Tregti në kohë virusi! – Ndikimi i COVID–19 në treg e prodhim dhe një paralajmërim nga bujqësia – SCAN MAGAZINE

Shpërthimi i virusit COVID – 19 është një moment i hidhur por që do të mbetet në histori. Në një kohë që efektet janë ndjerë e do të ndjehen në çdo sektor të jetës, t’i të hedhim një sy shifrave të tregtisë, për të parë nëse pasojat e marrjes së masave mbrojtëse nga përhapja e pandemisë.

Pikat e furnizimit me fruta – perime duhej të mbulonin prodhimet e tyre me plastmasë, të shërbenin me doreza dhe maskë, të respektonin distancën e sigurisë. Policia dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë kryer inspektime, për të parë respektimin e këtyre masave.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi është shprehur në një deklaratë se krahas mjekëve, infermierëve apo punonjësve të rendit të sigurisë, në këtë situatë të vështirë është edhe grupi i fermerëve dhe blegtorëve që po i shërben shoqërisë.

Në një kohë që pandemia e COVID – 19 shpërtheu fillimisht në Kinë, e më tej kudo në botë, pritej që efektet zinxhir të ndiheshin në çdo sektor dhe fushë të jetës, e si për rrjedhojë edhe në ekonomi. Shtetet, njëri pas tjetrit morën një sërë masash kufizuese dhe parandaluese, e një nga gjërat për të cilën njerëzit druheshin më së shumti, ishte “zinxhiri tregtar”. Shpërthimi i pandemisë COVID – 19 ndaloi fluturimet, bllokoi kufijtë, e kjo solli që një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptar të mbetej jashtë Shqipërisë, në vendet ku ata ndodheshin për arsye personale apo profesionale. Mirëpo, tregtia ndërkombëtare ka vijuar normalisht, të paktën deri në këto momente. Sigurisht, pjesë e masave të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit u bënë edhe kompanitë e transportit ndërkombëtar.

Në javën e dytë të marsit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njoftoi se të kompanitë e transportit ndërkombëtar të mallrave duhej të dorëzonin listën e emrave të drejtuesve të automjeteve të cilat do të kryenin transportin e mallrave. Autoritetet do të lejonin qarkullimin e vetëm atyre kompanive që do të respektonin këtë masë. Po ashtu, punonjësit e kompanive të transportit ndërkombëtar do të pajiseshin me masat e sigurisë, si maskat, dorezat apo dezinfektantët. Në portin e Durrësit, e cila është një nga pikat kryesore nga ku mbërrijnë produktet e ndryshme për furnizimin e tregut vendas, puna ka vijuar dhe vijon normalisht. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar vazhdimisht vijimësinë e punës “normale” në kushte “anormale”, si për t’i dhënë sigurinë qytetarëve se të mirat bazë nuk do të mungojnë. Nga ana tjetër, edhe të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kanë treguar se importet janë në nivele optimale. Ato që u “ndalua” në transportin  ndërkombëtar nga Bashkimi Europian, ishin pajisjet mjekësore, të cilat do të ishin të mundura vetëm me autorizimin eksplicit të qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Si ndikuan në tregtinë vendase masat “anti – covid”?

Në një kohë që në shtetet e ndryshme të botës janë regjistruar radhë të mëdha në markete e supermarkete, kjo tendencë është vënë re edhe në tregun vendas, por me “doza” më të reduktuara. Kufizimet orare të vendosura, si masë nga qeveria për mbrojtjen nga përhapja e pandemisë së COVID – 19, kanë prekur edhe bizneset, përfshirë këtu edhe marketet dhe supermarketet, apo farmacitë, të cilat lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre të shitjes nga ora 05:00-13:00, ku e diela është një ditë që i “kyç” të gjitha, në të gjitha oraret. Megjithatë, kjo vlen vetëm për aktivitetin e shitjes, e jo për atë të prodhimit. Masat e marra nuk përfshinë kufizimin e lëvizjes për transportin e mallrave, për nevojat e ndryshme të tregut. Të gjithë prodhuesit, transportuesit, furnizuesit e mallrave ushqimore, në fshat apo qytet, mund të vijonin aktivitetin e tyre normalisht, përpos orareve. Në javën e tretë të marsit, u caktua akti normativ që parashikonte që të gjitha subjektet që tregtojnë produkte ushqimore dhe produkte të tjera, me shumicë, të domosdoshme për përballimin e situatës së pandemisë COVID – 19, janë të detyruar për të marrë masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit. Po ashtu, të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë barna, pajisje mjekësore, subjekte që prodhojnë barna dhe pajisje mjekësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore, të jenë në gatishmëri dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizime me barna dhe pajisje mjekësore dhe për të ofruar shërbime shëndetësore të nevojshme.

Mosmarrja e këtyre masave dënohet me gjobë në masën 5 milionë lekë dhe me përjashtim nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3 vjeçare.  Nga ana tjetër, i gjithë procesi i furnizimit me ushqim, duhej shoqëruar me masat mbrojtëse përkatëse. Pikat e furnizimit me fruta – perime duhej të mbulonin prodhimet e tyre me plastmasë, të shërbenin me doreza dhe maskë, si dhe për qytetarët, të respektonin distancën e sigurisë. Policia dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë kryer inspektime në terren, për të parë respektimin e këtyre masave, e moszbatimin e tyre, i cili shoqërohej me gjobat përkatëse.

Sa importon dhe eksporton Shqipëria mallra ushqimore?

Sipas të dhënave të raportit të Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme, në vitin 2019, vlera e mallrave të eksportuara në 12 muajt e vitit ka qenë 299 miliardë lekë, duke u ulur me 3.8 %, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën vlerën 649 miliardë lekë, duke u rritur me 1.2 %, krahasuar me një vit më parë. Partnerët kryesorë tregtarë për vitin 20149 kanë qenë Italia, me 34.4 %, Greqia, me 7.5 %, Kina, me 7.4 % dhe Turqia, me  7.2 %. Dy prej këtyre shteteve, dy pika ku pandemia e COVID – 19 ka “shpërthyer” në shifra brutale. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, Shqipëria importoi në total 110.3 miliardë lekë grupmallra “ushqime, pije dhe duhan”, afro 4 miliardë lekë më shumë se në vitin paraardhës.

Përsa i përket eksportit, në total vlera e mallrave ushqimore, pijeve dhe duhanit në vitin 2019, drejt destinacioneve të ndryshme të botës ishte 35.3 miliardë lekë, afro 3 miliardë lekë më pak se në vitin 2018. Përsa i përket shkëmbimeve tregtare me Italinë,  në vitin 2019 Shqipëria importoi mallra ushqimore, pije dhe duhan në vlerën 19.5 miliardë lekë, më shumë se në vitin 2018, kur kjo vlerë ishte 17.6 miliardë lekë. Italia është vendi nga Shqipëria ka importuar më së shumti mallra ushqimore dhe pije në vitin 2019, e më pas Greqia, me këto grupmallra në vlerën e 15.7 miliardë lekëve.

A rrezikon të thellohet deficiti tregtar, nga marrja e masave parandaluese të COVID – 19?

Ajo që dihet e mund të pranohet kolektivisht është se të punuarit në një gjendje të zakonshme, kundrejt të punuarit në mes të sfidave që një situatë e jashtëzakonshme sjell, nuk mund të jetë në të njëjtat ritme, çka automatikisht sjell një ngadalësim të procesit funksional në jetën e njeriut. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2019, deficiti tregtar arriti vlerën 350 miliardë lekë, duke u rritur me 5.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Duke qenë se tregtia ndërkombëtare vijon normalisht, e bizneset duhet të kenë rezerva 3 mujore të produkteve të tyre, e po ashtu, nga ana tjetër, Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera të prekura me COVID – 19, është në një situatë “paniku”, ku qytetarët ndjehen më të sigurtë nëse furnizohen me ushqime më shumë se ç’do të bënin normalisht, atëherë kjo do të sjellë rritje të importeve. Ajo që nuk mund të parashikojmë është se çdo do të ndodhë me prodhimin vendas. Masat parandaluese, po merren në periudhën e sezonit të prodhimit vendas, e nëse do këto masa do të sjellin ngadalësim për punëtorët e prodhimit vendas, shtrohet pyetja nëse Shqipëria do të jetë në gjendje për të siguruar eksportin e mjaftueshëm në vendet e ndryshme të botës. Nëse për punonjësit e administratave, apo institucioneve të ndryshme, distancimi social funksionon “më së miri”, e vijimësia garantohet edhe nga shtëpia, a e pranon dot distancimin social bujqësia dhe blegtoria? Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi është shprehur në një deklaratë se krahas mjekëve, infermierëve apo punonjësve të rendit të sigurisë, në këtë situatë të vështirë është edhe grupi i fermerëve dhe blegtorëve që po i shërben shoqërisë. “Puna e tyre do të vijojë sepse nuk mund të ndërpresim për asnjë çast zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit. GARANTOJ se nuk ka dhe nuk do të ketë mungesë në tregje të ushqimeve dhe produkteve të tjera” është shprehur Çuçi.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në periudhën janar – shkurt të vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 47 miliardë lekë, duke u rritur me 6.5 %, ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 94 miliardë lekë, duke u rritur me 1.7 %. Deficiti tregtar arriti vlerën 46 miliardë lekë, duke u ulur me 2.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019. Megjithatë, nëse do të thellohet apo “zbutet” deficiti tregtar, ndoshta është ende herët të flasim, e do të na duhet të presim të dhënat përfundimtare të muajit mars, për të pasur një panoramë më të qartë për atë se çfarë mund të ndodhë në muajt e ardhshëm.

Jenida Vladi / SCAN Magazine

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button