Të ndaluara me ligj që në 2019-ën, por lojërat e fatit vijojnë të ‘lulëzojnë’. Ja çfarë zbuloi policia së fundmi

Lojërat e fatit nuk kanë ndalur në vendin tonë edhe pse nga data 1 janar 2019, është bërë me ligj ndërprerja e kësaj veprimtarie.

Së fundmi, në vijim të kontrolleve që kryhen nga policia, janë konstatuar katër subjekte që ishin përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe janë proceduar penalisht 6 persona. Sipas bluve, këta shtetas merreshin me lojërat e fatit nëpërmjet celularit, duke hapur faqe interneti për bastet sportive.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasit:

Sh. P., 42 vjeç, banues në Elbasan, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon që kishte të hapur faqe interneti për bastet sportive;

R. C., 49 vjeç, banues në Elbasan dhe S. B., 26 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e bar-kafes në pronësi të shtetasit R. C., iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon që kishte të hapur faqe interneti për bastet sportive;

A. Q., 19 vjeç, banues në Elbasan, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e bar-kafes në pronësi të tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon që kishte të hapur faqe interneti për bastet sportive;

K. P., 17 vjeç dhe K. B., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e bar-kafes në pronësi të shtetasit K. B., shtetasit K. P. iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon që kishte të hapur faqe internet për bastet sportive”, tha Policia.

Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ndërkohë blutë paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë në gjithë qarkun e Elbasanit dhe fton qytetarët të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit ”Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të kundërligjshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button