.

Në studimin e botuar në The New England Journal of Medicine, që përqendrohet në grupet e gjakut dhe në COVID-19, studiuesit kanë ekzaminuar 1,610 pacientë me probleme në frymëmarrjes për shkak të COVID-19 në Itali dhe Spanjë – në rajonet ku koronavirusi ka goditur më rëndë: Millano, Monza, Madrid, San Sebastian dhe Barcelonë.

Të gjithë pacientët kanë pasur një formë të rëndë të sëmundjes dhe disa nuk kanë mbijetuar.

Sipas këtij studimi, njerëzit me grupin e gjakut A kanë dy herë më shumë gjasa që të kenë nevojë për oksigjen ose ventilator, në rast të infektimit me koronavirus, në krahasim me njerëzit me grupin e gjakut 0.

Grupet e gjakut B dhe AB nuk janë aq të përhapura dhe studimi thotë se rreziku i shfaqjes së simptomave më të rënda te këto grupe gjaku është diku në mes.

Autorët e studimit supozojnë se kombinime të ndryshme të antigjeneve A dhe B mund të ndryshojnë mënyrën se si sistemi imunitar prodhon antitrupa, që luftojnë infeksionin, ose kanë ndonjë efekt tjetër, aktualisht të panjohur, në mënyrën se si trupi reagon ndaj infeksionit.

Ose, thonë autorët e studimit, gjenet që lidhen me grupin e gjakut kanë ndoshta efekt në receptorin ACE2 – një proteinë që e lejon virusin SARS-CoV-2 të infektojë qelizat e njeriut.

Më herët, në prill të këtij viti, studiuesit e Universitetit Columbia kanë raportuar për rreziqe të ngjashme që lidhen me grupin e gjakut A, pas testimit të mbi 1,500 amerikanëve për COVID-19.

Ata kanë zbuluar se individë me grupin e gjakut A kishin 34 për qind shanse më shumë për të dalë pozitivë në testet për koronavirus, krahasuar me grupin e gjakut 0 ose AB.

Megjithatë, ata nuk kanë gjetur prova të fuqishme për ndonjë lidhje midis grupit të gjakut dhe rrezikut të intubacionit ose vdekjes.

Në mars të këtij viti është publikuar një studim me 2,173 pacientë me koronavirus në tri spitale të qyteteve Vuhan dhe Shenzhen të Kinës, i cili po ashtu ka zbuluar se njerëzit me grupin e gjakut 0 kanë rrezik më të ulët nga infeksioni.

“Ekzistojnë katër grupe kryesore të gjakut – A, B, AB dhe 0 – dhe ato përcaktohen nga proteinat në sipërfaqen e qelizave tuaja të kuqe të gjakut. Njerëzit me grupin e gjakut 0 mund t’i dallojnë më mirë proteinat e caktuara si të huaja, e kjo mund të përfshijë edhe proteinat në sipërfaqet e viruseve”, ka thënë dr Mary Horowitz, drejtuese e Qendrës për Kërkime Ndërkombëtare të Qelizave të Gjakut dhe Eshtrave, për Business Insider.

Dallim i vogël

Por, dy studime të tjera – njëri i kryer nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets dhe tjetri nga Spitali Presbyterian Columbia në Nju Jork – nuk kanë zbuluar se personat që kanë grupin e gjakut A, kanë më shumë shanse për t’u infektuar me COVID-19.

Këto studime kanë treguar po ashtu se më pak njerëz me grupin e gjakut 0 janë infektuar me COVID-19, por shkencëtarët paralajmërojnë se dallimi është aq i vogël, saqë njerëzit nuk duhet të llogarisin se janë më të mbrojtur për shkak të grupit të tyre të gjakut.

“Askush nuk duhet të mendojë se është i mbrojtur”, është cituar të ketë thënë Nicholas Tatonetti, nga Universiteti Columbia, në gazetën New York Times.

Duke rishikuar dokumentacionin mjekësor për 7,770 njerëz, që kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, dr Tatonetti dhe dr Michael Zietz kanë zbuluar se njerëzit me grupin e gjakut A kanë një rrezik pak më të vogël për t’u vënë në ventilatorë.

Njerëzit me grupin e gjakut AB ishin në rrezik më të lartë, por shkencëtarët kanë paralajmëruar se ky rezultat mund të mos jetë i besueshëm, sepse në analizën e tyre ka pasur pak pacientë me këtë grup të rrallë të gjakut.

Studimi i kryer në Spitalin e Përgjithshëm në Masaçusets ofron një pasqyrë paksa më ndryshe.

Studiuesit atje kanë zbuluar po ashtu se njerëzit me grupin e gjakut 0 kanë më pak gjasa për t’u sëmurë me COVID-19, por, sipas tyre, grupi i gjakut nuk ka ndikuar në vendimin për t’i vendosur pacientët në ventilatorë ose jo dhe as në shanset e tyre për të vdekur.

Anahita Dua, kirurge vaskulare në spital dhe një nga autorët e studimit, ka thënë se grupi i gjakut nuk është diçka për t’u marrë parasysh kur vlerësohen rreziqet, me të cilat përballen pacientët me COVID-19.

Studimi, megjithatë, ka treguar se një numër më i madh i individëve që kanë shfaqur simptoma dhe kanë grupe gjaku B dhe AB dhe Rh +, kanë dalë pozitivë për COVID-19, ndërsa individët që kanë shfaqur simptoma dhe kanë llojin e gjakut 0, më shpesh kanë dalë negativë.

Joern Bullerdiek, drejtor i Institutit të Gjenetikës Mjekësore në Universitetin Mjekësor Rostock në Gjermani, ka thënë se “me këtë punë të re, me siguri është vendosur se grupet e gjakut nuk ndikojnë në rezultatin e sëmundjes”.

Eric Topol, drejtori i Institutit të Kërkimeve Scripps, ka thënë për Associated Press, muajin e kaluar, se provat janë “paraprake” dhe se “nuk ka sinjale të mjaftueshme për të qenë të sigurt”, ka transmetuar Business Insider.

Edhe nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin MIT thonë se grupi i gjakut nuk është faktor rreziku, nga i cili njerëzit duhet të frikësohen ose të vetëkënaqen.

“Këto studime janë tërheqëse nga një këndvështrim shkencor, por, për momentin, ato nuk kanë implikime praktike për stilin e jetës dhe masat paraprake që duhen ndërmarrë për të mbrojtur të tjerët dhe veten. Pra, vazhdoni të mbani maska, të distancoheni fizikisht dhe të lani duart – veprime që janë dëshmuar se e zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes për njerëzit e çdo grupi të gjakut”, porosisin nga Universiteti MIT.(rel)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button