Teknologjia, Inteligjenca Artificiale dhe Etika e Biznesit

Prof. Dr. Hysen Çela, CA, CPA

Profesor, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

IESBA & IAASB CAG Member, IFAC, NYC, USA

Teknologjia, kjo kryefjalë e ditës, përfshin metoda, procese dhe mjete, të cilat përdoren nga njerëzit për të përpunuar dhe për të kontrolluar mjedisin e tyre të aktivitetit. Puna e njeriut, në shumë fusha, ka prirjen të zëvendësohet me procese të automatizuara, të cilat gjithnjë e më shumë po realizohen përmes mjeteve lehtësisht të përdorshme, siç janë kompjuterët, telefonat inteligjentë, tabletët, etj.

Si asnjëherë më parë, po ndryshon edhe mënyra e të bërit biznes, dhe vendi ynë nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Teknologjia po avancon me hapa super të shpejtë, aq sa një zbulim shkencor, duket se nuk ka kohë të mjaftueshme të provohet plotësisht në praktikë, pasi një tjetër shpikje zëvendësuese edhe më e avancuar, duket se nis të zhvillohet. Bizneset në shumë sektorë po ndryshojnë, duke e bërë menaxhimin e ndryshimit çështje të ditës.

Një tendencë e tillë po vihet re edhe në situatën e tanishme të pazakontë, të krijuar nga pandemia COVID-19. Nevoja për reflektim në lidhje me prioritetet e jetës, përfshirë mënyrën si punojmë dhe si ndërveprojmë me njëri- tjetrin, kërkon një adoptim të ri social, ku teknologjia bëhet pjesë e pandarë.

Ndryshimi dhe evoluimi i shpejtë i teknologjive të reja, është një sfidë që e vendos biznesin dhe jetën tonë të përditshme në dilema etike që nuk janë ndeshur më parë.

Prof. Dr. Hysen Çela

1.Adresimi i çështjeve të etikës krahas me zhvillimet teknologjike në vite

Zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjisë dhe ndikimet e saj në revolucionarizimin e biznesit dhe të shoqërisë njerëzore nuk mund të konsiderohen as të parat dhe as të fundit. Historia na tregon se ndryshimet teknologjike, kanë pasur ndikim të madh në zhvillimet socio-ekonomike në vite.

Kur njerëzit zhvilluan teknologjitë e duhura bujqësore, ata bënë një hap cilësor në jetën e tyre dhe ushqimi nuk ju la më rastësisë apo vetëm gjuetisë. Metodat që u përdorën në sektorin e bujqësisë dhe të blegtorisë (të njohura nën termin revolucioni bujqësor), të cilat ishin të avancuara për kohën, bënë të mundur një furnizim të arsyeshëm, të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me produkte ushqimore.

Shpikja e ujitjes, shfrytëzimi i ujit dhe energjisë së erës dhe zhvillimi i mjeteve të punës e të transportit, krijuan shanse për të realizuar prodhime në sasi përtej nevojave, çka kontribuoi në lindjen e tregtisë dhe krijimin e entiteteve të para të organizuara të biznesit. Këto zhvillime, krahas kontributit dhe përfitimeve, ekspozuan një numër jo të vogël dilemash për çështjet e etikës dhe moralit, ku mund të përmenden dyshimet nëse tregtia ishte e ndershme, nëse çmimet ishin të drejta; matjet e sasive të produkteve, të sakta; cilësitë e produkteve, të duhura; etj.

Një moment tjetër i rëndësishëm në zhvillimin teknologjik ishte “revolucioni industrial” i shekullit XVIII, kur në përpunimet industriale, filloi të përdoret një teknologji e re. Gjatë kësaj periudhe u përdorën pajisjet elektromekanike, të cilat viheshin në punë nga karburantet fosile, siç ishte për shembull motori me avull, makinat, lokomotivat apo dhe makineritë për ndarjen automatike të pambukut në industrinë tekstile, etj.

Përparimi teknologjik kontribuoi në ndryshimin e mëtejshëm të shoqërisë njerëzore dhe të vetë biznesit. Para revolucionit industrial, shumica e bizneseve ishin organizata të vogla, që vepronin në tregjet lokale dhe menaxhoheshin nga pronarë, të cilët mbikëqyrnin relativisht pak punëtorë. Prodhimi i produkteve realizohej kryesisht në mënyrë manuale. Revolucioni industrial kontribuoi në prodhimin e makinerive, të cilat intensifikuan prodhimin dhe rritën produktivitetin.

Tregtia shënoi ekspansion si brenda rajoneve, ashtu edhe më gjerë. Këto ndryshime nxitën riorganizimin e bizneseve, duke i orientuar ato drejt bashkimit dhe krijimit të strukturave më të mëdha, të cilat bënë të mundur menaxhimin e burimeve të ndryshme materiale, financiare dhe njerëzore. Një fuqi e tillë ekonomike e njerëzore e organizuar, rriti jo vetëm prodhimin e produkteve me ndihmën e makinerive, por çoi edhe në përmirësimin e karakteristikave të makinerive e pajisjeve ekzistuese, në prodhimin e makinerive të reja dhe zhvillimin e teknologjisë.

Por, krijimi i korporatave të mëdha, pavarësisht shtysës që i dha zhvillimit ekonomik e social, nuk arriti t’i shpëtojë dyshimeve për mosmbajtje parasysh sa duhet të kërkesave morale dhe etike. Padrejtësia dhe shfrytëzimi i punëtorëve që punonin në makineritë e reja, manipulimi i tregjeve të reja financiare, të cilat financonin ndërmarrje të mëdha apo edhe dëmet ndaj klimës e mjedisit, ishin disa nga pasojat shoqëruese të kësaj faze të zhvillimit teknologjik.

2.Zhvillimet e teknologjisë në ditët e sotme

Zhvillimet më të fundit në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, të nisura në fund të shekullit XX dhe të intensifikuara gjatë dy dekadave të para të këtij shekulli, po bashkëshoqërojnë rritjen dhe po bëhen pjesë e maturimit të shoqërisë njerëzore.

Duke ndryshuar jo thjesht biznesin, por edhe shoqërinë në përgjithësi, përfshirë konceptet bazë të bashkëjetesës humane, jetën sociale dhe një numër të konsiderueshëm aspektesh të tjera të jetës sonë të përditshme, teknologjia e sotme nuk ka se si të mos përballet me sfida të mëdha dhe rreziqe e probleme të natyrës së etikës, të qëndrimeve ndaj të drejtave të njeriut dhe të moralit.

Zhvillimet e reja në fusha të tilla sibio-teknologjia dhe teknologjia e informacionit, ku përfshihen jo vetëm përdorimi i kompjuterëve të fuqishëm dhe pajisjeve të tjera të ngjashme, por edhe zhvillimi i internetit, komunikimet pa kabllo, dixhitalizimi, etj., po ndihmojnë individin dhe biznesin të marrë informacione, të përpunojë të dhëna dhe t’i transmetojë ato në mënyra gjithnjë më të reja e më inovative.

Këto zhvillime duket se u kanë dhënë fund dyshimeve dhe pikëpyetjeve në lidhje me globalizimin e shpejtë, pasi komunikimi në kohë reale (online) po shkurton krahas distancave fizike edhe mentalitetin. Dobia e përdorimit të teknologjisë po evidentohet, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të pandemisë globale COVID-19, ku shumë aktivitete kanë ndryshuar formën dhe operimi në distancë po bëhet një çështje normale e ditës.

Teknologjitë e reja kanë mundësuar që çdo lloj medie – filmi, gazete, muzikë, libri, etj., të komunikohet dhe transferohet menjëherë në çdo cep anembanë botës. Bashkë me transmetimin jemi dëshmitarë të faktit që ky komunikim në kohë reale po kontribuon në “injektimin” edhe të formateve të ngjashme të jetës sociale.

Në ditët e sotme, vihet re një përshpejtim i kohës që duhet për implementimin e ndryshimit. Produkte të reja e më të sofistikuara shpiken, reklamohen e zbatohen me shpejtësi. Gjithashtu, çdo ditë krijohen forma të reja të jetës, vihen në zbatim mekanizma të reja, përfitimet dhe rreziqet e të cilave janë të paparashikueshme. Përballimi i këtyre sfidave nga biznesi nuk është i lehtë, po rritet nevoja për përmirësimin e menaxhimit, duke u fokusuar te ndryshimi, ristrukturimi i operacioneve, uniformizimi dhe fleksibiliteti.

Edhe tregtia elektronike ka shënuar rritje e zhvillim të madh. Blerja dhe shitja e produkteve, jo thjesht përdorimi i instrumenteve të avancuara të pagesës elektronike, siç janë kartat e debitit apo kreditit, po kryhet me metoda të reja, të panjohura më parë. Krijimi dhe rritja e entiteteve të biznesit që operojnë përmes Internetit ka ndikuar jo pak në uljen e volumit të transaksioneve nga njësitë fizike apo dyqanet e shitjes me pakicë. Këto lloj entitetesh duket se e kanë “selinë” në Web, pasi ekzistojnë kryesisht në hapësirën e internetit të quajtur “Cyberspace”, (një term i përdorur për të treguar ekzistencën e informacionit në një rrjet elektronik të sistemeve kompjuterike të bashkëlidhura).

3.Etika dhe teknologjia – oportunitetet dhe rreziqet

Zhvillimet teknologjike kanë prodhuar çështje intriguese dhe kanë evidentuar jo pak sfida e dilema të reja me natyrë etike dhe morale. Pothuajse të gjitha çështjet etike që lidhen me teknologjitë e reja kanë të bëjnë, në një mënyrë ose në një tjetër, me rreziqet që mbart zbatimi i tyre.

Krejt natyrshëm, në jetën tonë të përditshme lindin pyetje të tilla si: A mund të parashikohen rreziqet, përpara se një teknologji e re të vihet në përdorim? Cili do të ishte roli i prodhuesit në mbrojtje të konsumatorit në kuadrin e pikëpamjes së kujdesit të duhur? (versioni ceavet vendor). Deri në ç’masë mund të konsiderohet se një kujdes i tillë është përmbushur, kur thjesht dhënia e informacioneve nuk mjafton, pasi kuptueshmëria e tij nga konsumatorët mbetet ende një problem i madh?

A mund të vlerësohet niveli i rrezikut? A vlejnë përfitimet që merren në raport me rreziqet, kush duhet t’i marrë përsipër rreziqet, si duhet të merren vendimet, etj.? Si do të zbatohet drejtësia kompensuese (një element i rëndësishëm i etikës) për humbjet që shkaktohen nga rreziqet? Si mund të rikuperohen pasojat e rreziqeve, veçanërisht pasojat mbi grupe të caktuara të konsumatorëve, duke përfshirë individët me të ardhura të pakta, mesatare apo të mëdha, individët e rinj në moshë apo më të vjetër, brezat e sotëm apo të ardhshëm?

Përgjigjet që marrim për të gjithë këto pyetje, janë pikërisht vlerësimet dhe trajtimet e pasojave etike të lidhura me teknologjinë. Ato tregojnë në fakt shkallën në të cilën veprimet që kryhen me ndihmën e teknologjisë, respektojnë ose jo, të tre dimensionet bazë të etikës, dobishmërinë, të drejtat e individit dhe drejtësinë në shpërndarjen e kostove dhe të përfitimeve.

Pra, çështjet etike që lidhen me teknologjitë e reja të informacionit dhe me përdorimin e kompjuterëve, janë të shumëllojta dhe një pjesë e tyre, janë të reja. Një çështje mjaft e prekshme dhe shumë e diskutuar sot, është mbrojtja e të dhënave personale e veçanërisht, privatësia (fshehtësia e jetës private). Rëndësia e saj e madhe ka bërë që në shumë juridiksione të hartohen dispozita të reja ligjore, të cilat vendosin sanksione të forta për të shmangur keqpërdorimin e të dhënave.

Nëpërmjet kompjuterëve mund të merren informacione të hollësishme për individët. Përdoruesit e internetit mund të gjurmohen-informacionet për përdoruesit mund të merren sa herë që ata realizojnë blerje online, përdorin kartat e kreditit ose të debitit, etj. Gjithashtu, informacionet në lidhje me individët mund të merren edhe nga aplikimet e ndryshme, për shembull për marrjen e licencave, për hapjen e llogarive bankare, për t’u pajisur me karta krediti, kur hapet një adresë në postën elektronike, etj.

Të gjithëve na ka ndodhur që pa u menduar ose pa i lexuar kushtet, të klikojmë në një box dhe pranojmë kushtet e futjes në një rrjet interneti pa kabllo (WiFi), duke pranuar në këtë mënyrë, që të dhënat tona të përdoren. Janë të shumta bizneset që monitorojnë punën e punonjësve të tyre, gjatë kohës që punonjësit kryejnë aktivitete në kompjuter, edhe në këtë rast mund të merren të dhëna personale.

Nga ana tjetër, programet specifike të instaluara në kompjuterë kanë fuqinë që të lidhin shpejt informacionet e siguruara me bazat e tjera të të dhënave (other databases), në të cilat mund të këtë informacione financiare, për shembull, një histori të blerjeve online të kryera nga një individ, adresa të ndryshme, numra telefoni, regjistrime të ndryshme, përfshirë të dhëna të procedimeve me natyrë administrative e penale, histori kreditimi, regjistrime mjekësore, akademike, anëtarësime në organizma të ndryshme profesionalë ose jo, etj., etj.

Pra, përmes kompjuterëve bëhet e mundur që të dhënat të aksesohen, të verifikohen, filtrohen, dhe të organizohen në varësi të nevojave. Në këto raste, mundësia është e madhe dhe ky oportunitet përmban, nga ana tjetër, edhe një rrezik të madh të keqpërdorimit përtej qëllimit të paracaktuar. Keqpërdorimi i të dhënave të hollësishme që mund të merren nëpërmjet teknologjisë, potencialisht mund të dëmtojë individë ose grupe individësh. E drejta e privatësisë së individit në këto raste është e rrezikuar; keqpërdorimi i të dhënave mund të shkelë të drejtën negative të mosndërhyrjes.

E rrezikuar nga teknologjia është edhe e drejta e autorit (copyright). Fare lehtë puna mund të kopjohet dhe të paraqitet si një punim i dikujt tjetër. Kjo ndodh shpesh me publikimet, muzikën, por edhe me punime të tjera, produktet e të cilave janë pa përmbajtje fizike, si për shembull, softwaret. Një program kompjuterik, ose një fotografi dixhitale, mund të kopjohen pafundësisht, pa ndryshuar aspak më origjinalin. Si do të mbrohej e drejta e autorit në këtë rast?

Kush është autori, kur kopja nuk ka asnjë dallim nga origjinali? Apo edhe çështje të tilla si: përdorimi i sistemit kompjuterik të një entiteti për punë personale, për shembull, për dërgimin e email-eve personale, ose për të lundruar në faqe interneti të tjera, që nuk kanë lidhje më punën e individit. Natyrisht çështjet me natyrë etike janë të shumta dhe këtu nuk është qëllimi të futemi në detaje.

Sidoqoftë, ato provojnë domosdoshmërinë e vlerësimit maksimal të rreziqeve që rrjedhin nga përdorimi i papërshtatshëm i teknologjisë. Efektet e veprimeve joetike çojnë në ulje të eficencës, shkelje të të drejtave të individit, mosrespektim të të drejtave pozitive, negative dhe kontraktuale, dhe në shpërndarjen e padrejtë të përfitimeve dhe detyrimeve midis grupeve të ndryshme shoqërore.

Gjithashtu, kompjuterët kanë ndihmuar në zhvillimin e nanoteknologjisë, një fushë e re që përfshin zhvillimin e strukturave artificiale të imëta (nano metra mikro të një madhësie shumë të vogël, e cila llogaritet sa një e miliarda e metrit). Sipas futuristëve, nanoteknologjia mund të kontribuojë në ndërtimin e strukturave shumë të vogla, të cilat mund të bashkohen me njëra-tjetrën në kompjuterë të vegjël ose në pajisje që mund të përdoren edhe si sensorë diagnostikues, të aftë për të udhëtuar edhe nëpër enët e gjakut për identifikimin e sëmundjeve.

Parë nga mundësitë, padyshim nanoteknologjia jep shanse për të kryer punë, të cilat në pamje të parë duken të pamundura. Por, nëse e shikojmë nga ana tjetër e medaljes, pra nga rreziqet, përdorimi në shkallë të gjerë dhe në mënyrë të pakontrolluar i kësaj teknologjie mund të krijojë shumë probleme. Greenpeace International ka ngritur shqetësimin se nano-grimcat mund të jenë të dëmshme nëse ato aksidentalisht thithen nga njerëzit dhe kjo është shumë e rrezikshme veçanërisht nëse grimcat kanë në përbërje materiale toksikë. Rreziqet shoqëruese, nuk ka si të mos frenojnë oportunitetet, pasi komercializimi dhe përfitimet sado të mëdha qofshin, nuk mund të anashkalojnë shëndetin dhe mirëqenien e qenieve njerëzore.

Edhe zhvillimet në fushën e bioteknologjisë kanë nxjerrë në pah jo pak probleme me natyrë etike. Çështjet që mbulohen nga kjo fushë janë të shumta, duke filluar që nga inxhinieria gjenetike, e cila përdoret për të krijuar dhe për të tregtuar lloje të reja të perimeve, drithërave, kafshëve, baktereve, viruseve dhe shumë organizmave të tjerë, e deri te teknikat e ndryshimit të qelizave gjenetike njerëzore.

Natyrisht oportunitetet edhe këtu ekzistojnë dhe janë të mëdha. Janë krijuar baktere për të konsumuar derdhje të naftës dhe për të detoksifikuar mbeturinat, gruri është modifikuar që të jetë rezistent ndaj sëmundjeve, etj. Ose ka pasur raste kur gjenet nga një specie futen (shartohen) në gjenet e një specie tjetër, për të krijuar një lloj të ri të organizmi me karakteristika të kombinuara nga speciet. Por këto oportunitete nuk janë të imunizuara nga rreziqet. A mund të konsiderohen etike apo të moralshme rezultatet e kësaj teknologjie? A mund të jetë i moralshëm krijimi i organizmave bimore dhe shtazore të modifikuara gjenetikisht?

Kafshët e modifikuara gjenetikisht mund të zhdukin speciet natyrore, po kështu edhe bimët e modifikuara gjenetikisht mund të helmojnë organizmat e egër apo të natyrës. Për shembull, poleni i një specie misri, që ishte krijuar për të vrarë disa insekte dëmtues, më vonë u zbulua se po vriste disa lloje fluturash. A është etike që bizneset të tregtojnë dhe shpërndajnë organizma të tillë të modifikuar në të gjithë botën, kur pasojat janë kaq të paparashikueshme? Për më tepër, kur njohuritë dhe kujdesi për të zvogëluar rreziqet është ende i ulët, niveli i përgatitjes së popullsisë për të përballuar rreziqet mbetet gjithashtu i ulët.

4.Inteligjenca Artificiale dhe Etika

Etika dhe morali janë çështje mjaft sensitive kur bëhet fjalë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA). Etika e biznesit ka të bëjë me parimet, vlerat dhe normat morale që zbatohen për vendimmarrjen e biznesit, dhe me ndikimin e këtyre vendimeve mbi një gamë të gjerë palësh të interesuara. Ajo përfshin instrumente të tilla si kodet etikës, ligjet dhe rregullat, të cilat për t’u zbatuar kanë nevojë për gjykimin dhe vendimmarrjen e individit. A mundet vetë IA të përfshijë në vendimmarrje gjykimin e individit në çfarëdo pozicioni qoftë ky, drejtues apo ekzekutues në një entitet?

Për të analizuar raportin midis Etikës së biznesit dhe Inteligjencës Artificiale, le të nisim fillimisht me termin Inteligjencë Artificiale, përkufizimin dhe kuptimin e këtij termi. Inteligjenca Artificiale (IA) nënkupton simulimin e Inteligjencës njerëzore në makinat/pajisjet, të cilat programohen të mendojnë sikur të ishin qenie njerëzore dhe në këtë mënyrë, të kryejnë veprime duke imituar qenien njerëzore.

Në fazat më të hershme të zhvillimit, termi Inteligjencë Artificiale lidhej kryesisht me robotët, të cilët i kemi parë nga filmat fantastiko-shkencorë apo për të cilët kemi fantazuar nga përshkrimet e bëra në romanet, librat dhe publikimet e ndryshme shkencore. Në parim një perceptim i tillë nuk ka qenë i gabuar, pasi Inteligjenca Artificiale bazohet pikërisht në imitimin që i bëhet Inteligjencës njerëzore nga një makinë, që në të vërtetë mund të realizohet jo me shumë vështirësi.

Makina e programuar mund të kryejë operacione dhe detyra të ndryshme, duke nisur nga më të thjeshtat, siç mund të jetë rasti i një roboti, i cili programohet të kryejë detyrën e pastrimit të shtëpisë, e deri në detyra të tjera shumë komplekse, siç është për shembull, një automjet i programuar për të udhëtuar pa drejtues (pilot). Avancimet teknologjike, në ditët e sotme kanë tendencën të arrijnë të vlerësojnë deri edhe shijet tona.

Për shembull, Netflix arrin deri atje sa të na sugjerojë edhe llojin e filmit që duhet të shohim, i cili i përshtatet më shumë preferencave tona, bazuar në zgjedhjet që kemi bërë më parë (pra duke këshilluar, ndërhyn në shijet tona). Në këtë kuptim, në përkufizimin për Inteligjencën Artificiale do të shtonin krahas imitimit të Inteligjencës humane edhe të mësuarit, arsyetimin dhe perceptimin. Pra, Inteligjenca Artificiale na shërben për të racionalizuar dhe për të kryer veprime, të cilat mund të konsiderohen si mundësia apo zgjedhja më e mirë dhe nganjëherë e vetme për arritjen e qëllimit specifik.

Përparimi i shpejtë i teknologjisë, po e ndryshon edhe standardin e përkufizimit të Inteligjencës Artificiale. Për shembull, makinat që llogaritin funksionet themelore, ose që realizojnë leximin e tekstit përmes njohjes optimale të karaktereve, sot nuk mendohet se identifikohen me Inteligjencën Artificiale, pasi ky është një funksion i njohur dhe krejt i natyrshëm i kompjuterëve, me të cilin jemi të familjarizuar ose po familjarizohemi gjithnjë e më shumë.

Inteligjenca Artificiale ndodhet në evoluim të vazhdueshëm. Duke përfshirë shumë disiplina, siç janë matematika, fizika, shkencat kompjuterike, gjuhësia, psikologjia, etj., ajo po transformohet në një metodë multidisiplinore me një përdorim të gjerë në shumë fusha të jetës dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ajo mund të përdoret edhe për të stimuluar disa aspekte të sjelljes njerëzore, siç janë funksionet njohëse.

Por, ndryshe nga veprimi dhe zgjidhjet e problemeve përmes imitimit të veprimeve humane, çështjet e etikës, të moralit apo edhe të etikës së biznesit, me cilat lidhet çdo vendimmarrje biznesi, pavarësisht mënyrës se si merret, nuk mund të kuptohen pa përdorur arsyetimin logjik, i cili është një tipar, që domosdoshmërisht kërkon qenien njerëzore.

A mundet IA-ja të realizojë një vendimmarrje që është edhe efektive, edhe etike? D.m.th. që merr parasysh edhe kërkesat e etikës dhe të moralit? Kush e mban përgjegjësinë morale për veprimet joetike që mund të kryhen me ndihmën e IA-së? Këto dhe shumë pyetje e shqetësime të tjera shumta, mund të lindin natyrshëm, sidoqoftë përgjigjet për to nuk mund të jepen lehtë.

Për të kryer analiza të avancuara, Inteligjenca Artificiale përdor sistemet e të dhënave të mëdha (big data), të cilat, të kombinuara me sistemet mbështetëse, siç janë cloud computing, krijojnë sisteme të tjera “të zgjuara”, që ndërveprojnë me njëra-tjetrën, sigurojnë informacionin e duhur dhe japin zgjidhjet që i duhen biznesit. Pra, ekziston mundësia që IA të prishë, por edhe të ndërhyjë dhe të ndryshojë biznesin.

Njeriu si përdorues i IA, duhet të vlerësojë krahas përfitimeve edhe problematikat, krahas mundësive, ai duhet të shohë edhe rreziqet shoqëruese. Nuk ka dyshim që përdorimi i Inteligjencës Artificiale, ofron mundësi të mëdha, kursim kohe, eficencë dhe shumëllojshmëri përfitimesh të tjera. Por të gjitha këto nuk mund të arrihen pa pasur elemente të rëndësishme të sigurisë, mjete për mbrojtjen e privatësisë, si edhe pa konfidencë, besim dhe mirëkuptim.

Vlerat, normat dhe sjellja individuale janë të lidhura me qeniet njerëzore dhe përfshijnë aspekte sociale e kulturore. Një përdorim në shkallë të gjerë i sistemeve komplekse të IA-së, do të kërkonte një vlerësim të kujdesshëm për rreziqet, e veçanërisht për ndikimin që ato kanë në respektimin e parimeve të etikës, mbrojtjen e të drejtave të individit dhe sjelljen morale. Kjo do të kërkonte që në programimin apo “të mësuarit” e makinës për të imituar njeriun, të përfshihen edhe komponentët e arsyetimit moral dhe të etikës – një çështje mjaft e vështirë për momentin.

Shqetësimet në lidhje me etikën dhe moralin e bashkëshoqërojnë IA-në, pasi kjo e fundit mund të marrë vendime autonome dhe të zbatojë veprime të caktuara, bazuar në logaritmet ose rregullat e përcaktuara nga programuesi. Sidoqoftë, në makinë nuk mund të përfshihet gjykimi apo arsyetimi njerëzor dhe po kështu, makina e programuar nuk mund të vendosë në çdo rast drejtësi.

Për shembull, ka vendime e protokolle të caktuara në lidhje me parametrat që duhet të kenë robotët, makinat pa pilot, etj.. Por, a mundet një makinë pa drejtues të mbrojë pilotin dhe pasagjerët? Cilin favorizojnë kriteret që i janë programuar makinës, një këmbësor që vepron gabim apo makinën? Për të adresuar dilemat, programimi i makinës dhe kryerja e veprimit nëpërmjet IA-së, ka nevojë për mbikëqyrje, me qëllim që të monitorohen dhe vlerësohen rezultatet.

Në praktikën e përditshme ka fakte që tregojnë se sistemet e IA, me veprimet e tyre automatike janë përfshirë në dilema etike rastësore dhe në ndonjë rast, edhe në dilema të qëllimshme me pasoja të mëdha. për shembull, përdorimi i IA-së për të synuar disa tregje, bazuar në zhvillimet demografike, ndonëse nga pikëpamja ekonomike mund të jetë një mjet efektiv, ai mund të rezultojë në praktika diskriminuese, pasi mund të shkelë një seri të drejtash ose mund të imponojë kosto të tjera të padëshirueshme, pra mund të shkelë parimet e të drejtave dhe të drejtësisë.

Analizat parashikuese me ndihmën e IA-së, të cilat synojnë disa segmente të tregut, mund të krijojnë shqetësime në lidhje me privatësinë dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. Shmangia e këtyre shqetësimeve do të kërkonte që në sistemet e programuara të IA-së, të përfshihet edhe komponenti etik i vendimmarrjes dhe makinat inteligjente të pajisen edhe me aftësinë për të marrë vendime etike në përputhje me kulturën etike organizative.

Me fjalë të tjera, kjo do të kërkonte algoritme edhe më komplekse, të cilat të jenë të ngjashme me vendimmarrjen etike të partnerëve njerëzorë. Në pamje të parë, diçka utopike. Megjithatë, në të ardhmen, njerëzit do të punojnë përkrah robotëve, dronëve dhe pajisjeve të tjera të mundësuara nga IA dhe ata gjithnjë e më shumë, do të ndihmohen nga këto makina për të garantuar kulturën etike organizative.

Sistemet e IA me një shkallë përsosmërie maksimale, të cilat mund të mendojnë si njerëzit do të duhet të marrin edhe vendime të mirëfillta etike. Kjo do të kërkonte përfshirjen në programimin e makinave e pajisjeve edhe të sistemeve efektive të pajtueshmërisë me kërkesat e etikës. Realizimi i kësaj detyre do të kërkonte që të gjitha fushat e rrezikut të lidhura me vendimet e IA-së të monitorohen dhe të krahasohen me standardet etike dhe me kërkesat e tjera ligjore e rregullatore të zbatueshëm nga entitetet e biznesit. Gjithashtu, kjo do të kërkonte identifikimin e çështjeve dhe rreziqeve që lidhen me IA.

Duke qenë parësore për biznesin, vlerat etike shndërrohen në prioritete, të cilat nuk mund të anashkalohen. Për të garantuar pajtueshmërinë me këto vlera, entitetet kanë nevojë të zhvillojnë një kod të veçantë dhe të pavarur të etikës, me fokus primar aplikimet specifike të IA-së. Deklaratat e përgjithshme të vlerave, të misionit dhe vizionit, të cilat përdoren në kodet e etikës të një entiteti biznesi, mund të kenë një spektër shumë të gjerë dhe si të tilla ato nuk mund të përdoren lehtë nga IA.

Kështu, që në hapat e parë të mundshëm modifikues, respektimi i kërkesave të etikës dhe të moralit do të mbështetet më shumë në algoritmet e pajtueshmërisë. Për shembull, trajtimi i privatësisë do të ishte një çështje shumë e rëndësishme, por a duhet që makinat të skanojnë për të identifikuar individët dhe sjelljen e tyre? Metodologjitë mund të programojnë për shembull, që për raste të ngjashme vendimet të jenë të njëjta, pra që makinat t’i afrohen mënyrës se si i marrin vendimet etike njerëzit. Krahas etikës, një fushë e rëndësishme e IA-së është edhe pajtueshmëria me kërkesat ligjore e rregullatore, shkelja e të cilave mund të penalizojë entitetin e biznesit.

Për t’ju përgjigjur këtyre nevojave, shoqëria mund të hartojë ligje të reja për të mbrojtur konsumatorët dhe punonjësit. Fokusi i këtyre akteve ligjore e rregullatore duhet të jenë çështje të tilla si promovimi i barazisë e sigurisë dhe, garantimi i konkurrencës, si një instrument bazë i sjelljes etike në treg. Për shembull, Microsoft ishte kompania e parë e teknologjisë që kërkoi të bëhet rregullimi ligjor i përdorimit të teknologjisë për njohjen e fytyrës së njeriut. Një sfidë e vërtetë do të jetë padyshim transparenca në lidhje me mënyrën se si funksionojnë algoritmet për të marrë vendime etike.

Por, në të gjitha rastet, integrimi i aspekteve etike në vendimmarrjen me ndihmën e IA nuk mund të bëhet pa ndihmën e njeriut. Për shembull, makinat autonome duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë në një situatë emergjente. Në fazën fillestare të etikës në IA, mund të ishte i nevojshëm të ekzistonte një përbërës kontrolli, ku një individ ose grup individësh, mund të ndihmojë në vendimmarrje. Kjo do të ndihmonte në tranzicionin gradual të vendimeve etike në IA, deri në kohën që një gjë e tillë të mund të integrohet më mirë në proceset e vendimmarrjes përmes IA-së.

Për të arritur qëllimin e përbashkët, IA duhet të shkojë përtej interesave të biznesit dhe atyre individuale. Ajo mund të ndryshojë marrëdhëniet me shumë palë të interesuara dhe në këtë mënyrë, mund të nisë të operojë me kuptimin e ndikimit mbi përgjegjësinë sociale të entiteteve të biznesit. Për këtë duhet të shikohet përtej ndikimit mbi organizimin e brendshëm, apo përtej kërkesave të brendshme ligjore dhe shqetësimeve etike, duke targetuar edhe çështje të tilla si qëndrueshmëria, mbrojtja e konsumatorëve, mirëqenia e punonjësve, çështjet sociale dhe madje edhe ato të qeverisjes së korporatës.

Inteligjenca Artificiale, e cila përdor blockchain, ka gjithashtu, potencial për të përmirësuar etikën, pasi blockchain-et duke qenë një seri e blloqeve të informacioneve që regjistrojnë transaksionet dhe të dhënat në mënyrë të decentralizuar, krijojnë mundësinë që askush të mos e ndryshojë historikun e tyre apo të dhënat në funksion të dhënies se avantazheve të padrejta.

Mosndryshimi i gjurmës së auditimit të transaksioneve financiar e ndihmon që ato të jenë të imunizuara nga dyshimi për mashtrim në regjistrat kontabël dhe në raportimin financiar. Edhe në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore, blockchain ndihmon në përmirësimin e sigurisë së ushqimit, pasi përmes tij, furnitorët kanë aftësinë të gjurmojnë shpejt ato ushqime që mund të shkaktojnë dëmtime shëndetësore.

Megjithatë, në këtë stad të zhvillimit, IA nuk mund të ndërkombëtarizojë aftësinë e qenies njerëzore për të marrë vendime morale, pa ndërhyrjen e njeriut. Është ende herët që të identifikohen çështjet dhe të përcaktohen zgjidhjet për t’i përfshirë ato në vendimmarrjen e Inteligjencës Artificiale për çështje të biznesit dhe ato sociale.

Si përfundim, balancimi i oportuniteteve dhe përfitimeve që vijnë nga IA, është një çështje më shumë se e rëndësishme. Rritja e përdorimit të IA në vendin tonë dhe sfidat e operimit veçanërisht pas pandemisë COVID-19, nxjerrin gjithnjë e më shumë në pah nevojën për një përgatitje sa më intensive nga të gjithë.

Reagimi ynë lokal që duhet të përfshije liderët, menaxherët, por edhe publikun, duhet të bazohet padyshim në mentalitetin global. Me qëllim që integriteti i përdorimit të IA të jetë i padiskutueshëm, del domosdoshmëri jo vetëm menaxhimi i ndryshimit dhe përgatitja për të përfituar sa më shumë por edhe vlerësimi i rreziqeve dhe sfidave etike, morale e ligjore. Hartimi i legjislacionit në pajtim me Acquis Communautaire, është vetëm hapi i parë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Close